Fjalime dhe tekstet e fjalimeve

Seminar për Partneritetin Publik-Privat (PPP): Fjala e hapjes nga Tahseen Sayed, Përfaqësuese e Përhershme e Bankës Botërore për Shqipërinë

10 shkurt 2015


Tahseen Sayed Seminar për Partneritetin Publik - Privat Shqipëria

Siç përgatitet për t’u mbajtur

I nderuar Ministër Ahmetaj, të nderuar pjesëmarrës, zonja dhe zotërinj,

Jam e lumtur që jam këtu në këtë aktivitet të përbashkët të Qeverisë dhe Grupit të Bankës Botërore mbi Partneritetin Publik–Privat. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për të shkëmbyer ide dhe peshuar me kujdes përbërësit e nevojshëm për partneritet të suksesshëm publik - privat.

Përpara se të them dy fjalë për Partneritetin Publik – Privat, më lejoni të ndaj me ju drejtimet e ardhshme kryesore të Strategjisë së Grupit të Bankës Botërore, e cila do të udhëheqë punën tonë në Shqipëri gjatë 4-5 viteve të ardhshme. Siç e dinë shumë prej jush, ne ndërmorëm një Analize Sistematike për Shqipërinë (ASSh), e cila trajton çështjen se si mund të përshpejtohet rritja e barabartë në mënyrë të qëndrueshme, duke arritur progres në reduktimin e varfërisë dhe rritur mirëqënien e përbashkët. Kjo analizë identifikoi prioritetet kryesore për një rritje të qëndrueshme dhe të barabartë ekonomike.

Një nga pesë prioritetet kryesore që identifikoi kjo analizë është krijimi i një mjedisi cilësor biznesi. Analiza Sistematike për Shqipërinë tregon në mënyrë empirike mungesa serioze në mjedisin e biznesit krahasuar me standartet botërore. Megjithë progresin e dukshëm të bërë së fundmi – dhe që e dëshmon dukshëm raportit “Të bësh biznes”, kufizimet kryesore përfshijnë: një barrë të rëndë rregullatore, kuadër ligjor të papërshtatshëm për investimet private (përfshirë Investimet e Huaja Direkte ), informalitet të lartë, çështje të së drejtës mbi pronën, logjistikë të dobët për tregtinë dhe lehtësimin e saj dhe qeverisje të papërshtatshme korporatash. Për shkak të rolit dhe kontributit kryesor të sektorit privat qendror në rritjen ekonomike dhe prioritetit kryesor që i ka dhënë qeveria, Grupi i Bankës Botërore do të angazhohet më shumë në këtë fushë dhe strategjia jonë e re do të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë per krijimin e kushteve të duhura për rritjen ekonomike të përshpejtuar nga sektori privat.  Kjo do të jetë një nga tri shtyllat e Kuadrit tonë të Partneritetit me Shqipërinë.


Image

Angazhimi i Grupit të Bankës Botërore reflekton jo vetëm avantazhin tonë konkurrues botëror në këtë fushë (më i dukshëm përmes raportit tonë “Të bësh biznes”), por edhe angazhimin tonë të suksesshëm në vendet fqinje në Ballkan. Angazhimi ynë mbështetet në një marrëdhënie komplementare mes Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD-së) dhe Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC-se), si dhe angazhimin aktual për shërbime këshillimi të IFC-së. Ai sjell ekspertizën e Grupit të Bankës Botërore në mbështetje të qeverisë për të ndërmarrë reforma ligjore dhe rregullatore, të cilat synojnë përmirësimin e klimës së biznesit dhe investimeve. Ne jemi të kënaqur që Ministria për Zhvillim Ekonomik ka një rol udhëheqës në këtë çështje ndërsektoriale.  Ne e shohim atë si një kampion dhe pikë qëndrore për të thelluar reformat në këtë fushë. 

Ne do ta mbështesim qeverinë në përshpejtimin e rritjes ekonomike nga sektori privat përmes punës këshillimore dhe teknike, si dhe këshillimit mbi politikat, siç po bëhet edhe përmes këtij seminari dhe përmes financimit të Bankës Botërore për të mbështetur Shqipërinë në fusha si konkurrueshmëria dhe krijimi i vendeve të punës dhe zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit. Ne do të punojmë gjithashtu me qeverinë për reformat ligjore dhe rregullatore për të trajtuar kufizimet kryesore për rritjen e sektorit privat. Në të njëtjën kohë ne synojmë të rrisim angazhimin e IBRD-së në trajtimin e kufizimeve në infrastrukturë – kryesisht në sektorët e energjisë dhe transportit.

Aktiviteti i sotëm për Partneritetin Publik – Privat duhet të shihet pra, në kontekstin më të gjerë të këtij angazhimi të Grupit të Bankës Botërore.

