Fjalime dhe tekstet e fjalimeve

Fjala e Tahseen Sayed në Konferencën për reformat e programit të asistencës sociale

30 shtator 2016


Tahseen Sayed Albania Social Assistance Reform Conference Tirana, Shqipëria

Siç përgatitet për t’u mbajtur

Image

Ndjej kënaqësi të madhe që jam pjesë e këtij aktivitet të veçantë për reformat që po zbatohen për programin e ndihmës sociale, aktivitet ku marrin pjesë përfaqësuesit më të lartë të Ministrisë së Mirëqenies sociale dhe rinisë, kryetarë të bashkive, punonjës të zyrave lokale e qëndrore, si dhe administrator lokalë.  Këto reforma synojnë shënjestrimin më të mirë të varfërisë, ndërkohë që përmirësojnë barazinë dhe efikasitetin e sistemit.

Banka Botërore e konsideron këtë si një reformë themelore për mbështetjen e segmenteve më të varfra dhe në nevojë të popullsisë shqiptare. Objektivi i fokusuar tek varfëria i reformave të ndihmës sociale është në një linjë me qëllimet e ngjashme të Bankës, të cilat kërkojnë të reduktojnë varfërinë dhe të promovojnë prosperitetin.

Një sistem efektiv i ndihmës ekonomike është një instrument integral në luftën kundër varfërisë  pasi ai siguron ndihmë të rregullt për popullsinë e varfër dhe në nevojë. Përvoja jonë botërore ka treguar që ndërkohë që shumica e vendeve i kanë programe të tilla, me kalimin e kohës, ato kërkojnë reforma për përmirësimin e sistemit për të targetuar dhe adresuar çështje të reja, të cilat mund të minojnë objektivat që lidhen me programet e varfërisë. Këto çështje kanë të bëjnë me efikasitetin, transparencën dhe barazinë që ofrojnë këto programe. Nganjëherë, shumë nga personat më të varfër dhe më në nevojë mund të ngelen jashtë programeve. Prandaj, është e nevojshme që me kalimin e kohës sistemi të reformohet.


Image

Bazuar në të dhëna dhe në analiza, ishte e qartë që për Ndihmën Ekonomike (NE) në Shqipëri nevojitej kryerja e një reforme për të krijuar mundësinë që nga kjo ndihmë të mund të përfitojë popullsia të cilës realisht i takon të përfitojë. Kjo kërkonte fokusimin në dy drejtime: modernizimin dhe administrimin e NE dhe rinovimin e kritereve të pranueshmërisë për të siguruar që transfertat shkojnë  tek personat realisht të varfër dhe në nevojë. Qeveria i filloi reformat e saj duke u bazuar në përvojën ndërkombëtare. Në partneritet të fuqishëm teknik me Bankën Botërore, zbatimi filloi me një pilot në tre rajone. Ndihma jonë përfshiu ofrimin e mbështetjes teknike për krijimin e një formule të besueshme dhe transparente që shënjestronte varfërinë. Duke e bërë një gjë të tillë, ne u sollëm këtu përvojat nga pjesët e tjera të botës.

Zbatimi i pilotit të reformave të Ndihmës Ekonomike  u krye me sukses në tre zona pilot (në Durrës, Elbasan dhe Tiranë). Një element kyç ishte futja në përdorim e Formulës së Unifikuar të Pikëzimit për të përcaktuar të drejtën për marrjen e Ndihmës Ekonomike duke shënjestruar më mirë të varfërit - disa prej të cilëve më parë kanë qenë të përjashtuar.

Formula pikëzuese u përgatit me mbështetjen e ekspertëve teknikë. Ajo u bazua në një metodë objektive dhe efektive shënjestruese e përdorur edhe në shumë vende të ndryshme (si për shembull në Gjeorgji, Meksikë dhe Pakistan). Kjo formulë kërkon të identifikojë më mirë familjet më të varfëra veçanërisht në kushtet kur është e vështirë matja dhe verifikimi i të ardhurave.

Ajo përfshin pesha dhe variabla objektive të cilat statistikisht shoqërohen me varfërinë dhe eleminon parregullsitë në përzgjedhje, duke e ruajtur fokusin tek familjet më të varfëra. Asnjë formulë nuk është perfekte dhe nuk ekziston asnjë metodë perfekte për identifikimin e të varfërve në cilindo vend të botës. Megjithatë, ajo përbën një hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes së më të varfërve duke siguruar që transfertat të shkojnë tek përfituesit e synuar. Për më tepër, ne e kuptojmë që  krijimi dhe përdorimi i Sistemit të Menaxhimit të Informacionit në të tre zonat pilot e bëri procesin e aplikimit edhe më të lehtë. Gjithashtu, ai bëri të mundur kontrollimin/marrjen e informacionit në mënyrë automatike nga bazat e tjera qeveritare të të dhënave (si për shembull nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Gjendja Civile).

Në të vërtetë gjatë zbatimit të pilotit janë hasur edhe sfida dhe Ministria ka punuar fort për zgjidhjen e tyre. Piloti ishte një test kritik për të identifikuar dhe adresuar çështjet që lidhen me projektimin e pilotit dhe për të mënjanuar ngërçet/problemet. Shtrirja e planifikuar e kësaj skeme në mbarë vendin bazohet në mësimet e nxjerra nga piloti. Ne duhet ta pranojmë që gjatë procesit të shtrirjes në rang kombëtar do të hasim edhe sfida. Ne tanimë e dimë një gjë të tillë nisur edhe nga eksperienca në vendet e tjera. Megjithatë, për Qeverinë në nivelet qëndrore dhe vendore do të jetë e rëndësishme kryerja e monitorimit nga afër gjatë zbatimit dhe ruajtja e ndërveprimit të rregullt me përfituesit për të trajtuar shqetësimet apo problemet që dalin.

Në mbyllje, unë do të dëshiroja të theksoja që zbatimi i suksesshëm në mbarë vendin kërkon bashkëpunim të fuqishëm midis pushtetit qëndror dhe atij vendor, një fushatë të qartë informative dhe ndërgjegjësuese si edhe mbërritje deri te përfituesit.

Ne jemi të përkushtuar për të ruajtur angazhimin tonë të fuqishëm gjatë zbatimit. Ne presim me padurim zbatimin efektiv dhe efikas të procesit kombëtar të shtrirjes së programit në mënyrë që personat realisht të varfër dhe në nevojë të mund të përfitojnë nga programi i ndihmës sociale.

Api
Api

Welcome