Përmirësimi i cilësisë dhe forcimi i qeverisjes në sistemin arsimor shqiptar

10 prill 2014



Që prej vitit 2006, me ekspertizë dhe financim të përbashkët nga Shoqata për Zhvillimin Ndërkombëtar (IDA) dhe dy banka të tjera, Shqipëria ka përmirësuar cilësinë e kushteve të mësimit në klasë për më shumë se 560, 000 nxënës të shkollave nëntëvjeçare dhe të mesme, ka ndihmuar që të rritet numri i regjistrimeve në shkollat e mesme të përgjithshme në më shumë se 90% dhe ka realizuar reforma në universitetet në gjithë vendin.

Sfida

Rezultatet arsimore dhe performanca e sektorit arsimor janë pranuar se janë një faktor vendimtar për konkurrencën e ardhme të Shqipërisë dhe për rritjen ekonomike. Gjithsesi, në vitin 2005 rezultatet arsimore ishin të dobëta. Arsimi me mesatarisht 8.6 vite shkollim ishte më i dobët se në vendet fqinje dhe të paktën gjashtë vjet më pak se sa mesatarja e Bashkimit Europian (BE). Gjithashtu, regjistrimet për në shkollat e mesme ishin të ulëta me një mesatare prej 50% dhe në zonat rurale 25%. Migracioni nga zonat rurale malore në zonat urbane solli mbipopullim dhe shumë shkolla ishin të detyruara të punonin me dy apo edhe me tre turne. Në këto kushte rezultatet mësimore ndikoheshin negativisht dhe përkeqësoheshin akoma më të tej nga infrastruktura e keqe dhe nga mungesa e materialeve pedagogjike.


Image









Zgjidhja

Projekti për Cilësi e Barazi në Arsim, projekti i parë i këtij lloji në Shqipëri, mbështeti zbatimin e programeve reformuese të mbarë sektorit duke përdorur qasjen e financimit të përbashkët. Banka Botërore kombinoi burimet dhe ekspertizën e saj me ato të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës (CEB), Bankës Europiane të Investimit (EIB) dhe të Qeverisë  së Shqipërisë, për të trajtuar katër prioritete kyçe të përcaktuara në Strategjinë Kombëtare për Arsimin: kapacitetet menaxhuese dhe qeverisjen, kushtet e mësimdhënies/nxënies, strukturat arsimore dhe reformat e arsimit të lartë. Kjo qasje inovative dhe me vlerë në planin strategjik, ofroi fleksibilitet për ndërhyrjet e projektit sipas kushteve në ndryshim të vendit si p.sh. mbipopullimi në shkollat urbane për shkak të migracionit të shpejtë si dhe lehtësoi koordinimin dhe solli sinergji ndërmjet të tre donatorëve. Proçedurat e zbatimit të Projektit për Cilësi e Barazi në Arsim u riorganizuan nën menaxhimin e Bankës Botërore gjë që minimizoi ngarkesën e Qeverisë për të zbatuar rregullat e donatorëve.


" Kushtet e infrastrukturës së re kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë në shkollë tonë. Mësuesit trajnoheshin edhe më pare, por në mungesë të kushteve më të mira, nuk mund të bëhej shumë. Përveçse është arritur regjistrim i plotë, nxënës nga zonat pranë dëshirojnë të regjistrohen në këtë shkollë thjesht për shkak të mjediseve të reja. Nuk mund të marrim nxënës të rinj pasi kjo shkollë është plot. "

Luljeta Prençi

drejtore, Shkolla e Mesme “Ibrahim Rugova”, Tiranë

Image









Rezultate

Me financim të IDA-s Projekti për Cilësi e Barazi në Arsim solli disa rezultate kyçe për sektorin e arsimit:

