NJOFTIME PËR SHTYP

Punësimi në Ballkanin Perëndimor rritet me gjashtë përqind që prej vitit 2010 sipas bazë së re rajonale të të dhënave

4 prill 2017


VIENË, 4 prill 2017 – Në rajonin e Ballkanit Perëndimor janë krijuar 300,000 vende pune shtesë midis periudhës 2010-2016 që përbën një rritje prej gjashtë përqind të punësimit. Ky është një lajm i mirë, por ritmi i rritjes duhet të shpejtohet në mënyrë që të ketë një ndikim më të madh mbi papunësinë e lartë aktuale dhe inaktivitetin në shkallë të gjerë. Ky përfundim bazohet në raportin “Prirjet në Tregun e Punës në Ballkanin Perëndimor për vitin 2017”, i cili u prezantua sot nga Banka Botërore dhe Instituti i Vienës për Studimet Ekonomike Ndërkombëtare (wiiw).  

Raporti është bërë i mundur nga një bazë e re të dhënash, e cila ofron lehtësisht të dhëna për tregun rajonal të punës për Ballkanin Perëndimor.  Kjo bazë të dhënash lejon për herë të parë të llogariten tregues të agreguar për tregun e punës në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe mundëson krahasimin direkt të këtyre vendeve mes tyre si dhe me vende të caktuara të krahasueshme të BE-së. Kjo bazë të dhënash gjendet në SEE Jobs Gateway. Raporti mbështetet mbi të dhëna zyrtare të siguruara nga zyrat e statistikës të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe nga Eurostat për të dhënat e vendeve të krahasueshme të BE-së. Raporti dhe baza e të dhënave SEE Jobs Gateway janë bashkëfinancuar nga Ministria Federale e Financave të Austrisë.

“Përmes kësaj baze të re të dhënash, për herë të parë kërkuesit mund të analizojnë lehtësisht dhe në mënyrë konsistente zhvillimet në tregun e punës për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor,” tha Ellen Goldstein, Drejtorëshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor. “Kjo është e rëndësishme ndërsa kërkojmë të përshpejtojmë ritmin e krijimit të vendeve të punës përtej gjashtë përqind rritjeje që prej krizës globale financiare.”  

Raporti tregon se papunësia në rajon ka rënë, por mbetet ende i lartë në shifrën 21 përqind të forcës së punës. Shkalla e papunësisë pasqyron numrin e njerëzve që dëshirojnë të punojnë dhe kanë kërkuar punë aktivisht, ndërsa inaktiviteti përfshin një masë më të madhe njerëzish që janë ekonomikisht joaktivë për një sërë arsyesh. Dyzet përqind e popullsisë në moshë pune është joaktive - një ritëm ky shumë më i lartë krahasuar me vende të ngjashme në BE, ndërsa ky tregues është veçanërisht i lartë për gratë dhe njerëzit me arsim të ulët.

Sipas raportit, nga rimëkëmbja e ritmeve të punësimit kanë përfituar punëtorët e vjetër. Kjo shpjegohet pjesërisht nga zhvillimet demografike, kur grupmosha 55-64 vjeç po rritet dukshëm kudo. Shkalla e punësimit për këtë grupmoshë u rrit me mbi 20 përqind në shumicën e vendeve. Rimëkëmbja e punësimit ka favorizuar gjithashtu edhe ata me arsim të lartë.

“Ne po konstatojmë se arsimi i lartë, më shumë se më parë, po bëhet rruga drejt rritjes së punësimit. Punësimi u rrit ndjeshëm për personat me diplomë të arsimit të lartë, dhe kjo është e vërtetë edhe për të rinjtë,” tha Robert Stehrer, Drejtor Shkencor i Institutit Vjenez për Studimet Ekonomike Ndërkombëtare. “Është tepër inkurajuese të shihet se punësimi i grave është rritur gjatë rimëkëmbjes së fundit, megjithëse progresi drejt zvogëlimit të hendekut gjinor në punësim është i ngadaltë.”

Grupet që nuk kanë përfituar nga rimëkëmbja modeste e punësimit janë personat me kualifikim të ulët, dhe në veçanti të rinjtë me arsim të pakët. Niveli i papunësisë tek të rinjtë ra nga 50 përqind në 2014 në 48 përqind në 2015. Të dhënat fillestare për vitin 2016 tregojnë për prirje në ulje, por papunësia tek të rinjtë mbetet e lartë krahasuar me 17.3 përqind në Bashkimin Europian.

Raporti është i pari në serinë e tij që do të rifreskohet çdo vit sipas të dhënave të integruara të bazës së të dhënave për tregun rajonal të punës.

Kontaktet e mediave
Në Për Bankën Botërore
Elena Karaban
tel : +1-202-473-9277
ekaraban@worldbank.org
Në Për Institutin e Vienës për Studimet Ekonomike Ndërkombëtare
Hermine Vidovic
tel : +43 1 5336610-45
vidovic@wiiw.ac.at



DEKLARATA PËR SHTYP NR:
2017/ECA/103

Api
Api

Welcome