I nderuar Kryeministër, Ministre Gjermeni dhe Ministre Harito, të Nderuar Pjesëmarrës nga Rajoni dhe Partnerë për Zhvillim,
Dëshiroj t’ju falenderoj për ftesën për në këtë konferencë të rëndësishme ndërkombëtare. M’u duk që titulli “E-Lejet/Lejet elektronike për një rajon konkurrues” është shumë i përshtatshëm për këtë aktivitet. Zhvillimi i konkurrencës si në nivel vendi, ashtu edhe në nivel rajonal është thelbësor për rritjen ekonomike dhe për krijimin e vendeve të punës. Në të njëjtën kohë, përmirësimi i klimës së investimeve dhe të biznesit është thelbësor për të zhvilluar konkurrencën. Në këtë kuadër, reformat në fushën e lejeve të ndërtimit, tema e veprimtarisë së sotme, përbën një kontribut të rëndësishëm drejt reduktimit të pengesave për të bërë biznes dhe për të rritur si investimet vendase ashtu edhe ato të huaja brenda vendeve dhe në rajon.
Në rast se bëhet më e lehtë që të bëhet biznes në secilin prej vendeve tuaja, kjo do ta rrisë konkurrencën e ekonomive tuaja duke kontribuar kështu drejt rritjes ekonomike. Raporti Ekonomik për Europën Juglindore, i publikuar së fundmi nga Banka Botërore, tregon se vendet e Europës Juglindore vlerësohet që të jenë rritur mesatarisht me 2.1 përqind në vitin 2015 që përbën një përmirësim shumë inkurajues krahasuar me 0.3 përqind rritje të vitit 2014, kur rajoni u përball me përmbytje shkatërrimtare. Një kontribues kyç për rritjen ka qenë gjallërimi i investimeve, veçanërisht i investimeve private qofshin këto të huaja ashtu edhe vendase. Edhe eksportet kanë kontribuar drejt përmirësimit të rritjes. Ndërsa konsumi vendas mbetet ende një forcë e rëndësishme shtytëse për ekonominë në rajon, lëvizja drejt investimeve private dhe eksporteve është një nga shenjat e hershme të progresit për një ri-balancim gradual të burimeve të rritjes.
Raporti thekson nevojën për të ndjekur një axhendë afatgjatë reformash të përqendruar në pesë shtylla të cilat janë si më poshtë: eliminimi i faktorëve dekurajues dhe i pengesave për punësimin formal, përmirësimi i klimës së biznesit dhe i qeverisjes, zvogëlimi i qeverisë ndërkohë që përmirësohet cilësia e ofrimit të shërbimeve për qytetarët, thellimi i integrimit tregtar dhe financiar dhe sigurimi i përdorimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore. Sikurse e vini re, dy shtyllat kyçe janë përmirësimi i klimës së biznesit dhe thellimi i integrimit tregtar dhe financiar.
Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor duhet të çojnë më tej këtë rritje inkurajuese në vitin 2015 dhe të përshpejtojnë motorrët e eksporteve pasi asnjë vend i vogël (me më pak se 10 milionë banorë) nuk ka arritur ndonjëherë të ardhura të larta duke pasur më pak se 50 përqind të PBB-së prej eksporteve. Pengesat për tregtinë duhet të thjeshtëzohen pasi një vonesë një ditore redukton vlerën e eksportit të shumicës së mallrave me 1 përqind, ndërsa për prodhimet bujqësore kjo shkon në 7 përqind.
Lehtësimi i të bërit biznes, në secilin prej vendeve tuaja, do të rrisë konkurrencën e ekonomive tuaja – një nxitës kyç për rritjen ekonomike dhe për krijimin e vendeve të punës. Zvogëlimi i barrave administrative për bizneset dhe heqja e barrierave për tregtinë, si dhe investimet rajonale, ofrojnë mundësinë për ekonomitë e shkallës, biznese të diversifikuara në planin gjeografik dhe një alokim më të mirë të burimeve në përgjithësi brenda tregjeve rajonale.
