NJOFTIME PËR SHTYP

Nevojiten reforma për të riekuilibruar financat në Ballkanin Perëndimor, shkruan raporti i ri i Bankës Botërore

2017-01-16


Vjenë, 16 janar, 2017 – Politikëbërësit në Ballkanin Perëndimor duhet të riekuilibrojnë sektorët e tyre financiarë, për të nxitur një rritje afatgjatë në rajon, thuhet në një raport të ri të Bankës Botërore. Sipas raportit, Risqe dhe përfitime: Menaxhimi i zëvendësimeve financiare për rritje përfshirëse në Evropë dhe Azinë Qendrore, prezantuar sot, në një aktivitet në Vjenë, mbështetja e tepruar mbi kreditimin bankar ka kontribuar në moszhvillimin e tregjeve të kapitalit dhe në një numër të lartë huash nënstandarde në të gjithë rajonin.

Raporti argumenton se zhvillimi i sektorit financiar duhet të shkojë përtej rritjes së aksesit në kreditimin bankar, duke e lejuar sistemin financiar të zhvillohet në mënyrë të ekuilibruar si në nënsektorët bankarë, ashtu edhe jobankarë – veçanërisht, tregjet kapitale dhe sigurimet – për të mbështetur rritjen përfshirëse në Evropë dhe Azinë Qendrore (EAQ).

Edhe pse është bërë përparim në rajon që prej fillimit të krizës financiare globale, sektori financiar mund të bëjë shumë më tepër për të çliruar mundësitë për rritje të qëndrueshme dhe të barabartë”, vëren Ewald Nowotny, guvernator i Bankës Kombëtare austriake dhe organizator i evenimentit. “Ky raport analizon dimensionet kryesore të zhvillimit financiar, për të nxitur rritjen përfshirëse dhe ofron një strategji të gjerë për zbatimin e reformave në sektorin financiar në Ballkanin Perëndimor dhe rajonin e EAQ-së në tërësi”.

Evenimenti përqendrohet në sfidat konkrete të Ballkanit Perëndimor, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të nivelit të lartë, përfshi guvernatorët, nga bankat qendrore të Shqipërisë, Kosovës, IRJ të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë. 

Në Ballkanin Perëndimor, 16 për qind e portofolit të huave është nën standard – ndër më të lartët në botë. Më tej, në rajonin më të gjerë të EAQ-së, vetëm rreth 38 për qind e të rriturve përdorin produkte kursimesh – krahasuar me mesataren e botës në zhvillim prej 54 përqindësh – dhe vetëm pak për qind përdorin produkte sigurimesh. Mosbesimi te bankat është, gjithashtu, më i lartë se në çdo rajon tjetër në botë.

“Tejkalimi i këtij mosbesimi dhe rritja e diversitetit të sistemit financiar në rajon është thelbësore për një rritje përfshirëse dhe të qëndrueshme. Kjo kërkon bashkëpunim të mëtejshëm ndërkombëtar, pasi sistemet financiare të qëndrueshme dhe të diversifikuara kërkojnë një shkallë më të madhe sesa ajo që mund të ofrojnë vendet individuale në rajon”, thotë Kryeekonomisti për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore.

Për të arritur një rritje të qëndrueshme e përfshirëse, raporti argumenton se vendet e rajonit duhet të ekuilibrojnë zhvillimin financiar përgjatë dimensioneve të:

  • Stabilitetit (p.sh., duke trajtuar huatë e nënstandarde dhe duke ulur paqëndrueshmërinë e kreditimit privat)
  • Efikasitetit (p.sh., duke ulur kostot jo të drejtpërdrejta dhe kufijtë e interesit neto mbi aktivet)
  • Përfshirjes (p.sh. duke rritur përdorimin e kursimeve dhe produkteve të sigurimeve)
  • Thellësisë (p.sh., zhvillimi i tregjeve të kapitalit dhe diversifikimi i sistemit financiar të vendit)

“Vendet e Ballkanit Perëndimor mund të ecin përpara më shumë me rritjen përfshirëse, duke u përqendruar më tepër në rritjen e efikasitetit financiar, rritjen e kursimeve dhe zhvillimin e tregjeve të kapitalit”, vëren Ellen Goldstein, Drejtoresha e Bankës Botërore për Evropën Juglindore.

Raporti thekson se përgjatë viteve ’90, vendet në EAQ zgjodhën një model të zhvillimit të shpejtë financiar, të përqendruar te zgjerimi i kreditimit bankar, shpesh, i financuar nga kapitali i huaj. Ky model ndihmoi në rritjen e përfshirjes financiare të firmave dhe familjeve – por, gjithashtu, u shoqërua nga ulja e efikasitetit financiar dhe një dobësi në rritje. Për pasojë, rajoni përjetoi dy kriza bankare, e para, në fund të viteve ’90 dhe, sërish, pas vitit 2008.

Kontaktet e mediave
Në Uashington
John Mackedon
jmackedon@worldbank.org

DEKLARATA PËR SHTYP NR:
2017/ECA/072

Api
Api