Skip to Main Navigation
NJOFTIME PËR SHTYP10 prill 2022

Pushtimi rus do ta tkurrë ekonominë e Ukrainës për 45 për qind këtë vit

Goditje të rëndë marrin edhe ekonomitë në rritje në Evropë dhe Azi Qendrore

UASHINGTON, 10 prill 2022 – Lufta kundër Ukrainës dhe sanksionet kundër Rusisë po i godasin ekonomitë anembanë globit, me tregjet në rritje dhe vendet në zhvillim në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore që pritet ta mbajnë barrën kryesore, thotë Përditësimi Ekonomik i Bankës Botërore për rajonin i shpërndarë sot.

Tashmë ekonomia e rajonit parashikohet të tkurret për 4.1 për qind këtë vit, krahasuar me parashikimin para luftës për rritje prej 3 për qind, pasi goditjet ekonomike nga lufta do t’u shtohen ndikimeve të vazhdueshme të pandemisë COVID-19. Kjo do të ishte tkurrja e dytë në po aq vite, dhe dy herë më e madhe se tkurrja e shkaktuar nga pandemia në vitin 2020.

Ekonomia e Ukrainës pritet të tkurret për rreth 45.1 për qind këtë vit, megjithëse magnituda e tkurrjes do të varet nga kohëzgjatja dhe intensiteti i luftës. E goditur nga sanksione të paprecedentë, ekonomia e Rusisë tashmë është zhytur në një recesion të thellë me prodhimin e parashikuar të tkurret për 11.2 për qind në vitin 2022.

"Magnituda e krizës humanitare të shkaktuar nga lufta është tronditëse. Pushtimi rus po i jep një goditje masive ekonomisë së Ukrainës dhe ka shkaktuar dëme gjigante në infrastrukturë," tha Anna Bjerde, Zëvendës Presidente e Bankës Botërore për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore. "Ukraina ka nevojë për mbështetje masive financiare të menjëhershme, pasi vendi e ka të vështirë ta mbajë ekonominë në funksion dhe qeverinë në punë për t’i mbështetur qytetarët ukrainas që po vuajnë dhe po përballen me një situatë ekstreme."

Lufta iu është shtuar shqetësimeve në rritje për një ngadalësim të mprehtë global, rritje të inflacionit dhe borxhit, si dhe rritje të niveleve të varfërisë. Ndikimi ekonomik i ka bërë të dridhen kanale të shumëfishta, duke përfshirë tregjet e mallrave bazë dhe ato financiare, lidhjet tregtare dhe migracionin, dhe ka ndikim negativ në besim.

Lufta po i godet fort edhe ekonomitë në rritje dhe në zhvillim të Evropës dhe Azisë Qendrore, një rajon veçse ishte nisur drejt një ngadalësimi ekonomik këtë vit nga efektet e vazhdueshme të pandemisë. Përveç Rusisë dhe Ukrainës, Bjellorusia, Republika Kirgize, Moldavia dhe Taxhikistani parashikohet të bien në recesion këtë vit, ndërkohë që parashikimet për rritje janë ulur për të gjitha ekonomitë për shkak të pasojave nga lufta, rritjes më të dobët sesa pritej në zonën e euros, dhe goditjeve në mallrat bazë, tregti dhe financim.

Rusia dhe Ukraina plotësojnë rreth 40 për qind të importeve të grurit në rajon dhe rreth 75 për qind ose më shumë në Azinë Qendrore dhe Kaukazin e Jugut. Rusia është gjithashtu një destinacion madhor eksporti për shumë vende, ndërsa remitancat nga Rusia janë afër 30 për qind e BPV-së në disa ekonomi të Azisë Qendrore (Republika Kirgize, Taxhikistani).

"Lufta në Ukrainë dhe pandemia treguan edhe një herë se krizat mund të shkaktojnë dëme të gjera ekonomike dhe të kthejnë mbrapsht vite të tëra të të hyrave për kokë dhe përfitimeve zhvillimore," tha Asli Demirgüç-Kunt, Krye-ekonomiste e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore. "Qeveritë në rajon duhet të forcojnë tamponët e tyre makroekonomikë dhe besueshmërinë e politikave të tyre për t’i frenuar risqet dhe për ta trajtuar fragmentimin e mundshëm të kanaleve të tregtisë dhe investimeve; të forcojnë rrjetat e tyre të sigurisë sociale për të mbrojtur më të cenueshmit, përfshirë refugjatët; dhe të mos e humbasin fokusin mbi përmirësimin e efiçiencës së energjisë për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme."

Kriza e thellë humanitare e shkaktuar nga lufta ka qenë më e theksuara nga valët fillestare të goditjes globale dhe ka gjasa të mbetet ndër trashëgimitë më të qëndrueshme të konfliktit. Vala e refugjatëve nga Ukraina për në vendet fqinje pritet t’i eklipsojë krizat e mëparshme. Për pasojë, mbështetja për vendet pritëse dhe komunitetet e refugjatëve do të jetë kritike, dhe Banka Botërore po përgatit programe mbështetëse operacionale për vendet fqinje për të përmbushur nevojat e rritura për financim nga flukset e refugjatëve.

Rritja e shkaktuar nga lufta në çmimet globale të naftës shërben edhe për të nënvizuar nevojën për siguri energjetike duke rritur furnizimin me energji nga burimet e ripërtërishme dhe duke rritur dizajnimin dhe zbatimin e masave për efiçiencë të energjisë në shkallë të gjerë.

Përgjigja e Grupit të Bankës Botërore ndaj Luftës në Ukrainë

Grupi i Bankës Botërore po ndërmerr veprime të shpejta për të mbështetur popullin e Ukrainës. Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, Grupi i Bankës ka mobilizuar një paketë financimi emergjent prej 925 milionë dollarësh në mbështetje të Ukrainës. Kjo mbështetje me disbursim të shpejtë do të shërbejë për të ndihmuar në pagimin e pagave për punëtorët shëndetësorë, pensionet për të moshuarit dhe programet sociale për shtresat e cenueshme. Financimi i shpejtë është pjesë e një pakete të mbështetjes prej 3 miliardë dollarësh që Grupi i Bankës po përgatit për Ukrainën gjatë muajve të ardhshëm. Pushtimi ka shkaktuar tashmë krizën më të madhe të refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Grupi i Bankës po shqyrton si t’i mbështesë refugjatët në vendet pritëse.

DEKLARATA PËR SHTYP NR: 2022/ECA/79

Kontakt

Uashington
Carl Hanlon
+1 (202) 460-8526
Uashington
Indira Chand
+1 (703) 376-7491
Bruksel
Oliver Joy
32-2-5520059

Blogje

    loader image

ÇFARË ËSHTË E RE

    loader image