Parneriteti Publik – Privat ofron një mundësi për sektorin privat për t’u angazhuar në fusha të cilat janë parë si fusha tradicionalisht publike. Këto fusha mund të përfitojnë nga aftësia e sektorit privat për të qenë novator, fakt që do të çojë në rritje të eficiencës dhe në ofrimin e një përfitim maksimal kundrejt investimit. Ky partneritet ëshë përdorur në mënyrë të suksesshme në një sërë vendesh të OECD-së dhe Europës Qendrore dhe Lindore. Megjithëse historia e çdo vendi është unike, ka disa mësime nga ajo që mund të nxirren për Shqipërinë, për të hartuar parimet e një Partneriteti Publik – Privat të mirëmenduar:

Shqipëria është një vend me një potencial të jashtëzakonshëm ekonomik, për shkak të demografisë, pozicionit gjeografik dhe burimeve të saj natyrore. Partneriteti Publik – Privat mund të shërbejë si një instrument efektiv për të sjellë investimet e sektorit privat dhe për të përdorur eficiencën e sektorit publik për të arritur rezultate më të mira. Shihet shpesh se përfitojnë së bashku, si sektori publik, ashtu edhe ai privat – arsyeja është se të dy sektorët ndajnë cilësi specifike dhe nëse këto cilësi kombinohen, ato çojnë në rezultate më të mira. Ndarja e riskut duhet pasur parasysh në kombinimin e këtyre cilësive.  Për riskun, bëhen parashikime në kontratë në mënyrë të saktë, për të tërhequr financimin e sektorit privat.

Ky proces kërkon:

(i) Aftësinë për të riorganizuar sektorët për të shmangur këto risqe – vetëm ky në vetëvete është një proces i komplikuar, i cili kërkon ekspertizë të specializuar, të cilën sektori publik tipikisht duhet ta ndërtojë;

(ii) Kohë e mjaftueshme për ta ndërtuar kete partneritet: një mësim kryesor që vjen nga eksperienca botërore është se një Partneritet Publik – Privat i përgatitur keq shumë rrallë arrin sukses (sepse nuk tërheq interesin e sektorit privat) ndaj kërkohet pak durim, sepse përgatitja e këtij partneriteti kërkon kohën e vet - me një llogaritje të thjeshtë, dy a më shumë vjet (që nga konceptimi deri në ndërtim);

(iii) Një mjedis të përshtatshëm nga pikëpamja ligjore (siç janë ligjet për partneritetin publik – privat / institucionet për të), një klimë e përgjithshme tërheqëse për investitorët, aftësi për të tërhequr investime afatgjata dhe aftësinë që sektorët specifikë të organizohen në mënyrë të tillë që të mundësojnë investimin;

(iv) Fokus të mirëmenduar në sektorë të ndryshëm – shumica e Partneriteteve Publik – Privat ndodhin në sektorët e infrastrukturës (siç janë energjia, transporti, uji dhe kanalizimet, telekomi) dhe më pak në ata që quhen përgjithësisht sektorët e butë (siç është shëndetësia).

(v) Tërheqja e investitorëve ka të ngjarë të kërkojë një qasje të vecantë të portofolit (disa projekte janë më tërheqëse për investitorët). Vendet më të vogla mund të kenë një numër të kufizuar projektesh për të zhvilluar. Shqyrtimi i duhur i projekteve është i rëndësishëm, duke konsideruar qartë se cilat projekte duhet të ndërmerren dhe cilat jo për këtë partneritet.

Në themel të gjithë këtij procesi është nevoja për të mbajtur një menaxhim transparent të procesit të prokurimit.

Së fundmi, do të doja të thoja disa fjalë mbi risqet fiskale. Përzgjedhja e një Partneriteti Publik – Privat duhet mbështetur në një studim kosto – përfitim dhe krahasimit vlerë – kundrejt parasë. Eksperienca ka treguar se qeveria mund vërtet të ketë kosto fiskale më të mëdha me një Partneritet Publik – Privat të hartuar keq, veçanërisht të atyre që lidhen me garancitë për të siguruar financim privat apo rinegocim kontratash. Garancitë janë një element kyç në negocimin e një Partneriteti Publik – Privat. Ato janë të nevojshme për t’i shmangur sektorit privat ato risqe që nuk mund të parashikohen, siç janë risqet nga kursi i këmbimit. Megjithatë, ka raste kur garancitë mund të mos jenë analizuar me të njëjtat detaje siç është një shpenzimi tradicional publik  gjatë një procesi buxheti. Prandaj, qeveria duhet të studiojë me kujdes shkallën e transferimit të riskut për projektet e Partneritetit Publik Privat dhe të jetë e vëmendshme për detyrimet e mundshme të kontigjencës që rrjedhin prej tyre. Në rastin e Shqipërisë transparenca më e madhe financiare dhe publikimi i duhur i detyrimeve të kontigjencës është veçanërisht i rëndësishëm, sepse konsolidimi fiskal është prioriteti kryesor i qeverisë.

Më lejoni t’ju uroj një seminar të suksesshëm, i cili të çojë në rezultate produktive. Dëshiroj të falenderoj ekipet e qeverisë dhe Grupit të Bankës Botërore që kanë punuar kaq shumë për të organizuar këtë event. 


Kontaktet e mediave
In Albania
Ana Gjokutaj
tel : 355-4-4228-4125
AGjokutaj@worldbank.org

Api
Api

Welcome