Skip to Main Navigation
Fjalime dhe tekstet e fjalimeve 17 nëntor 2017

Fjala hyrëse e Linda Van Gelder Drejtoreshë Rajonale e Bankës Botërore, Ballkani Perëndimor

Shkëlqesi, ambasadorë dhe mysafirë të nderuar,

Kam kënaqësinë t’ju uroj mirëseardhje të gjithëve në lansimin zyrtar të Kornizës së re të Partneritetit me Vendin që Grupi i Bankës Botërore e ka zhvilluar për Kosovën.

Korniza e re e Partneritetit është një moment tjetër i rëndësishëm në partneritetin tonë të gjatë me Kosovën. Kanë kaluar gati 18 vjet që kur Banka Botërore e hapi zyrën e saj në Prishtinë në vitin 1999. Vendi dhe partneriteti ynë kanë bërë një rrugë të gjatë. Kosova u bë anëtare zyrtare e Grupit të Bankës Botërore në qershor 2009 dhe deri më sot Banka Botërore ka ofruar rreth 450 milionë dollarë në formë të granteve dhe kredive. Mund të krenohemi me disa gjëra që kemi arritur deri më tani së bashku me Qeverinë, si dhe me disa nga partnerët dhe donatorët e tjerë që janë këtu sot me ne. Vetëm t'ju jap një shembull: mbi 1400 vende të reja të punës për të rinjtë u krijuan përmes granteve për ndërmarrësi dhe aftësim profesional gjatë periudhës 2012-2016. Korniza e re do të vazhdojë të mbështesë rritjen e mundësive të punësimit të të rinjve dhe grave. Duke shikuar ekspozitën do të shihni shembuj të tjerë të rezultateve të arritura.

Po ashtu jam e lumtur të shoh disa nga lajmet e mira të kohëve të fundit që kemi marrë nga Kosova, të cilat janë dëshmi për progresin e vazhdueshëm që po ndodh në vend. Në Raportin e të Bërit Biznes që u publikua vetëm pak ditë më parë, Kosova ishte ngjitur në pozitën e 40-të nga 190 ekonomi në lehtësinë e të bërit biznes. Mos harroni se Kosova ishte renditur e 117-ta vetëm pesë vjet më parë, në vitin 2012. Ky ndryshim erdhi si rezultat i përmirësimeve të bëra në regjistrimin e biznesit dhe sistemet kadastrale dhe të regjistrimit të tokës. Edhe sistemi financiar i Kosovës është përmirësuar dhe ka treguar një stabilitet më të madh financiar.

Ne po ashtu presim që ekonomia të vazhdojë të rritet vitin e ardhshëm mbi mesataren rajonale, në të cilën rritje eksportet dhe shërbimet do të luajnë një rol të rëndësishëm. Raporti i Rregullt Ekonomik i Ballkanit Perëndimor do të publikohet nesër në zyrat e Bankës Botërore, për ata që mund të jenë të interesuar për detajet.

Por më lejoni t’i kthehem Kornizës sonë të Partneritetit me Vendin për një moment dhe t'ju jap një pasqyrë shumë të shkurtër të asaj që do të përpiqemi ta arrijmë. Qëllimi strategjik është të ndihmojmë Kosovën tu ofrojë qytetarëve të saj mundësi më të mëdha për një jetë më të mirë. Ne duam të krijojmë kushte për një rritje ekonomike më të qëndrueshme, të orientuar kah eksporti dhe gjithëpërfshirëse. Rritja ekonomike ka qenë e fuqishme në vitet pas 2008 - mbi mesataret e Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, vendi ende nuk ka zgjeruar në mënyrë të konsiderueshme mundësitë e punësimit për qytetarët e saj. Kosova po ashtu rrezikon të humbasë mundësitë e përparësisë demografike që ia ofron numri i madh i të rinjve, të cilët mund të rrezikojnë të mbeten të papunë për një kohë të gjatë ose joaktivë në tregun e punës. 

Strategjia mbështet agjendën e zhvillimit të Kosovës duke u fokusuar në tri fusha: përshpejtimin e rritjes së sektorit privat dhe krijimin e vendeve të punës, përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike dhe promovimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji.

Gjatë periudhës së zbatimit të strategjisë (2017-2021) Grupi i Bankës Botërore planifikon të sigurojë rreth 250 milion dollarë në financim për vendin. Kosova akoma ka të drejtë për financim nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim e Grupit të Bankës Botërore, e cila ofron kredi në kushte koncesionare, me shkallë shumë të ulët të interesit dhe periudha të gjata të kthimit.

Sot, jemi përpjekur të paraqesim KPV-në në një mënyrë më vizuale për të kremtuar me të gjithë ju lansimin e strategjisë së re; dhe për këtë qëllim ju ftoj të shikoni ekspozitën me fotografi që kemi këtu. Për ata prej jush që ende duan të lexojnë dokumentin e plotë, ne gjithashtu kemi disa kopje të shtypura dhe mund t’i merrni me vete.

Natyrisht, të gjithë e dinë se planifikimi është shumë më i lehtë sesa zbatimi. Dhe ne nuk duhet të kënaqemi me të arriturat në të kaluarën. Prandaj, i bëj thirrje partneritetit tonë të fuqishëm që të zbatojë Strategjinë tonë në mbështetje të përpjekjeve të Qeverisë për t'u dhënë qytetarëve të këtij vendi mundësi më të mëdha për të ardhmen. Për këtë qëllim, unë llogaris edhe në të gjithë partnerët tonë dhe donatorët që janë këtu me ne sot se do të bashkojmë përpjekjet dhe forcat.

Faleminderit të gjithëve që keni ardhur sot për të kremtuar me ne këtë zhvillim të ri në partneritetin tonë të fuqishëm me Kosovën. Unë pres me padurim që të punojmë bashkë me të gjithë ju.

Ju lutemi të shijoni mbrëmjen me ekspozitë, pak muzikë, pije dhe në shoqërinë më të mirë. 

Api
Api