Ndërsa Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia-gjashtë vendet që përbëjnë rajonin e Europës Juglindore (EJL) po dalin nga recesioni ato janë në pikën ku do të fillojnë të çojnë më tej rritjen ekonomike që po lind në rajon. Edhe pse rritja ekonomike parashikohet të jetë vetëm 1.8% në vitin 2014, kjo rritje modeste gjithsesi do të ndihmojë që të reduktohet papunësia, të rriten eksportet dhe të dobësohen presionet e inflacionit në të gjashta vendet. Ndërkohë që rajoni është në udhën e ngadaltë të rekuperimit një nga sfidat kryesore që del para politikëbërësve është që të sigurojnë se të gjitha nismat e ardhshme të zhvilluara për të shfrytëzuar këtë rritje i përfshijnë të gjitha shtresat- duke rritur mirëqenien e përbashkët për të gjithë popullsinë në rajon.
Rritja ekonomike është guri i themelit për të reduktuar varfërinë dhe për mirëqenien e përbashkët në rajon por rritja nga e cila përfitojnë vetëm disa segmente të popullsisë nuk është e qendrueshme dhe mund të kufizojë potencialin afat-gjatë për rritjen ekonomike të një vendi. Ndërkohë që rritja e konsumit tek ata që përbëjnë 40% e poshtëm të shpërndarjes së konsumit në gjashtë vendet e EJL-së ka variuar, në përgjithësi kjo rritje është zbehur në krahasim me shumë prej vendeve të tjera fqinje të rajonit të Europës apo me vendet e Azisë Qendrore. Në mënyrë që të merren masa për këtë tendencë kanë filluar të zhvillohen nisma të reja për të ndihmuar politikëbërësit në rajon që të zhvillojnë programe e politika që janë më gjithëpërfshirëse dhe të afta për të rritur mjetet e jetesës të shtresave më të cënueshme të popullsisë në të gjithë rajonin.
Gjithsesi, ajo që është jetike në zhvillimin e nismave të tilla është që të kuptohen mire nxitësit specifikë të mirëqenies së përbashkët në të gjashta këto vende si një e tërë. Kjo analizë është forca lëvizëse e një studimi të ri që i identifikon këta nxitës dhe ravijëzon politika dhe rekomandime specifike për të zhvilluar ndërhyrje të përshtatshme në rajon, të cilat mund të nxisin mirëqenie të përbashkët më të madhe –veçanërisht në radhët e 40% të poshtëm.
Ky studim, Një vështrim i parë mbi promovimin e mirëqënies së përbashkë në Evropën Juglindore, përmban një material që paraqet se çfarë rezultatesh ka pasur rajoni në nxitjen e mirëqenies së përbashkët si dhe eksploron rrugët përgjatë dimensioneve të ndryshme drejt mirëqenies së përbashkët.
“Duke rritur mirëqenien e përbashkët, mund të kontribuojmë për rritjen në tërësi në rajon”, thekson Gallina Andronova Vincelette, Krye-ekonomiste në Bankën Botërore dhe bashkë-autore e studimit, “gjithsesi për të arritur rezultatet e dëshiruara nevojiten më shumë të dhëna dhe analiza. Ky është vetëm hapi i parë i një udhëtimi të gjatë”.
Raporti ka një qasje që bazohet tek asetet në mbledhjen dhe analizimin e këtyre të dhënave specifike, duke aplikuar një kuadër mikroekonomik për zhvillim politikash që merret me asetet e familjeve, intensitetin e përdorimit të tyre (si dhe përfitimin nga investimi në to) dhe ndikimin e transfertave private dhe publike për këto familje. Kjo qasje na tregon se 40% i poshtëm në rajon jo vetëm që ka tendencën që të ketë më pak asete, duke përfshirë në to edhe arsimin e kursimet, por edhe se ata i përdorin këto asete me një intensitet më të ulët si dhe marrin përfitim më të vogël nga përdorimi i tyre. Në studim parashtrohet edhe se ky grup është më i cënueshëm ndaj goditjeve duke zvogëluar kështu më tej shanset e tyre për të akumuluar asete e për të rritur kapacitetin e tyre prodhues në planin afat-gjatë.