NJOFTIME PËR SHTYP

Raportimi Financiar Cilësor – Katalizator për Rritjen

27 prill 2016


Hartuesit e politikave dhe Ekspertët mblidhen për Konferencën Ministrore

VJENË, 27 prill 2016 Ministrat e Financave, përfaqësues të lartë qeveritar, si dhe përfaqësues të biznesit, komuniteteve profesionale dhe akademike nga e gjithë Evropa dhe Azia Qendrore, së bashku me ekspertë nga organizatat kryesore ndërkombëtare u mblodhën në Vjenë për Konferencën Ministrore dyvjeçare të organizuar nga Qendra e Bankës Botërore për Reformën e Raportimit Financiar (CFRR)*.

Tema kryesore e Konferencës ishte ndikimi të cilin e ka raportimi financiar cilësor si katalizator i rritjes në investime dhe ekonomi. Duke përshëndetur rreth 250 delegatë të Konferencës me një video mesazh, Hans Jörg Schelling, Ministri austriak i financave, përsëriti mbështetjen e Austrisë për agjendën: “Ne kujdesemi për një mjedis të përshtatshëm për rritje dhe stabilitet në vendet tona fqinje. Sistemet e fuqishme korporative të raportimit financiar kontribuojnë në rritjen e sektorit privat, zhvillimin e tregjeve financiare dhe rrjedhimisht në stabilitetin financiar”.

Gjatë diskutimit në një panel të nivelit të lartë, Ministrat e Financave nga Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, dhe Serbia diskutuan se si raportimi financiar i cilësisë së lartë mund të veprojë si katalizator për besimin dhe transparencën e rritur - e cila nga ana tjetër krijon mjedis të favorshëm për rritje ekonomike të qëndrueshme, krijim të vendeve të punës dhe zhvillim në të gjithë rajonin. “Në punën me partnerët dhe kolegët tanë ne besojmë se jemi duke bërë përparim të konsiderueshëm me agjendën tonë të reformave. Duke thënë këtë, Kosova është e përkushtuar që të angazhohet edhe më shumë në zhvillimin profesional në fushën e kontabilitetit dhe auditimit, për të rritur besueshmërinë e pasqyrave financiare, si faktor i rëndësishëm për tërheqjen e investitorëve dhe investimeve nga jashtë”, tha Avdullah Hoti, Ministër i Financave të Republikës së Kosovës.

Duke theksuar rëndësinë e krijimit të mundësive për rritje dhe investime në Evropë, Katarina Mathernová, Zëvendës Drejtoreshë e Përgjithshme, Drejtoria e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian, deklaroi se: “Pasqyrat financiare dhe sistemet e raportimit të besueshme e bëjnë më të lehtë për investitorët të marrin vendime dhe mundësojnë dizajnimin më të mirë të politikave publike. Komisioni Evropian është i prirur të mbështes zhvillimin e sistemeve të azhurnuara të raportimit financiar në vendet partnere për të ndihmuar në nxitjen dhe promovimin e aftësive konkurruese dhe rritjen e tyre”.

Cyril Muller, Zëvendës President Rajonal për Evropë dhe Azinë Qendrore në Bankën Botërore, u tha pjesëmarrësve se infrastruktura financiare dhe e tregut të kapitalit që është në përputhje me acquis communautaire të BE-së mund të lejoj tregti dhe investime të kapitalit më të lehta, si dhe të zvogëloj barrierat mes vendeve. “Thellësia në tregjet e kapitalit ofron një mjedis të qëndrueshëm për menaxhimin dhe kontrollin e riskut. Me angazhimin e vazhdueshëm, informacioni financiar ka kapacitet për t’u zhvilluar edhe më tej si mjet me vlerë dhe i rëndësishëm, duke kontribuar në rritjen e të gjithë rajonit”, ka thënë Muller.

Ngjarja ka ofruar një forum unik për përdoruesit e ndryshëm të informacionit financiar për të diskutuar shembuj të suksesshëm, si dhe punën e ardhshme për të përmirësuar cilësinë, besueshmërinë dhe disponueshmërinë e informacionit financiar. Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu rolin e reformave të kontabilitetit publik në promovimin e transparencës dhe llogaridhënies së qeverive, menaxhimin e riskut fiskal dhe rritjen përfshirëse.

“Banka Botërore është e kënaqur që ka investuar, së bashku me partnerët kryesorë, për krijimin e CFRR-së që ka për qëllim t’i kushtohet vëmendje e veçantë cilësisë së informacionit financiar dhe mbështetjes së vendeve për të ndërtuar besimin duke përmirësuar transparencën në entitetet me interes publik”, Samia Msadek, Drejtoreshë e Praktikës, Praktika e Qeverisjes Globale në Bankën Botërore, tha në Konferencë në fjalën e saj përfundimtare. “Ndërsa ka ende rrugë për të bërë, arritjet e viteve të fundit konfirmojnë angazhimin e fortë të hartuesve të politikave për të vepruar në mënyrë aktive për të arritur stabilitetin financiar dhe tregje kapitale që funksionojnë mirë”.

Përveç Konferencës, u mbajtën dy ngjarje anësore. E para, Punëtoria e Zyrtarëve të Lartë, mblodhi përfaqësues nga Evropa Qendrore, Juglindore dhe Lindore për të diskutuar përparimin e reformave dhe mësimet e nxjerra në fushën e raportimit financiar. Ata gjithashtu hulumtuan problemet e ndërthurura kryesore dhe shqyrtuan ndikimin e raportimit financiar në zhvillimin ekonomik. Më 28 prill, ngjarja anësore e dytë, Forumi i Organizatave Profesionale të Kontabilitetit do të mbledhë përfaqësuesit e mbi 20 vendeve për të diskutuar se si profesioni mund të kontribuoj në rritjen ekonomike.

------

*Ngjarjet janë organizuar në kuadër të dy programeve nën-rajonale:

  • Rruga drejt Evropës: Programi i reformës së kontabilitetit dhe fuqizimit institucional (EU-REPARIS) është realizuar në partneritet me Bashkimin Evropian dhe Programin për Zhvillimin e Ndërmarrjeve dhe Inovacion në Ballkanin Perëndimor (WB EDIF).
  • Fuqizimi i auditimit dhe raportimit në vendet e Partneritetit Lindor (STAREP) është zbatuar në partneritet me: Ministrinë e austriake të financave; Agjencinë austriake për zhvillim; Bashkimin Evropian; Sekretariatin shtetëror zviceran për çështjet ekonomike; Ministria e financave të Luksemburgut. 
Kontaktet e mediave
Në Vjenë
Reinhard Haslinger
tel : +43 (1) 2170-711
rhaslinger@worldbank.org
Në Prishtinë
Lundrim Aliu
tel : +38 (1) 38 224 454 1107
laliu1@worldbank.org
Në Uashington
Elena Karaban
tel : +1 (202) 473-9277
ekaraban@worldbank.org

DEKLARATA PËR SHTYP NR:
2016/ECA/136

Api
Api

Welcome