HISTORIA E PËRZGJEDHUR

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme – motorri i një ekonomie, të mbështetura nga raportimi i plotë financiar

2014-06-02


Image


Photo: World Bank

PIKAT KRYESORE TE historisë
  • Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë ofruesi kryesor i vendeve të punës dhe i rritjes ekonomike.
  • Në Serbi dhe në Shqipëri përpjekjet për reformat e raportimit financiar kanë filluar të kenë ndikim pozitiv, në veçanti në sektorët e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të të dyja vendeve.
  • Tema e Konferencës Ministeriale të CFRR-së së vitit 2014-ës, e cila do të organizohet me datë 3 qershor është “Zhvillimi i Kuadreve të Qëndrueshme të Raportimit Financiar në Evropë dhe në Azinë Qendore”.

Përmirësimi i raportimit financiar mund të mos jetë gjeja e parë që të shkon ndërmend kur mendohet për mënyrat për të inkurajuar rritjen ekonomike, për të tërhequr investimet e huaja dhe për të hapur vende të reja pune. Por informacioni transparent, i besueshëm dhe i saktë është shtyllë e rëndësishme e çdo strategjie për zhvillim të qëndrueshëm.

Raportimi financiar jep informacion shumë të rëndësishëm për bizneset, duke u dhënë pronarëve të bizneseve një panoramë të qartë lidhur me mënyrën e realizimit të biznesit të tyre dhe duke u lejuar ata të marrin vendime menaxhimi biznesi pas marrjes së informacionit të plotë. Ai po ashtu u jep investitorëve dhe kredituesve informacion të besueshëm për të marrë vendime për invesime ose kreditime, duke i mbështetur ndërmarrjet e mesme dhe të vogla (SME-të) për të pasur akses në financim dhe për të ulur kostot e kreditimit.

Në përgjithësi, kuadret e plota të raportimit financiar dhe të raportimit efektiv financiar janë elementë shumë të rëndësishëm për një klimë të shëndetshme biznesi dhe investimesh dhe mund të ndihmojnë në lehtësimin e stabilitetit financiar dhe funksionimin e mirë të tregjeve financiare në shtetet përkatëse. 

Marrim Serbinë, për shembull, e cila na tregon se çfarë mund të arrihet relativisht shpejt nëse kapet momenti i duhur. 

Serbia filloi të lëvizte drejt një ekonomie tregu në vitin 2000 dhe ka zbatuar një gamë të madhe reformash që përfshijnë fillimin e një sistem kombëtar për raportimin financiar të korporatave. Por progresi ishte i ngadaltë. Një raport i Bankës Botërore i vitit  2005 ka identifikuar vështirësi të mëdha në mjaftueshmërinë dhe cilësinë e informacionit financiar, të cilat janë shumë të rëndësishme për rritjen e qëndrueshme ekonomike.

Sektori privat në rritje ka luftuar të konkurrojë me ndërmarrjet shtetëtore, mungesa e raportimit të konsoliduar financiar e të cilave ka ndihmuar në shkaktimin e rreziqeve sistematike që kanë mbetur të pamonitoruara në një mjedis me pronësi të kryqëzuar në sektorin financiar. Raporti i Bankës dha një sërë rekomandimesh dhe ndërsa fillimisht u bë pak progres, mbetet ende shumë për t’u bërë, veçanërisht në kuadrin ligjor.    

Përpjekjet për reforma morën një hov të ri në vitin 2011. Që prej asaj kohe dolën në pah shumë mundësi për të përmirësuar sistemin e raportimit financiar në Serbi me synimin e përmirësimit të klimës së biznesit dhe të investimeve. 

Zlatko Milikic, Ndihmës Ministër Përgjegjës për Departamentin e Sistemit Financiar në Ministrinë Serbe të Financës dhe Ekonomisë që prej vitit 2011, jurist me shumë experience në sektorin financiar, e përshkruan situatën si më poshtë: 

 “Ministria e Financave dhe Qeveria e Serbisë në përgjithësi janë motivuar kryesisht nga dëshira për përmirësimin e klimës së biznesit dhe të investimeve në Serbi, duke rritur konkurrueshmërinë dhe duke krijuar kushtet për performancë më të mirë ekonomike, për më shumë punësim dhe për përmirësim të performancës.” Ai shton se “zhvillimi i sektorit të SME-ve, i cili është një ofrues i rëndësishëm i vendeve të punës dhe i rritjes ekonomike është përparësi e rëndësishme e qeverisë. Ka një frymë në rritje për sipërmarrjen në vend dhe Qeveria dëshironte ta katalizonte këtë frymë.” 

Me ambiciet e Serbisë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, është po ashtu e rëndësishme që legjislacioni të reflektojë kërkesat e BE-së.  

