NJOFTIME PËR SHTYP

Shqipëria shënon përmirësime në tri fusha të reformave rregullatore të biznesit

29 tetor 2014


Tirana, 29 tetor 2014— Raport i ri i Grupit të Bankës Botërore “Të bësh biznes 2015” konstaton se Shqipëria ka bërë progres në reformat rregullatore të biznesit duke u ngjitur në vendin e 68 ose me 40 vende më lart krahasuar me një vit më parë. Shqipëria ka kryer përmirësime në tri fusha të reformës rregullatore: hapja e biznesit, procedura e lejeve të ndërtimit dhe regjistrimi i pronave. Hapja e biznesit është bërë më të lehtë përmes uljes së tarifave të regjistrimit. Ka lehtësuar procedurën e lejeve të ndërtimit, përmes rifillimit të lëshimit të lejeve të ndërtimit dhe përmes konsolidimit të lejes së sheshit dhe lejes së ndërtimit në një leje të vetme zhvillimore ndërtimi. Gjithashtu, Shqipëria e ka bërë më të lehtë kalimin e pronës, përmes vendosjes së afateve të efektshme dhe kompjuterizimit të kartelave të pasurive të paluajtshme. Ndërkohë, Shqipëria e ka dobësuar sistemin e transaksioneve të mbuluara me garanci, përmes një ndryshimi të Ligjit për Barrët Siguruese, i cili nuk lejon vendosjen e barrës siguruese mbi aktivet e patrupëzuara. Gjithashtu Shqipëria e ka bërë më të kushtueshëm pagimin e tatim-taksave nga shoqëritë tregtare, përmes rritjes së shkallës së tatimit mbi fitimin. Largësia nga vlerësimi me pikë kufi në “Të bësh biznes 2015” është 66,1 duke shënuar përmirësim me 6,3 pikë krahasuar me 59,8 në “Të bësh biznes 2014”.

Raport i ri i Grupit të Bankës Botërore konstaton se 85 për qind e ekonomive në Evropë dhe Azinë Qendrore kanë zbatuar të paktën një reformë rregullatore me synim që t’ua bëjnë më të lehtë biznesmenëve vendas të ushtrojnë aktivitet biznesi, në vitin 2013/14. Kjo është përqindja më e lartë se për çdo rajon tjetër.

“Të bësh biznes 2015: të shkosh përtej efikasitetit” tregon se vitin që shkoi, ekonomitë e Evropës dhe Azisë Qendrore e përmirësuan edhe më tej mjedisin rregullator për biznesmenët vendas, duke i çuar kështu më tej përparimet e dekadë së fundit. Për shembull, përpara 10 vjetësh për hapjen e një biznesi një biznesmeni maqedonas i duheshin 48 ditë. Sot, kjo gjë mund të kryhet brenda 2 ditësh.

“Ekonomitë e Evropës dhe Azisë Qendrore vazhdimisht kanë kryesuar në botë sa i takon ritmit të reformës rregullatore, - tha Rita Ramalho, autorja kryesore e raportit “Të bësh biznes”, Grupi i Bankës Botërore. - Angazhimi i qeverive për përmirësimin e mjedisit rregullator për biznesmenët u ka dhënë mundësi ta zvogëlojnë hendekun mes tyre dhe vendeve me rezultatet më të mira në disa fusha. Për shembull, koha mesatare për regjistrimin e pronës në rajon ka rënë nga 14 ditë që në vitin 2010, duke e bërë këtë proces më të shpejtë se në ekonomitë me të ardhura të larta të OECD-së.”

Raporti konstaton se Taxhikistani ka pasur përmirësimin më të madh në botë në vitin 2013/14. Taxhikistani e ka rritur mundësinë për të marrë informacion mbi kredinë, përmes fillimit të përdorimit të vlerësimeve kreditore me pikë, e ka thjeshtuar procesin e hapjes së biznesit, i ka bërë më pak të kushtueshme lejet e ndërtimit dhe ka futur në përdorim një sistem elektronik për pagimin e tatim-taksave të biznesit. Azerbajxhani është mes 10 ekonomive me përmirësimin më të madh në botë, falë reformave në fushën e hapjes së biznesit, regjistrimit të pronave dhe pagimit të tatim-taksave.

Me vijimin e përmirësimit të kuadrit rregullator për biznesmenët, ka ende sfida në të gjitha ekonomitë e rajonit, çka thekson nevojën për reforma të mëtejshme rregullatore. Kjo vlen sidomos në fusha të tilla si lejet e ndërtimit, furnizimi me energji elektrike dhe tregtia ndërkufitare, të gjitha fusha në të cilat ekonomitë e rajonit ndodhen mesatarisht në gjysmën e dytë të listës së vendeve nga e gjithë bota.

