Learn how the World Bank Group is helping countries with COVID-19 (coronavirus). Find Out

HISTORIA E PËRZGJEDHUR 2017-09-18

Lidhja më e mirë në internet ndihmon përmirësimin e jetës së njerëzve në Kosovë

Image

Jeta është më e lehtë në lagjen e sapondërtuar rome Kolonia – infrastruktura e re bazike përfshin edhe internetin e shpejtë.


Kolonia është një lagje e vogël në ish-zonën industriale të qytetit të Gjakovës, në Kosovën perëndimore. Shumica e 120 familjeve këtu - të cilat përfshijnë njerëz nga komunitetet pakicë, romë, ashkali dhe egjiptianë - luftojnë përditë me varfërinë dhe papunësinë. Deri në vitin e kaluar, ata jetonin në shtëpi pothuajse të rrënuara, para se një projekt i financuar nga donatorët të ndërtonte shtëpi të reja dhe të kryente infrastrukturën bazë, përfshirë ujësjellësin, sistemin e kanalizimit dhe rrugët e shtruara.

Së voni, në lagje gjithashtu u vendos lidhja e internetit - nëpërmjet fibrave optike - gjë që banorët e shohin si një përmirësim të ndjeshëm në jetën e tyre.

“Ata thanë se do ta paguanin metelikun e tyre të fundit për të pasur qasje në internet”, thotë Fatos Stavileci i Fiberlink, kompani kjo që siguroi shërbimin e fibrave optike. “Ne vendosëm të pilotojmë zgjerimin e rrjetit tonë të fibrave në këtë zonë, kështu që tani çdo shtëpi në lagjen Kolonia ka lidhje interneti me brez të gjerë frekuencor (broadband).”

Image
Familja Juniku, lagja Kolonia, Gjakovë.


Banorët e lagjes së vogël Kolonia në Kosovën perëndimore luftojnë çdo ditë me varfërinë dhe papunësinë. Gjërat po ndryshojnë pas një projekti të financuar nga donatorët. Lagja po ashtu është pajisur me lidhje të internetit të shpejtë.

Përkundër vështirësive financiare, banorët e lagjes Kolonia përpiqen të paguajnë rregullisht për lidhjen e internetit. “Të gjithë ne tani kemi internet në shtëpi; ai është bërë pjesë e jetës sonë”, thotë Jeton Juniku, 50 vjeç, banor i lagjes Kolonia. “Pagesa e tarifës mujore ndonjëherë është e vështirë, por sa herë që kam para, përpiqem ta paguaj internetin”.

I biri 17-vjeçar i Jetonit, Mërgimi, shpjegon pse është kaq e rëndësishme për këtë komunitet që të ketë qasje të besueshme në internet. “Shumica prej nesh përdorim internetin për të folur me anëtarët e familjes që jetojnë jashtë vendit”, thotë ai. “Ne flasim me ta pothuajse çdo ditë, dhe është e rëndësishme që të kemi një lidhje të mirë interneti për të përdorur shërbimet e thirrjeve falas si Skype, Facebook ose Viber”.

Kosova ka një diasporë të madhe, pjesa më e madhe e së cilës është në vendet e BE-së. Në të vërtetë, vlerësohet se një në tre kosovarë jetojnë jashtë vendit. Dhe, ajo që është e rëndësishme të theksohet, remitancat që ata dërgojnë në Kosovë janë një nga ngasësit kryesorë të rritjes ekonomike të vendit. Të ardhurat e familjeve nga remitancat përbëjnë rreth 15% të BPV-së së Kosovës, që paraqet një pjesë të rëndësishme të rrjetit të sigurisë shoqërore. Remitancat prekin rreth 20-25% të familjeve dhe sigurojnë të ardhura të konsiderueshme - veçanërisht për familjet më të varfra, siç janë ato në lagjen Kolonia.

Image
Kabllot optike lidhin shtëpitë me njëra tjetrën në lagjen e sapondërtuar rome Kolonia në Gjakovë.
Banorët e lagjes Kolonia nuk përfitojnë vetëm nga qasja në internet, por që nga gushti i vitit 2017, ata tani kanë lidhje më të shpejtë dhe më të besueshme në internet. Kjo falë Fiberlink-ut duke përdorur infrastrukturën e fibrave optike të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), një kompani publike, për shkëmbimin e saj të internetit me dy ofrues të tjerë të shërbimeve të internetit në rajon.


"Shumica prej nesh përdorim internetin për të folur me anëtarët e familjes që jetojnë jashtë vendit, dhe është e rëndësishme që të kemi një lidhje të mirë interneti për të përdorur shërbimet e thirrjeve falas."
Mergim Juniku
Banor 17-vjeçar i lagjes Kolonia, Gjakovë

“Ne kemi rritur kapacitetin tonë për të ofruar shërbime të internetit dhe për të përmirësuar cilësinë e të gjitha shërbimeve që u ofrojmë klientëve”, thotë Stavileci. “Kjo është një bazë e mirë për zhvillimin e kompanisë sonë dhe për tregun e internetit dhe teknologjisë së komunikimit në vend,” shton ai.