Autoritetet serbe, me ndihmën e Qendrës për Reformën e Raportimit Financiar të Bankës Botërore, kanë krijuar një kuadër të ri legjislativ dhe janë angazhuar në një diskutim të gjerë për reformat. Një rezultat kyc i arritur në këtë drejtim ka qenë Ligji për Kontabilitetin, i përditësuar, i cili është miratuar në vitin 2013, ku theksohet kërkesa për përdorimin e standardeve të ndryshme të raportimit sipas përmasës dhe biznesit të kompanive, si dhe përgjegjësia e strukturave drejtuese të kompanive për pasqyrat financaire dhe për disiplinën financiare.

Për të mbështetur dinamikën dhe sektorin e kompanive dhe të sipërmarrjeve të vogla private gjithnjë e në rritje janë prezantuar kërkesa të thjeshtuara kontabiliteti “për të ulur barrën e tyre të raportimit financiar, duke u lejuar atyre të përqëndrohen në rritjen e biznesit që ka perspektivën e nxitjes së ekonomisë së përgjithshme”, shpjegon Z. Milikic. 

Janë bërë po ashtu përmirësime për të forcuar kërkesat e auditimit dhe për të qartësuar përgjegjshmërinë e raportimit financiar. Të gjitha këto masa janë në përputhje me kërkesat e BE-së dhe me praktikat e mira ndërkombëtare. 

Rrugëtimi i reformave vazhdon për Serbinë. Tani vëmendja është përqenduar tek zbatimi efektiv i kontabilitetit të modernizuar dhe i kuadrit të auditimit si dhe tek zhvillimi i cilësisë së profesionit të kontabilitetit. “Ne presim me padurim të punojmë ngushtë me CFRR-në gjatë muajve dhe viteve në vijim për të zbatuar reformat që kemi nisur dhe për të realizuar aktivitetet e planifikuara,” thotë Z. Milikic. 

Ky element i rëndësishëm në reformën e raportimit financiar po reflektohet në mënyra të ndryshme në vendet e Evropës dhe të Azisë Qendore, duke theksuar posaçërisht krijimin e kushteve më të mira për sektorin e SME-ve. 

Shqipëria është një shembull. Shkëlqim Cani, Ministri i Financave i Shqipërisë thekson se “SME-të janë motorri kryesor i ekonomisë shqiptare dhe se duhet të shmangim vendosjen e barrave të panevojshme dhe të kushtueshme administrative mbi to. Kërkesat e raportimit financiar duhet ta reflektojnë këtë qasje dhe të jenë në përputhje me natyrën dhe me karakteristikat e ekonomisë tonë.”  

Standardet kombëtare të kontabilitetit janë posaçërisht të rëndësishme për SME-të. Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit i Shqipërisë, me mbështetjen e CFRR-së, i ka mbikëqyrur palët që përgatisin pasqyra financiare në vend për të përcaktuar mënyrat sesi mund të përmirësohen këto pasqyra. Përgjigjja ishte e qartë: standardet duhet të jenë më të thjeshta dhe më të qarta.  

“Si rezultat i kësaj,” shprehet z. Cani, “Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit ka zhvilluar një grup të ri të standardeve të kontabilitetit për SME-të dhe është përqëndruar në thjeshtësimin e mëtejshëm të kërkesave të raportimit për ndërmarrjet e vogla dhe mikro, ndërsa përpiqet të prezantojë standarde dhe praktika të mira të BE-së dhe të tjera ndërkombëtare.”

Në Shqipëri, një projekt i përfunduar kohët e fundit, Projekti për Rritjen e Raportimit Financiar të Korporatave, ka ndihmuar në zhvillimin e një mjedisi transparent të politikave dhe një kuadër efektiv institucional për raportimin financiar të korporatave. Projekti i realizuar nga autoritetet shqiptare në bashkëpunim me CFRR-në, ka mbështetur përmirësimet në kuadrin ligjor, forcimin e sistemit të kontrollit të auditimit, zhvillimin e mëtejshëm të arsimimit lidhur me kontabilitetin dhe auditimin dhe përmirësimit të ambientit të standardeve të kontabilitetit.

Histori të ngjashme do të nënvizohen po ashtu në Vjenë më 3 qershor, ndërkohë që z. Cani, z. Milikic dhe zyrtarë të tjerë të nivelit të lartë do të mblidhen për të diskutuar cështje të përbashkëta në Konferencën Ministeriale të CFRR-së. Shtetet e përfaqësuara në Konferencë janë të gjitha në faza shumë të ndryshme në përpjekjet e tyre për reforma, por mundësia për të ndarë eksperienca dhe për t’u angazhuar bashkërisht në procesin e reformave do të sjellë përfitime për SME-të në të gjithë rajonin e Evropës dhe të Azisë Qendore.




Api
Api