Për herë të parë këtë vit, raporti “Të bësh biznes” ka mbledhur të dhëna për qytetin e dytë më të madh në 11 ekonomi me numër popullsie më të madh se 100 milion banorë. Në Federatën Ruse, tani raporti analizon rregullimin e biznesit në Moskë dhe në Shën Petërburg. Sipas raportit, dallimet midis qyteteve hasen rëndom në treguesit që matin hapat, kohën dhe koston që nevojitet për kryerjen e veprimeve rregullatore ku agjencitë vendore luajnë një rol më të madh.

Këtë vit raporti i zgjeron të dhënat për tri prej 10 temave të trajtuaraq dhe plani është që ky zgjerim i të dhënave të bëhet edhe për pesë tema të tjera vitin e ardhshëm. Krahas kësaj, lehtësia e ushtrimit të aktivitetit të biznesit tani mbështetet tek largësia nga vlerësimi me pikë kufi. Kjo matje tregon sa larg apo afër ndodhet secila ekonomi nga praktikat më të mira globale në rregullimin e biznesit. Një vlerësim më i lart pikësh tregon një mjedis më efikas biznesi dhe institucione më të forta ligjore.

Raporti konstaton se sa i takon lehtësisë së ushtrimit të veprimtarisë tregtare, listën botërore e kryeson Singapori. Në dhjetë vendet kryesuese sa u takon rregulloreve më miqësore për biznesin, tani bëjnë pjesë Zelanda e Re; Rajoni Administrativ i Veçantë i Hong Kongut, Kinë; Danimarka; Republika e Koresë; Norvegjia; Shtetet e Bashkuara të Amerikës; Mbretëria e Bashkuar; Finlanda; dhe Australia.

Informacion për serinë e raporteve “Të bësh biznes”

Ky raport vjetor kryesor i Bankës Botërore dhe IFC-së analizon rregulloret që zbatohen për bizneset e një ekonomie gjatë ciklit të jetës së tyre, duke përfshirë si hapjen dhe operacionet e biznesit, tregtinë ndërkufitar, pagimin e tatim-taksave dhe realizimin e procedurave të falimentimit. Lehtësia globale e ushtrimit të aktiviteti të biznesit bazohet në largësinë nga pikët kufi për 10 tema dhe mbulon 189 ekonomi. Raporti “Të bësh biznes” nuk mat të gjitha aspektet e mjedisit të biznesit që kanë rëndësi për firmat dhe investitorët. Për shembull, raporti nuk mat cilësinë e administrimit fiskal, aspektet e tjera të stabilitetit makroekonomik, nivelin e zotësive të krahut të punës apo qëndrueshmërinë e sistemeve financiare. Konstatimet e këtij raporti kanë nxitur debatet për politikat në mbarë botën dhe kanë mundësuar rritjen e punës kërkimore për mënyrën me të cilën ka lidhje rregullimi në nivel të firmave me rezultatet ekonomike të mbarë ekonomive. Çdo vit, ekipi i projektit punon për ta përmirësuar metodikën dhe për ta rritur mbledhjen, analizën dhe produktin e të dhënave. Projekti ka përfituar nga mendimet dhe sugjerimet e shumë palëve të interesit gjatë këtyre viteve. Me objektiv kryesor ofrimin e një baze objektive për të kuptuar dhe përmirësuar mjedisin rregullator vendas për biznesin në mbarë botën, ky projekt kalon në shqyrtime rigoroze për të siguruar cilësinë dhe efektivitetin. Raporti i këtij viti shënon edicionin e dymbëdhjetë të raportit “Të bësh biznes”. Për më shumë informacion mbi raportet “Të bësh biznes”, ju lutemi të vizitoni në internet adresën doingbusiness.org dhe të na bashkoheni në faqen tonë doingbusiness.org/Facebook.

Informacion për Grupin e Bankës Botërore

Grupi i Bankës Botërore luan një rol kyç në punën globale për t’i dhënë fund varfërisë dhe për të rritur prosperitetin e përbashkët. Ai përbëhet nga pesë institucioneve: Banka Botërore, Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (BNRZH) dhe Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim (SHNZH); Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC); Agjencia Shumëpalëshe e Garantimit të Investimeve (MIGA); dhe Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve për Investimet (ICSID). Duke punuar së bashku në më shumë se 100 vende, këto institucione ofrojnë financim, këshilla dhe zgjidhje të tjera që u japin mundësi vendeve të ndryshme t’u japin zgjidhje sfidave më të ngutshme të zhvillimit. Për më shumë informacion, ju lutemi, vizitoni në internet www.worldbank.org, www.miga.org, dhe www.ifc.org.



Kontaktet e mediave
Tirana
Ana Gjokutaj
tel : +355 4 2280 650/1
agjokutaj@worldbank.org
Evropa dhe Azia Qendrore
Kristyn Schrader-King
tel : +1 (202) 458-2736
kschrader@worldbank.org
Slobodan Brkic
tel : +381 (11) 30-23-750
sbrkic@ifc.org


DEKLARATA PËR SHTYP NR:
2015/ECA/031

Api
Api

Welcome