Learn how the World Bank Group is helping countries with COVID-19 (coronavirus). Find Out

Fjalime dhe tekstet e fjalimeve

Fjala e Ellen Goldstein Drejtoreshë e Bankës Botërore për Europën Juglindore Samiti Serbi-Shqipëri

2016-10-14


Ellen Goldstein Serbia-Albania Summit Belgrade, Serbia

Siç përgatitet për t’u mbajtur

I nderuar Zoti Kryeministër Vuçiç,

I nderuar Zoti Kryeministër Rama,

Të nderuar zotërinj Ministra, pjesëtarë të komunitetit të biznesit dhe pjesëmarrës të shquar,

Në një editorial për gazetën “Wall Street” javën e kaluar,  Presidenti i Bankës Botërore, Drejtori Menaxhues FMN-së dhe Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Tregtisë na kujtuan ne të gjithëve se: “Tregtia nuk është qëllim në vetvete, por një mjet për më shumë vende pune, për të rritur mirëqenien dhe për të ulur varfërinë globale. Me tregje të hapura, më shumë njerëz përfitojnë nga mundësia e përdorimit të mallrave dhe shërbimeve, qarkullojnë idetë dhe kompanitë kanë akses ndaj tregjeve më të mëdha jashtë vendeve të tyre.” Ata u bënë thirrje qeverive të vendeve dhe institucioneve ndërkombëtare që të sigurojnë mbështetjen e publikut për politikat e tregtisë së hapur, duke theksuar se tregtia nxit novatorizmin, punësimin dhe standarde më të larta jetese. Gjithashtu, ata bënë thirrje për bashkëpunim me qëllim pakësimin e pengesave që ende pengojnë tregtinë dhe i zënë frymën rritjes së produktivitetit. Sinjali i tyre erdhi në kohë se tregtia ka qenë një nxitës i qartë i begatisë dhe uljes së varfërisë në shkallë globale.

Kjo ka qenë veçanërisht e dukshme në ekonomitë e reja të Azisë, ku integrimi në tregjet rajonale, e më pas, globale të automobilave, televizorëve dhe veshjeve,  nxori qindra milionë vetë nga varfëria e pesëdhjetë viteve të fundit. Sot ne jemi dëshmitarë të një kundërgoditje politike ndaj tregtisë së lirë në shumë vende të pasura. Kundërgoditja rritet jo sepse tregtia nuk ka arritur të realizojë rritjen ekonomike, por sepse kjo rritje është ndarë në mënyrë të pabarabartë, duke krijuar fitues dhe të humbës brenda shoqërisë. Kjo është një temë e rëndësishme dhe serioze që qeveritë duhet ta mbajnë parasysh në hartimin e politikave ekonomike, financiare dhe sociale, të cilat ndikojë në shpërndarjen e fitimeve ekonomike. Por, së pari, vendet kanë nevojë për një fitim ekonomik të qëndrueshëm — dhe për këtë, ato kanë nevojë që të bëjnë tregti me të tjerë, sidomos, nëse ato janë vende të vogla me tregje të brendshme të kufizuara. 

Dhe kështu ndodh në Ballkanin Perëndimor: vendet kanë nevojë për pëfitime ekonomike të qëndrueshme, dhe këto përfitime duhen ndarë në mënyrë që rrisin mirëqenien me bazë të gjerë dhe stabilitetin social. Me nivelet e të ardhurave që janë ende sa rreth një e treta e mesatares së Bashkimit Europian, dhe me nivele të larta papunësie, vendet e vogla të Ballkanit Perëndimor kanë nevojë që të zhvillohen më shpejt dhe të krijojnë vende pune që i mbajnë brenda vendit punëtorët e tyre në moshë të re. Për ta bërë këtë, ato kanë nevojë që të bëjnë më shumë tregti në mallra dhe shërbime. 

Në fakt, asnjë vend i vogël nuk është begatuar pa rritjen e integrimit tregtar.  Nuk është e rastit që Shqipëria doli nga dekadat e izolimit komunist si vendi më i varfër në Europë, pavarësisht burimeve të saj të bollshme dhe vendndodhjes. Përgjithësisht, ndërsa vendet e vogla iu bashkohen radhëve të vendeve me të ardhura të larta, eksportet si pjesë e të ardhurave kombëtare rriten deri 100 për qind a më shumë. Eksportet e kampionit të tregtisë, Singaporit janë baras me 200 për qind të të ardhurave të tij kombëtare. Më afër jush, qysh nga mesi i viteve nëntëdhjetë, Sllovakia dhe Republika Çeke e kanë dyfishuar pjesën e eksporteve nga 40 për qind në 80 për qind të të ardhurave kombëtare, duke realizuar me këtë një konvergjencë të konsiderueshme me nivelet e të ardhurave të Bashkimit Europian. Një tjetër shembull i mirë është integrimi i Polonisë në tregjet globale, gjë që ka sjellë një zhvillim të pandërprerë qysh nga fillimi i viteve nëntëdhjetë, ndërsa ekonomia ka shënuar një rritje prej dy herë e gjysmë krahasuar me gjendjen e fillimit, duke sjellë uljen e ndjeshme të varfërisë dhe vende më të mira pune.