Në mes të vitit 2016, Fiberlink, së bashku me Vista dhe AceWaves - dy ofrues të tjerë të shërbimeve të internetit (ISP) që operojnë në komunat fqinje - shprehën interesim për asetet e fibrave të zotëruara nga ndërmarrja energjetike KOSTT. Në qershor 2017, KOSTT dhe tri ISP-të negociuan dhe nënshkruan një kontratë - transaksion i parë i këtij lloji në Kosovë, dhe një që ndikon drejtpërsëdrejti mbi 30,000 konsumatorë. Kompanitë tani kanë fituar kapacitetin për rritjen e mëtejshme të bazës së konsumatorëve, pasi rrjeti i tyre i përbashkët - falë qasjes në rrjetin e KOSTT-it - mund të mbulojë rreth 60,000 familje (ose 300,000 banorë) në pjesën jugperëndimore të Kosovës.

Image
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë i Kosovës (KOSTT) ka ndërtuar një rrjet të ri tokësor prej 1109 kilometrave të fibrave optikë. Në qershor 2017, KOSTT ka nënshkruar me tre operatorë lokalë, të licencuar, të shërbimeve të telekomunikimit, marrëveshjen e parë për dhënien me qira të rrjetit të fibrave optikë. Kjo nismë për shfrytëzimin e infrastrukturës ekzistuese është përkrahur me asistencë teknike nga Banka Botërore.

“Ideja e KOSTT që nga fillimi ka qenë të shikoj mundesitë që një pjesë të këtij rrjeti telekomunikues optik ta vendos në funksion për qëllime komerciale për rritjen e mundesive për sherbime efikase telekomunikuese ndaj konsumatorëve dhe me kosto më të ulët”, thotë Kadri Kadriu, ushtrues detyre i Kryeshefit Ekzekutiv të KOSTT. “Banka Boterore ka ndihmuar KOSTT-in me studime dhe ekspertizë në praktikat më të mira se si duhet të shfrytëzohet ky kapacitet në të ardhmen”.

KOSTT ka instaluar mbi 1,100 km rrjet të fibrave optike në largpërçuesit e vet të energjisë elektrike të tensionit të lartë, duke krijuar kështu një rrjet të fuqishëm broadband për të ofruar shërbime të teknologjisë së komunikimit dhe informacionit në të gjitha vendbanimet kryesore në Kosovë.

Duke e ndarë në mënyrë aktive infrastrukturën e saj të tepërt të fibrave, KOSTT është duke përmbushur zotimet e veta rregullatore dhe publike si një kompani shtetërore e shërbimeve. Përveç kësaj, kjo qasje do të ndihmojë plotësimin e boshllëqeve të infrastrukturës ekzistuese broadband në zonat rurale, ku aktualisht më shumë se një e treta e familjeve nuk kanë qasje komerciale në broadband. Hapja e rrjetit të fibrave të KOSTT për lizing komercial do të jetë e domosdoshme në tejkalimin e këtij hendeku digjital.

Kërkesa për shërbime broadband fikse dhe mobile pritet të rritet ndjeshëm në Kosovë. Numri i abonentëve për broadband fiks parashikohet të rritet me 126% në mes të viteve 2015 dhe 2020, dhe ai i abonentëve për broadband mobil me 205% gjatë të njëjtës periudhë. Ky trend paraqet mundësi të konsiderueshme komerciale brenda vendit.

Eshref Mazreku, Kryeshef Ekzekutiv në Vista, rrëfen një tregim për një nga klientët e tij në fshatin Studençan, afër qytetit të Suharekës. Një fermer që merret me mbarështimin e lopëve ka instaluar një sistem video vëzhgimi në internet për të vrojtuar e mbrojtur bagëtinë e tij.

“Fermeri më falënderon sa herë që e shoh,” thotë Mazreku. “Ai thotë se tani klientët e tij nuk kanë nevojë të vijnë tek ai për të marrë mish. Në vend të kësaj, ai është duke e shitur mishin në internet.”

Financimi për këtë aktivitet u sigurua nga Lehtësia Këshillimore për Infrastrukturë Publike-Private (PPIAF)*.


video


---

Fondi Këshillimor për Infrastrukturë Private-Publike (PPIAF) është një fond i asistencës teknike shumë-donatorëshe, e cila financohet nga 11 donatorë shumëpalësh dhe dypalësh. I themeluar në vitin 1999 si një nismë e përbashkët e qeverive të Japonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke punuar ngushtë me, dhe e vendosur në Grupin e Bankës Botërore, PPIAF është një katalizator për rritjen e pjesëmarrjes së sektorit privat në tregjet në zhvillim. Misioni i tij është të ndihmojë në eliminimin e varfërisë dhe në rritjen e prosperitetit të përbashkët në vendet në zhvillim duke lehtësuar përfshirjen e sektorit privat në infrastrukturë.


Api
Api