Reduktimi i pengesave ndaj investimeve përfshin reforma në fushën e lejeve të ndërtimit. Dëshiroj të përgëzoj Ministren Gjermeni për punën e saj, për të drejtuar dhe zbatuar me sukses reformën e lejeve të ndërtimit në Shqipëri. Nën udhëheqjen e saj, ekipi në Ministrinë e Zhvillimit Urban ka punuar shumë dhe ka arritur rezultate në një gamë të gjerë fushash prioritare duke përfshirë përparimin në lidhje me reformën për lejet e ndërtimit. Grupi i Bankës Botërore ka kënaqësi që ka qenë partner në këtë fushë dhe mbetemi të angazhuar për të dhënë asistencë të mëtejshme. Në sajë të këtyre përpjekjeve Shqipëria ka bërë shumë përparime që nga viti i kaluar kur bashkitë nuk po jepnin leje ndërtimi. Sot, bashkitë kanë rifilluar të japin leje ndërtimi dhe shumë prej tyre tani mund t’i përpunojnë aplikimet përmes platformës elektronike. Kjo praktikë moderne dhe efikase, jo vetëm që do të reduktojë kohën dhe koston e shpenzuar nga sektori privat, por edhe do të përmirësojë transparencën dhe do të zvogëlojë mundësitë për korrupsion.
Nga kërkime të bazuara në prova e dimë se rregulloret më të thjeshta lidhen me qeverisje më të mirë dhe me institucione më të mira. Për shembull, të gjitha 29 ekonomitë e OECD-së që janë në 50 vendet më të mira për lehtësinë e të bërit biznes, arrijnë kuartilet e majës në nivel global përsa i përket masave për procese rregullatore efikase dhe institucione të forta ligjore. Përvoja në reformën rregullatore tregon një ndikim pozitiv për rritjen e punësimin. Prezantimi i One-Stop Shops për regjistrimin e kompanive në Meksikë solli një rritje prej 6 % në numrin e firmave të reja dhe një rritje prej 2.6 përqind në punësim. Në vijim të një projekti për titujt e pronësive të tokës në Tailandë, vlerat e pronave u rritën me 75-197 përqind pas regjistrimit të tyre.
Ka ende punë për t’u bërë në Shqipëri dhe në disa vende të tjera të rajonit për të tërhequr investimet, për të përmirësuar rritjen dhe për të rritur konkurrencën. Lehtësimi i marrjes së lejeve të ndërtimit sigurisht që është një hap përpara, por kjo nuk mjafton në Shqipëri, bizneset dhe investitorët lokalë përballen me vështirësi si kohë dhe kosto e madhe për t’u lidhur me rrjetin elektrik dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet tregtare në gjykata. Kuadri i politikave të investimeve nevojitet që të forcohet dhe të harmonizohet me praktikat e mira ndërkombëtare, të cilat mund të ndihmojnë që të nxitet zhvillimi i biznesit lokal dhe të ruhen investimet e huaja.
Veprimtaria e sotme vë theksin tek bashkëpunimi më i madh rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Fuqia e integrimit ekonomik ka funksionuar në gjithë botën dhe ka potencial të madh edhe për ekonomitë e Europës Juglindore për arritjen e një shkalle më të madhe të integrimit të tregut, për të reduktuar varfërinë dhe për të rritur mirëqënien e përbashkët. Singapori e ka rritur PBB-në për frymë nga nën 500 dollarë në vitin 1960, në më shumë se 55 mijë dollarë sot. Kur Singapori filloi, kishte pothuajse të njëjtën madhësi me Shqipërinë me një popullsi prej 3 milionë banorësh. Sekreti i suksesit të Singaporit ishte integrimi i tregtisë. Sot eksportet përbëjnë 200 përqind të PBB-së. Në punën tuaj për të arritur potencialin e plotë ekonomik të vendeve tuaja është e rëndësishme që të punoni në harmoni dhe të vazhdoni të shkëmbeni praktikat më të mira rajonale dhe të mësoni nga përvojat.
Shpresoj të keni diskutime shumë të frytshme gjatë kësaj dite.