Në të kundërt, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shkëlqyer në eksportimin e krahut të punës, ndërsa eksportet e mallrave dhe shërbimeve përbëjnë vetëm 20-55 për qind të të ardhurave kombëtare sot. Tek pjesa e epërme e këtij vargu është IRJ e Maqedonisë, një vend që — pavarësisht nga ndikimet negative të pasigurisë së saj aktuale politike — ka ecur përpara më tej në reformimin e klimës për investime dhe eleminimin e pengesave tregtare në këto dy dhjetëvjeçarët e fundit — dhe ka njohur ritme më të shpejta rritjeje dhe fitime më të mëdha nga punësimi sesa shumë prej fqinjëve të saj.

Ju tani mund të thoni: “Po, por sigurisht që nuk mund ta zgjerojmë tregtinë në mjedisin e një Europe me një rritje vazhdimisht të ulët?” Dhe përgjigjja ime është se ju mund, dhe faktikisht, e keni bërë tashmë. Përpara krizës së përgjithshme, Ballkani Perëndimor pati një rritje prej më shumë se pesë për qind në vit — shumë më të shpejtë sesa Bashkimi Europian — një rritje ku konsumi ka luajtur rol kryesor. Qysh nga kriza e përgjithshme, konsumi si pjesë e të ardhurave kombëtare ka rënë me 6 pikë përqind në Ballkanin Perëndimor, ndërsa eksportet janë rritur me 10 pikë përqind. Vlera e eksporteve të Ballkanit Perëndimor për në BE, faktikisht, u dyfishua në një kohë kur importet e përgjithshme në BE mbetën në vend. Si ka mundësi? Ka mundësi, sepse eksportet e Ballkanit Perëndimor përfaqësojnë vetëm rreth gjysmën e një për qind të të gjitha importeve të BE-së. Rritja e kësaj shifre në një përqind apo në një përqind e gjysmë do të sillte fitime shumë të mëdha për vendet tuaja përsa i takon rritjes dhe vendeve të punës — dhe kjo është e mundshme që ta arrini.

Dyfishimi i vlerës së eksporteve drejt BE-së është nxitur pjesërisht nga rritja e sofistikimit të eksporteve në disa vende. Ne kemi parë njëfarë integrimi të suksesshëm në zinxhirin e vlerave rajonale dhe globale në fusha, si: sektori i automobilave, ku Serbia dhe IRJ e Maqedonisë janë bërë furnitorë dhe prodhues të rëndësishëm të automobilave dhe pjesëve të tyre në tregjet europiane dhe botërore. Suksesi në zgjerimin e tregtisë ka qenë një faktor i rëndësishëm në rimëkëmbjen e zhvillimit në Ballkan kohët e fundit. Sot, të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë zhvillim pozitiv, ku rritja mesatare po shkon me shpejtësi deri në tre për qind në vit e më shumë. Kjo është gati dyfishi i asaj të Bashkimit Europian, ndonëse jo ende aq shpejt sa për të nxitur konvergjencën në brezin e ardhshëm.

Për këtë arsye, është me rëndësi që udhëheqësit në mbarë Ballkanin Perëndimor të punojnë bashkërisht për përmirësimin e mjedisit për investime private dhe eleminimin e pengesave për të bërë tregti në tregjet rajonale, europiane dhe globale. Vendet e Ballkanit Perëndimor ndodhen në një pikë historike, ku është e mundur që të arrihet progres i konsiderueshëm drejt integrimit të tregtisë. Rajoni i Ballkanit Perëndimor po i tejkalon kufizimet e historisë së tij të kohëve të fundit, dhe po shkon drejt një epoke të rritjes së bashkëpunimit për arritjen e objektivave të përbashkët.   


