NJOFTIME PËR SHTYP

Banka Botërore mbështet transparencën përmes rritjes së llogaridhënies në sektorin e burimeve minerare në Shqipëri

8 maj 2013



TIRANE, 8 maj 2013 – Sot Bordi Ndërkombëtar i Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (NTIN) deklaroi se Shqipëria përmbush kriteret e NTIN-së. Kjo do të thotë se vendi ka plotësuar të gjitha standardet e kërkuara nga kjo nismë, e cila fillimisht është krijuar në vitin 2002 nga Qeveria Britanike drejtuar nga Blair për të bërë të mundur publikimin e të ardhurave dhe të pagesave që dalin nga sektorët e naftës dhe minierave.  

Historikisht në shumë vende ka pasur shumë pak informacion për qytetarët e thjeshtë të cilët nga ana tjetër nuk kanë pothuajse asnjë ndikim në vendimet që merren në lidhje me këtë sektor, pavarësisht se të gjithë duhet të përfitojnë nga nafta dhe minierat. Rezultati i kësaj ka qenë shpërdorimi dhe korrupsioni të shoqëruar me probleme sociale dhe mjedisore duke i lënë kështu shumë qytetarë në vendet me sektorë minerarë të qeverisur keq në gjendje edhe më të keqe se më parë. Edhe pse të qenit ‘në përputhje me NTIN-në’ mund të duket si një term teknik që ka të bëjë me njohjen e zbatimit të një nisme teknike, kjo është shumë më tepër se aq. Është e vërtetë se duhet të përmbushen disa kritere teknike si p.sh. krijimi i një Grupi Ndërinstitucional Pune ku përfaqësohen Qeveria, kompanitë prodhuese dhe shoqëria civile. Gjithashtu, të dhëna të konsiderueshme duhet të mblidhen si nga kompanitë, ashtu edhe nga drejtoritë e ndryshme të institucioneve shtetërore që janë të përfshira në këtë sektor (si Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Ministria e Financës, Drejtoria e Përgjitshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Agjencia Shqiptare e Burimeve Natyrore, etj.) Më pas këto të dhëna duhet të rakordohen për të parë nëse Qeveria thotë se ka marrë të njëjtën shumë parash për tatime, rentë minerare dhe tarifa të tjera me atë që kompanitë deklarojnë se kanë paguar. Nëse këto shuma nuk përputhen, lind pyetja përse dhe çfarë ka ndodhur me paratë?

Por, përveç këtyre ‘zbulimeve’ të rëndësishme, zbatimi i NTIN-së mbështet në një mënyrë më të përgjithshme zhvillimin e një shoqërie të hapur. Ndërsa shumë çështje teknike në sektorin e minierave dhe të naftës rrallëherë diskutohen në publik dhe të ardhurat menaxhohen në fshehtësi, NTIN ndihmon që të hidhet dritë ndaj këtyre proceseve dhe mbështet organizatat e shoqërisë civile në Tiranë si dhe në qarqe të tjera që të përfshihen në mënyrë aktive në këtë proces. Kështu, me ‘nivelin’ e duhur të ngritjes së kapaciteteve ato kanë të drejtën që të thonë se çfarë mendojnë në lidhje me mënyrën se si burimet minerare menaxhohen në vend dhe mund të ndikojnë vendimet që kanë të bëjnë me industrinë.

Banka Botërore e ka mbështetur këtë proces aktivisht gjatë 2.5 viteve të fundit, kryesisht nëpërmjet

Grantit EITI MDTF dhe paralelisht nëpërmjet punës shoqëruese në sektorin minerar në shkallë të vogël dhe transferimit të çmimit. Granti EITI MDTF mbështeti krijimin dhe funksionimin e Sekretariatit Kombëtar të NTIN-së që koordinoi vendimet e Grupit Ndërinstitucional të Punës, siguroi trajnim teknik për nëpunësit e qeverisë dhe anëtarët e organizatave që janë pjesë e shoqërisë civile, zbatoi një strategji komunikimi për nismën dhe financoi dy raporte të NTIN-së të rakorduara në mënyrë të pavarur. Për Shqipërinë, këto raporte nuk identifikuan ndonjë mospërputhje të konsiderueshme ndërmjet pagesave të bëra nga kompanitë dhe të ardhurave të Qeverisë, gjë që është inkurajuese. Lajm më pak i mirë se kjo është fakti se industria në përgjithësi po prodhon nën potencialin e vet, rrjedhimisht sjell më pak të ardhura për shtetin e po ashtu edhe për publikun.

Aktualisht Banka Botërore dhe Qeveria e Shqipërisë janë pranë krijimit të një granti EITI MDTF të tretë. Përmes tij Banka dhe Qeveria synojnë të (a) përmirësojnë dhe rrisin kapacitetin e nismës për shtrirje dhe komunikim duke përfshirë informacione dhe komunikim të përshtatur për si dhe që i drejtohet rajoneve të industrisë së naftës dhe atyre të industrisë minerare më specifikisht autoriteteve vendore, grupeve të shoqërisë civile, gazetarëve dhe përfaqësuesve parlamentarë; (b) të vazhdojnë të ofrojnë trajnim teknik dhe ngritjen e kapacitetit për të përforcuar njohuritë e grupeve të synuara të përmendura më sipër që të kuptojnë çështjet kritike të sektorit dhe (c) të rrisin përkatësinë strategjike të nismës duke lidhur të ardhurat fiskale, sikurse ravijëzohen në raportet e rakordimit, me potencialin e mundshëm të sektorit në rast të praktikimit të qeverisjes së mirë/good practice governance levels përmes një studimi në gjithë sektorin. Gjithashtu, granti do të vazhdojë të financojë veprimtarinë e Sekretariatit si dhe një raport rakordimi.

Kontaktet e mediave
Uashington
Gary Mc Mahon
tel : +1 202 458 1477
gmcmahon@worldbank.org
Tirana
Ana Gjokutaj
tel : +355 422 80 655
agjokutaj@worldbank.org


DEKLARATA PËR SHTYP NR:
ECA-AL

Api
Api

Welcome