Fjalime dhe tekstet e fjalimeve

Laura Tuck: Fjala Përshëndetëse me rastin e nënshkrimit të kredive për politikat e zhvillimit dhe modernizimit të sektorit financiar dhe politikat e zhvillimit te financave publike

30 maj 2014


Laura Tuck, Zëvendës Presidente e Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore. Tirana, Këshilli i Ministrave, Shqipëria

Siç përgatitet për t’u mbajtur

I nderuar z. Kryeministër

Të nderuar zotërinj Ministra

Zonja dhe zotërinj!

Përpara krizës financiare globale të vitit 2008, Shqipëria ishte ndër vendet me shkallën më të lartë të rritjes ekonomike në Evropë. Kriza e ngadalësoi shumë rritjen në Shqipëri. Veprimi i menjëhershëm i politikave ndaj krizës globale ishte i dobët, duke e zgjatur periudhën me investime dhe rritje të ulët, duke kthyer pas përparimin e bërë në pakësimin e varfërisë dhe duke ashpërsuar çekuilibrat makroekonomike dhe fiskale duke  e çuar borxhin publik në nivel paralizues.  Këto çekuilibra makroekonomike dhe fiskalë përbëjnë pengesë për rritjen ekonomike të vendit dhe krijimin e vendeve të punës. Kështu që ato duhet të adresohen, për të rikthyer rritjen dhe nxitur punësimin me afat të gjatë.

Kam kënaqësinë që jam sot këtu për t’u përgëzuar për seriozitetin me të cilin ju dhe ekipi juaj, i nderuar Kryeministër, po ndiqni këtë rrugë afatmesme të rritjes ekonomike dhe krijimit të vendeve të punës, dhe që po merreni me disa reforma të vështira.. Ceremonia e nënshkrimit sot  - për dy projekte për politika zhvillimi, të cilat do të jenë në themel të reformave financiare dhe fiskale – nënvizon udhëheqjen tuaj të vendosur dhe angazhimin e ekipit tuaj për këtë program afatmesëm dhe partneritetin tuaj të fortë për të realizuar progresin dhe begatinë afatgjatë të Shqipërisë.

Banka Botërore e ka rritur mbështetjen e saj në Shqipëri në përputhje me këto përpjekje për reforma – me angazhime rekorde huadhënieje prej më shumë se 300 milion dollarë amerikanë gjatë këtij viti që shkoi dhe me një shumë të barabartë për vitin tjetër. Dy mbështetjet financiare që nënshkruam sot janë një pjesë e rëndësishme e këtij angazhimi. 

Image

Mbështetja e parë financiare do të ndihmojë  modernizimin e sektorit financiar me qëllim krijimin e një sektori financiar më të zhvilluar, më rezistent dhe më përfshirës. Mbështetja e dytë financiare u miratua dje nga Bordi i Drejtorëve të Bankës Botërore! Kjo mbështetje buxhetore  lidhet me shlyerjen e detyrimeve të prapambetura në sektorin publik dhe forcimin e administrimit të financave publike. 

Gjatë kësaj periudhe, ne kemi punuar ngushtësisht me FMN-në dhe Komisionin Evropian për të dhënë këshilla dhe financim më të madh, në mbështetje të kuadrit makroekonomik dhe fiskal afatmesëm për të rikthyer rritjen. Mandati ynë si Bankë Botërore që është eliminimi i varfërisë dhe nxitja e mirëqënies për të gjithë – e bën rikthimin e rritjes ekonomike dhe krijimin e mundësive për punësim, përparësinë tonë numër një në Shqipëri.     

Tek Shqipëria, shikojmë një vend me potencial të jashtëzakonshëm për rritje ekonomike dhe një popull të vendosur për t’ia dalë mbanë. Vendi ndodhet në skaj të Evropës – blloku më i madh ekonomik i botës – dhe ka ndër kostot më të ulëta të fuqisë punëtore në kontinent. Ju keni një vijë bregdetare të bukur, burime hidro-energjetike dhe pasuri të tjera natyrore. Duke pasur parasysh fuqinë ekonomike të bllokut Evropian, integrimi dhe futja në tregjet Evropiane është një strategji e mençur për t’u ndjekur, pavarësisht nga koha kur vendi do të hyjë eventualisht në BE.

Integrimi më i madh i Shqipërisë do të kërkojë harmonizimin e politikave dhe performancës institucionale të saj me standardet e BE-së. Ky është një vendim ekonomik – jo një vendim politik apo kulturor – për reformimin e politikave dhe institucioneve, me qëllim që ajo të rritet më shpejt dhe të begatohet si komb. 

Stabilizimi makro-fiskal që keni filluar këtë vit duhet të vazhdojë për një periudhë afatmesme. Reformat kyç strukturore do të duhet të ndiqen me vendosmëri, sidomos për sa i takon thellimit të ristrukturimit të sektorit energjetik, krijimit të një klime më tërheqëse për investimet dhe rritjes së cilësisë të ofrimit të shërbimeve publike. Dëshiroj t’ju inkurajoj që të ruani bindjen që keni sot për ta çuar vendin përpara, pavarësisht nga zgjedhjet e vështira që kërkon kjo  gjë.

Gjatë këtyre dy ditëve kam pasur privilegjin të shoh shumë shqiptarë duke punuar fort për të arritur rezultate për bashkëqytetarët e tyre. Dje, vizitova një Zyrë të Asistencës Sociale për të mësuar më shumë rreth përpjekjeve për të forcuar sistemin e mbrojtjes sociale dhe për të krijuar një sistem të qëndrueshëm pensionesh. Sot në mëngjes, isha në Durrës për të diskutuar përpjekjet që po bëhen për të përmirësuar furnizimin me ujë dhe administrimin e decentralizuar të ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve. Pashë gjithashtu një shndërrim mbresëlënës të një “pikë e nxehtë” mjedisore në një hapësirë të sigurt ku mund të luanin fëmijët. Këto që pashë më dhanë besim, por edhe kënaqësi që Banka Botërore ka kontribuar në këto përpjekje.

Këtë vit, Banka Botërore ka nisur një diagnostikim sistematik që do të na ndihmoje  të përcaktojmë më mirë se si mund ta mbështesim Shqipërinë gjatë viteve të ardhshme. 

I nderuar Kryeministër,

Duke qenë se sfida e kryerjes së reformave strukturore dhe institucionale bëhet edhe më e vështirë në të ardhmen, do të doja t’ju siguroja se Grupi i Bankës Botërore, do të vazhdojë të mbetet një partner i patundur, duke ofruar njohuri globale,  këshilla dhe mbështetje për zbatimin e reformave që përshpejtojnë rritjen, krijojnë vende pune dhe nxisin begatinë në vendint tuaj.


Kontaktet e mediave
Tirana
Ana Gjokutaj
tel : +355 4 2 284125
agjokutaj@worldbank.org

Api
Api

Welcome