Skip to Main Navigation
NJOFTIME PËR SHTYP26 prill 2023

Trajnime specifike konsulence për firmat ndihmojnë kompanitë në 6 vende të Ballkanit Perëndimor të rritin shitjet në tregjet e huaja

Seancat e këshillimit individual dhe të trajnimit në grup me mësime që mund të zbatohen rritën aftësitë dhe besimin për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme novatore (NVM)

VJENË, prill 26, 2023—NVM-të novatore, që krijojnë të ardhura në Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut dhe Serbi, të cilat përfituan nga një kombinim orësh mësimore profesionale, këshillimi dhe trajnimi për tërheqjen e klientëve dhe përdorimin e instrumenteve të tregtimit digjital, si optimizimi i motorëve të kërkimit, përjetuan një rritje të konsiderueshme të numrit të klientëve krahasuar me ato NVM që morën trajnime më të përgjithshme për të njëjtattema, shprehet një studim i Bankës Botërore i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i trajtuar me hollësi në raportin e paraqitur në një aktivitet sot, këtu.

Raporti, Ngritja e kapaciteteve si rruga për të zgjeruar eksportin në tregjet e huaja: Një eksperiment i gjashtë vendeve në Ballkanin Perëndimor, konstatoi se ofrimi i seancave 30-orëshe të trajnimit virtual në grup dhe pesë seancave këshillimi individuale me ekspertë çoi në një rritje domethënëse të klientëve, krahasuar me NVM të ngjashme, të cilave u ishte ofruar trajnim nëpërmjet tre seminareve në internet, kur këto çështje ishin mbuluar në mënyrë të përgjithshme.

Kompanitë e trajtuara si më sipër përmirësuan praninë e tyre digjitale duke e bërë më të lehtë që klientët e mundshëm ndërkombëtarë të gjenin ofertat e tyre dhe të tërhiqeshin për të kontaktuar firmën. Po ashtu, firmat e trajtuara kishin 10 pikë përqindje më shumë gjasa të shfaqeshin në faqen e parë të rezultateve të kërkimit dhe përmirësuan faqet e tyre në Facebook me 15 pikë përqindje më shumë gjasa për të përfshirë postime në gjuhën angleze, 10 pikë përqindje më shumë gjasa për të përdorur oferta speciale dhe 6 pikë përqindje më shumë gjasa për të përfshirë dëshmi dhe histori nga klientët. Një vit pas nisjes së programit, firmat e trajtuara kishin rritur ndjeshëm edhe numrin e klientëve.

Një nga sfidat kyçe që hasin ndërmarrjet novatore të vogla e të mesme është përftimi i klientelës. Kjo vlen sidomos në vende si ato të Ballkanit Perëndimor, ku kërkesa vendase për shërbime dhe produkte të specializuara mund të jetë e kufizuar. Eksportimi drejt vendeve më të mëdha e më të pasura është një zgjidhje e mundshme, por shtrirja në tregjet e huaja mbart me vete pengesa të konsiderueshme dhe ndërmarrjet e vogla mund të mos kenë aftësitë dhe vetëbesimin për të tregtuar për blerësit e huaj.

Studimi në fjalë synonte të provonte efektivitetin e një programi të quajtur PowerUP (Fuqizo për rritje), për t’i ndihmuar kompanitë të ringrihen pas pandemisë COVID-19, të zgjerojnë tregjet e tyre dhe të eksportojnë më shumë.

Plani ekonomik dhe i investimeve dhe Agjenda e Novacionit për Ballkanin Perëndimor e vendos theksin te rëndësia e forcimit të konkurrueshmërisë së sektorit të biznesit në rajon dhe e nxitjes së ekosistemeve të novacionit,” tha Holger Schröder, shef i Njësisë së Programeve Rajonale dhe Planit Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, Drejtoria e Përgjithshme e Fqinjësisë dhe Negociatave të Zgjerimit. “Studimi i programit “Power-Up” identifikon qasjet se si  NVM-të mund të ndërtojnë kapacitetet e tyre për të ndryshuar dhe për t’u rezistuar krizave përmes novacionit dhe digjitalizimit. Po ashtu, studimi dëshmon efektet dhe përfitimet pozitive të trajnimeve virtuale për kompanitë me nevoja të ndryshme në nivel rajonal”.

