NJOFTIME PËR SHTYP

Pronësia mbi tokën vijon të mbetet pas për gratë në Ballkanin Perëndimor

15 maj 2014


Projekti i përbashkët FAO-Bankë Botërore synon mundësimin e ndryshimit përmes mbledhjes së të dhënave, edukimit

DURRËS, SHQIPËRI, 15 MAJ 2014 – Edhe në vende ku ekzistojnë mbrojtje juridike të qarta për pronësinë e tokës nga gratë, zakonet vendore shpesh vazhdojnë të veprojnë kundër barazisë së grave në fshat, sipas të dhënave të reja që kanë nxjerrë këtë javë FAO dhe Banka Botërore.

Në shumë rajone, burrat nuk i regjistrojnë bashkërisht emrat e bashkëshorteve në aktet e pronësisë. Kjo mund të bëjë që gruaja t’i humbasë të drejtat mbi tokën bujqësore në të cilën punon, pas vdekjes së bashkëshortit. Zakonet dhe traditat e vjetra shpesh veprojnë edhe kundër interesave të një brezi të ri vajzash, duke qenë se etërit favorizojnë djemtë dhe jo vajzat në rastin e trashëgimit të pronës.

Këto çështje po debatohen gjerësisht në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë një konference FAO-Bankë Botërore për tokën dhe perspektivën gjinore, e cila u zhvillua këtë javë në Durrës, Shqipëri, u mbledhen disa palë interesi për të diskutuar shqetësimet për nivelin e ulët të regjistrimit të pronave në emrin e grave në Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Kosovë*, IRJ Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi.

Pjesëmarrësit nga i gjithë rajoni kanë filluar që më parë të punojnë së bashku për t’u dhënë zgjidhje këtyre çështjeve në kuadër të projektit FAO-Bankë Botërore për tokën dhe perspektivën gjinore.

Në fazën e parë të projektit janë nxjerrë raporte me të dhëna të zbërthyera sipas përkatësisë gjinore, nga sistemet e administrimit të tokës, për të ilustruar nivelet e ulëta të regjistrimit të pronës në emër të grave, në nivel vendi, province dhe bashkie/komune. Konstatimet ilustrojnë qartë se zotërimi i pronës nga gruaja është në nivel të ulët në mbarë Ballkanin Perëndimor, ku fshati ka ecuri veçanërisht të dobët.

Faza e dytë e projektit i ka asistuar pjesëmarrësit të ndërtojnë plane pune njëvjeçare për vendet e tyre dhe ka mbledhur aktorë kyçë, përfshirë edhe zyrtarë qeveritarë, punonjës të agjencive të tokës, noterë dhe pushtetin vendor, për të hartuar qasje konkrete për rritjen e nivelit të zotërimit të pronave nga gratë.

Përvoja të suksesshme

Kosovë, ku niveli kombëtar i regjistrimit të pronave në emër të grave është rreth 15 për qind, puna ka vendosur në objektiv shoqatat e noterëve, për t’u kërkuar që t’i informojnë klientët që u drejtohen për regjistrimin e tokës dhe pasurive, lidhur me rëndësinë që ka bashkëregjistrimi i emrit të gruas ose trashëgimtareve vajza. Në Shtime, nëpunësi pe ceshtjet gjinore i Komunës së Shtimes dhe bashkëshortja e tij dhanë shembullin publik, lidhur me rëndësinë që ka regjistrimi i përbashkët i tokës, duke i ftuar edhe gazetarët t’i shoqëronin në momentin kur e regjistruan pronësinë e përbashkët mbi pronën e tyre, duke i ftuar bashkëqytetarët të bëjnë të njëjtën gjë.

Në muajt shkurt dhe mars 2014, kryetari i Shtimes e hoqi përkohësisht tarifën e regjistrimit, për t’i shtyrë çiftet t’i regjistrojnë edhe emrat e grave në aktet e pronësisë. Reagimi ishte shumë i fortë, sepse pati në rritje në 21 për qind të regjistrimit të pronësisë në emër të gruas në këtë komunë. Kjo është pasuar me fushata ndërgjegjësimi, debate televizive për këtë temë dhe me plane për ta shtrirë këtë fushatë në pesë komunitete të tjera.

IRJ Maqedoni, niveli mesatar i pronësisë mbi tokën për gratë është 16 për qind. Në një komunitet, të quajtur Aerodrom, janë kryer aktivitete për ta kthyer pas këtë tendencë, duke u përqendruar tek fuqizimi ekonomik i grave dhe duke i nxitur prindërit t’i ndajnë pronat në mënyrë të barabartë mes fëmijëve meshkuj dhe femra. Kjo komunë u përzgjodh për popullsinë e saj relativisht në moshë të re, si një zonë periferike që tërheq të rinjtë dhe çiftet e reja të cilët punojnë në Shkup, dhe për angazhimin e fortë të saj në çështjet gjinore.

Komuna angazhoi një gamë të gjerë palësh të interesuara për të krijuar politika që të jenë me ndjeshmëri gjinore. Për të ndihmuar në ndikimin tek zakonet tradicionale lidhur me pronësinë e tokës nga femrat, ekipi gjinor në fillim u takua me vendimmarrësit vendorë për politikat, përpara se të niste fushata me objektiv të përcaktuar, dhe përpara se të prodhonte materiale edukative dhe promocionale dhe të mbante mbledhje nëpër komuna. Aktivitetet janë përqendruar tek efekti pozitiv që ka zotërimi i pronës dhe tokës sa i takon pavarësisë ekonomike dhe përmirësimit të statusit të grave me të drejta mbi pronën. Janë zhvilluar “ditë të hapura” për barazinë gjinore, duke i vendosur qytetarët në lidhje me noterët, ministrat, këshilltarët vendorë dhe nëpunësit gjinorë, të cilët shpjeguan përfitimet dhe aspektet praktike që ka zotërimi i pronave nga gratë.

Zotërimi i pronave nga gratë në këtë komunë, që tani është në nivelin 30 për qind, është shumë më lart se mesatarja për gjithë vendin, por objektivi është të rritet edhe më tej kjo shifër për t’iu afruar barazisë së vërtetë gjinore, prej 50 për qind.

Një hap i parë, i bërë së bashku

Përkundër dallimeve në aspektin gjuhësor, kulturor dhe traditave, vendet e Ballkanit Perëndimor që marrin pjesë në këtë projekt kanë punuar së bashku për të analizuar të dhënat dhe për të gjetur zgjidhje për vështirësitë me të cilat has zotërimi i pronave nga gratë në këto vende.

Faza fillestare e projektit është veçse një hap i parë për të siguruar që të drejtat ligjore të pronësisë mbi tokën që mbrohen me ligj në këto vende të ushtrohen nga burrat dhe gratë e mirinformuara të rajonit.

Viti 2014 shënoi dyvjetorin e Udhëzimeve vullnetare për qeverisjen e përgjegjshme të të drejtave mbi tokën, peshkimin dhe pyjet në kuadër të sigurisë ushqimore kombëtare, në të cilat trajtohen këto çështje, por jo vetëm.

-----

*Ky emërtim nuk cenon qëndrimet për statusin dhe është në përputhje me Rezolutën nr. 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe me Opinionin e GJND-së “Për deklaratën e pavarësisë së Kosovës”.

 



Kontaktet e mediave
Tirana
Ana Gjokutaj
tel : +355 4 2 280 650
agjokutaj@worldbank.org



DEKLARATA PËR SHTYP NR:
2014/AL/ECA

Api
Api

Welcome