  • Kurrikula të përmirësuara në arsimin nëntëvjeçar dhe të mesëm përmes prezantimit të kurrikulave të reja që fokusohen tek nxënësi, nga të cilat përfituan 560 000 nxënës në të gjithë vendin. Sipas Qendrës Shqiptare për Studime Ekonomike ndërmjet viteve 2007-2011 kënaqësia e mësueve në lidhje me domethënien e kurrikulave u rrit nga 50 në 75 përqind. Së bashku me zhvillimin e kuadrit të kurrikulave dhe të standardeve të të mësuarit,  Projekti për Cilësi e Barazi në Arsim ka mbështetur edhe trajnimin e më shumë se 12 500 mësuesve.
  • Rritje e cilësisë së kushteve fizike të klasave përmes investimeve në infrastrukturë dhe pajisje. Projekti për Cilësi e Barazi në Arsim mbështeti ndërtimin dhe rehabilitimin e 607 klasave dhe laboratoreve si dhe dhënien  24 000 kompjuterëve dhe lidhje interneti për shkollat. Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, raporti nxënës/kompjuter u bë nga 46 në 14 (zona urbane) dhe nga 133 në 13 (zona rurale).
  • Përmirësimi i qeverisjes institucionale në arsimin e lartë përmes asistencës teknike për të zhvilluar dhe zbatuar Strategjinë për Arsimin e Lartë 2013-2020, reformat kyçe të financimit dhe standardet për institucionet e arsimit të lartë që u përdorën për të shpallur Nismën e Programit të Renditjes së Shkollave të Mesme. Të gjitha universitetet në Shqipëri kanë plane strategjike dhe borde të jashtme qeverisëse.

Kontributi i Grupit të Bankës

Banka Botërore dha 15 milionë USD fonde të IDA-s ose 20 përqind të vlerës totale të projektit prej 75 milionë USD. Financimi i përbashkët i lejoi Bankës që të përdorte fondet e veta për të arritur rezultate domethënëse. Banka gjithashtu mbikqyri aspektet administrative dhe kontrollit financiar të projektit në emër të bashkë-financuesve të tjerë. Për veprimtaritë e ndërtimit u shpenzuan përreth 50 përqind të fondeve të projektit ndërsa për pajisjet e mësimdhënies/nxënies u shpenzuan 30 përqind e fondeve. 20 përqindëshi i fundit mbështeti asistencën teknike për rishikimin e kurrikulave, reformën për qeverisjen e arsimit të lartë, zhvillimin e sistemit të menaxhimit të informacionit arsimor (EMIS) si dhe për veprimtari të tjera.

Partnerët

Projekti për Cilësi e Barazi në Arsim u hartua për të mbështetur sistemet e vendit dhe për të lehtësuar bashkëpunimin dhe koordinimin midis partnerëve. Banka Botërore, CEB dhe EIB dhanë secila nga 15 milionë USD për projektin dhe të tre bashkë-financuesit morën pjesë në analizat gjashtë-mujore të organizuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Këto analiza u dhanë mundësi Qeverisë dhe partnerëve donatorë që të shikonin progresin e bërë në krahasim me planet vjetore për veprimtaritë e projektit si dhe për të miratuar planin e vitit pasardhës bazuar në përputhjen me objektivat e projektit, efektivitetin e kostos dhe me qëndrueshmërinë.


Image









Progresi i mëtejshëm

Qeveria e Shqipërisë ka shprehur interes në një projekt tjetër në vijim të këtij projekti. Natyra e këtij projekti të ri nuk është përcaktuar ende, por ai do të bazohet tek prioritetet e Qeverisë së re për vitet 2013-2017 dhe në mësimet e nxjerra nga zbatimi i Projektit për Cilësi e Barazi në Arsim. Banka Botërore po përgatit një sërë produktesh analitike në sektorin e arsimit dhe në maj 2014 do të koordinojë një forum konsultimi për palët e interesuara për projektin e ri. Përveç mësimeve të nxjerra nga Projekti për Cilësi e Barazi në Arsim edhe puna analitike do të ndihmojë që të renditen investimet me efikasitet kostoje në sipas prioriteve në sektor.


Image
560,000
nxënës të shkollave nëntëvjeçare dhe të mesme në Shqipëri kanë përfituar nga kushtet e përmirësuara të mësimit në klasa
Burim »


HARTA E PROJEKTIT



Welcome