“I gjendur në afërsi të tregut të përbashkët evropian dhe rrugëve të rëndësishme tregtare, Ballkani Perëndimor ka potencialin për t’u shndërruar në një qendër të natyrshme novacioni dhe sipërmarrjeje”, u shpreh Xiaoqing Yu, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor. “Një program si PowerUp u tregon investuesve dhe pronarëve të bizneseve potencialin e madh për rritje që NVM-të mund të çlirojnë kur përmirësojnë aftësitë e nevojshme për shtrirjen e shitjeve përtej kufijve kombëtarë. Ai u tregon gjithashtu qytetarëve, të cilët mund të mendojnë të nisin një biznes, se suksesi është i mundur dhe nuk kanë pse ta bëjnë të vetëm”.

Programi PowerUP u prezantua në shtator të vitit 2020. Kompanitë duhej të ishin të vogla ose të mesme, novatore dhe të krijonin të ardhura. Madhësia mesatare e kompanive ishte 17,6 (8) punonjës. Shumica e tyre ishin në shërbime dhe veprimtari biznes me biznes (p.sh., prodhimi i zgjidhjeve softuerike të personalizuara dhe shërbime profesionale, si ato ligjore dhe konsulence energjetike). Një e katërta prodhonte produkte të specializuara. 71% eksportonin tashmë dhe sfida e tyre kryesore ishte fitimi i klientëve të rinj dhe zgjerimi i eksporteve.

Gjithsej, për programin u përzgjodhën 225 firma, të cilat u ndanë në mënyrë rastësore në dy grupe: grupit të trajtimit prej 113 firmave iu ofruan seanca 30-orëshe trajnimi në grup, 30 përmes Zoom-it dhe pesë takime individuale virtuale me konsulentë menaxhimi. Seancat e trajnimit u përqendruan gjerësisht te rritja e klientëve dhe tregjeve dhe te përdorimi i instrumenteve digjitale të marketingut (si optimizimi i motorëve të kërkimit) dhe pati seanca shtesë që trajtuan edhe burimet njerëzore, menaxhimin financiar, si dhe prezantimin e ideve. Një grupi kontrolli prej 112 firmash iu ofruan tri seminare në internet, me kohëzgjatje prej katër orësh, që ofronin mbulim të përgjithshëm të këtyre temave.

Shpesh, investuesit kërkojnë drejtues kompanish që ‘mund t’i mësojnë’”, tha Maja Andjelkovic, Specialiste e Lartë e Bankës Botërore për Sektorin Privat. “Ky program trajnimi tregoi se kompanitë novatore nga Ballkani Perëndimor jo vetëm janë të gatshme të mësojnë, por janë edhe në gjendje t’i zbatojnë menjëherë njohuritë e reja, për t’iu përshtatur goditjeve të kërkesës si ato që shkaktoi pandemia e COVID-19-ës”.

Studimi identifikoi edhe fushat për përmirësimin e programeve të tilla në të ardhmen:

  • Përmirësimi i kërkimit të synuar dhe i përzgjedhjes së kompanive: heterogjeniteti i kompanive ndërmjet sektorëve, madhësia, cikli i ekzistencës e bënë të vështirë ofrimin e një përmbajtjeje që të përmbushte nevojat e të gjitha firmave – por, në vendet e vogla, shpesh ka vetëm pak kompani të kategorisë industriale në madhësi dhe duhet më shumë punë për të bërë një kompromis midis karakterit specifik dhe ofrimit të shërbimit për sa më shumë firma.
  • Një përmbajtje më e përqendruar dhe e mundshme për t’u vënë në veprim mund të jetë shumë më e mirë sesa mbulimi i të gjitha fushave. Përmbajtja konkrete që firmat mund ta zbatonin drejtpërdrejt, si përdorimi i optimizimit të motorit të kërkimit, ishte ajo që u përthith më shumë.
  • Do të preferohej më shumë një program me modalitete të kombinuara, sesa vetëm në internet apo vetëm me fizikisht.

Të dhënat e kontaktit:

Beograd: Gordana Filipovic, gfilipovic@worldbankgroup.org  

Prishtinë: Lundrim Aliu, laliu1@worldbank.org  

Shkup: Anita Bozinovska, abozinovska@worldbank.org  

Sarajevë: Jasmina Hadzic, jhadzic@worldbank.org   

Tiranë: Ana Gjokutaj, agjokutaj@worldbank.org

Vjenë, Uashington: Christopher Walsh, cwalsh@worldbankgroup.org

Për kërkesat për transmetim: David W. Young, (202) 473-4691, dyoung7@worldbankgroup.org

 

 

 

DEKLARATA PËR SHTYP NR: 2023/101/ECA

Blogje

    loader image

ÇFARË ËSHTË E RE

    loader image