Image

Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor — dhe kemi nderin të kemi sot këtu dy Kryeministra nga Shqipëria dhe Serbia – janë të vendosur që të ndërtojnë shoqëri të fuqishme dhe të begata, që mbështeten jo vetëm tek angazhimi i qëndrueshëm ndaj reformave ekonomike të brendshme, por dhe tek bashkëpunimi më i madh në Ballkanin Perëndimor për të shembur pengesat ndaj integrimit ekonomik, për të përmirësuar lidhjet dhe për të ecur drejt tregjeve rajonale dhe globale. Qeveritë e Ballkanit Perëndimor po punojnë brenda kuadrit të Organizatës Botërorë të Tregtisë, dhe sigurisht, përmes procesit për futjes në BE, për të arritur një integrim ekonomik më të madh. Nismat rajonale, si: Marrëveshja për Tregti të Lirë në Europën Qendrore (CEFTA) dhe axhenda e lidhjeve në kuadër të Observatorit të Transportit të Evropës Juglindore (SEETO), janë rrugë të rëndësishme plotësuese për nxitjen e tregtisë në mallra dhe shërbime dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal.

Përpjekjet e vendeve për të nxitur integrimin ekonomik rajonal u bashkërenduan korrikun e kaluar në samitin e nivelit të lartë për Ballkanin Perëndimor në Élizé në Paris, ku gjashtë Kryeministra miratuan një Plan Veprimi të Përbashkët për Lehtësinë e Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor.  Ky veprim i përbashkët ishte një mesazh kuptimplotë për udhëheqësit, të cilët e kuptojnë se rruga drejt futjes në BE, integrimit në tregjet ndërkombëtare, zhvillimit më të madh dhe përmirësimit të vendeve të punës, do të arrihet më shumë përmes një fryme bashkëpunimi sesa një fryme konkurrence në Ballkanin Perëndimor.

Ne në Bankën Botërore, e dimë se programet e hartuara me kujdes, për lehtësimin e tregtisë dhe transportit, mund të sjellin fitime të prekshme për qytetarët. Jo shumë larg prej këtej, në Bullgari, ne kemi financuar një program që ka zvogëluar më shumë se përgjysmë kohën mesatare të kalimit të kufirit. Në Amerikën Latine, në Kolumbi, në kuadër të një projekti të Bankës Botërore u përmirësua sporteli i vetëm për tregtinë me jashtë dhe u hartua një politikë kombëtare për menaxhimin e riskut ndaj ngarkesave për portet. Qysh nga viti 2008, këto reforma kanë e pakësuar kohën për eksport me mbi 30 për qind dhe kohën për import me gati 50 për qind.

Banka Botërore është këtu sot për të prezantuar zyrtarisht përgatitjen e një Projekti për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor — për të shënuar një epokë të rritjes së bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor.  Objektivi i Projektit për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor është që të nxisë integrim ekonomik më të madh mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe midis tyre dhe Bashkimit Europian, duke i kushtuar vëmendje zvogëlimit të kostos dhe kohës në tregti dhe transport, duke fuqizuar bashkërendimin dhe kapacitetet institucionale, si dhe duke rritur harmonizimin, transparencën dhe parashikueshmërinë e regjimeve të tregtisë dhe transportit. Ky Program do të mbështesë zbatimin e Planit të Veprimit të Përbashkët që u miratua në Paris, dhe do të thellojë axhendën e reformave për lehtësimin e tregtisë në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Evropian, CEFTA-n, SEETO-n dhe organizata të tjera partnere rajonale dhe ndërkombëtare. Programi për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor do të hartohet nga vetë këto gjashtë vende, duke krijuar një ekip projektimi dhe zbatimi mes këtyre vendeve dhe duke u mbështetur në financimin bazuar në rezultate, me qëllim krijimin e stimujve për arritjen e progresit përtej kufijve.

Më lejoni ta mbyll duke thënë se kam kënaqësinë që Banka Botërore mund të kontribuojë në këtë veprimtari sot, veprimtari kjo që, për mendimin tim, është tejet e rëndësishme për tri arsye të qarta. Së pari, ne ndodhemi këtu në pikënisjen e të ashtuquajturës Autostradë e Paqes, që do të sigurojë bashkimin fizik për nxitjen e lidhjeve ekonomike dhe sociale në Ballkanin Perëndimor. Së dyti, veprimtaria është produkt i bashkëpunimit të ri midis komunitetit të biznesit në Ballkanin Perëndimor, i cili e kupton se zhvillimi i ardhshëm është në duart e sektorit privat dhe duhet realizuar në mënyrë kolektive. Së treti, ndihem e nderuar nga prania e Kryeministrit Vuçiç dhe Kryeministrit Rama, të cilët kanë ndërmarrë një angazhim të paprecedent për ndërtimin e marrëdhënieve më të mira midis dy vendeve të tyre.  Të dy ata kanë manifestuar mençuri, largpamësi dhe aftësi drejtuese për të realizuar një bashkëpunim rajonal më të gjerë, duke e ditur se kjo është rruga drejt zhvillimit më të shpejtë, vendeve më të mira të punës dhe futjes në BE për secilin vend të Ballkanit Perëndimor.  

Faleminderit.


Image
Api
Api