Learn how the World Bank Group is helping countries with COVID-19 (coronavirus). Find Out

HISTORIA E PËRZGJEDHUR

Vazhdimi i reformave për të forcuar ringritjen e brishtë në Evropën Juglindore

2013-06-18


Image

PIKAT KRYESORE TE historisë
  • Gjashtë vende në Evropën Juglindore (EJL) po dalin nga një recesion i dyfishtë dhe pritet të rriten me 1.7 për qind së bashku
  • Raporti i fundit për zhvillimin ekonomik analizon parashikimin ekonomik për rajonin gjatë 2013 dhe ofron analiza dhe rekomandime mbi reformat dhe politikat për ruajtjen dhe shtimin e rritjes ekonomike në këto vende
  • Tri fushat kryesore të angazhimit të reformave, të cilat mund të ndihmojnë këtë rajon janë: konsolidim i vazhdueshëm fiskal, përmirësime të klimës së biznesit dhe plotësimi i hendekut në aftësitë



Pas një recesioni të dyfishtë në 2012, në rajonin e Evropës Juglindore (EJL), i cili pa një tkurrje të rritjes me rreth 0.6 për qind, të gjashtë vendet e këtij rajoni – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Ish- Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia – tani pritet të rriten me një normë prej 1.7 për qind gjatë vitit 2013. Megjithëse e brishtë, kjo rritje është pozitive për rajonin, ku Kosova do të përjetojë rritje prej 3 për qind dhe Serbia – ekonomia më e madhe e rajonit – pritet të rritet me 2 për qind, duke shënuar një ngritje të rritjes ekonomike në gjithë rajonin dhe duke përcaktuar panoramën për rritje të mëtejshme në 2014 dhe përtej.

Çështja është se si të ruhet dhe të ndihmohet forcimi i kësaj rritjeje dhe të sigurohet që këto vende nuk bien në tendencën ekonomike të së kaluarës së afërt të rrëshqitjes sërish në recesion. Me ringritjen e ngadaltë të kreditimit në rajon, vazhdimin e tkurrjes së kreditimit, dhe Eurozonën që ka mundësi të mbetet në recesion gjatë gjithë vitit 2013, ringritja e fortë afatshkurtër mbetet e vakët dhe shqetësimet rreth mënyrës se si të mbështetet kjo rritje, mbeten ende të larta. Një nivel i lartë papunësie prej rreth 23 % në rajon dhe nivelet e papunësisë së të rinjve me më shumë se 50% në Maqedoni dhe Serbi gjithashtu po frenojnë perspektivën e rritjes së mëtejshme. Vendet e punës nuk po krijohen aq shpejt sa duhet për të thithur ata që hyjnë rishtas në fuqinë punëtore. 


" Raporti i mëparshëm theksoi nevojën që këto vende të reformojnë një numër fushash strukturore, tani ka nevojë të dyfishohen këto përpjekje duke parë mjedisin e biznesit – heqja e barrierave dhe përmirësimi i gjërave si lejet e ndërtimit – dhe trajtimi i hendekut të aftësive. "

Abebe Adugna

ekonomist i lartë në Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore në Bankën Botërore

Analistët dhe ekspertët në Grupin e Bankës Botërore po punojnë me politikëbërësit dhe janë angazhuar në një dialog të gjerë politikash me grupet e interesit në rajon për të ndihmuar në trajtimin e këtyre çështjeve të vështira. Ne vazhdën e kësaj përpjekje, në 18 Qershor u prezantua Raporti i fundit i Zhvillimit Ekonomik të Evropës Juglindore (SEE RER). Ky raport analizon mjedisin actual ekonomik në këtë rajon dhe shqyrton një numër fushash të mundshme për reformë. Ndërmjet këtyre reformave që mund të kenë një ndikim të veçantë në rritjen ekonomike në rajon, sipas raportit, janë konsolidimi i vazhduar fiskal, përmirësimet në klimën e biznesit në secilen prej këtyre gjashtë vendeve dhe trajtimi i mospërputhjes së vazhdueshme të aftësive.

“Raporti i mëparshëm theksoi nevojën që këto vende të reformojnë një numër fushash strukturore,” thotë Abebe Adugna, ekonomist i lartë në Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore në Bankën Botërore dhe bashkautor i raportit, “tani ka nevojë të dyfishohen këto përpjekje duke parë mjedisin e biznesit – heqja e barrierave dhe përmirësimi i gjërave si lejet e ndërtimit – dhe trajtimi i hendekut të aftësive.” 

Sipas raportit të mëparshëm, të dhjetorit 2012, rritja e ulët, huamarrja e shtuar dhe vulnerabilitetet e vazhdueshme financiare dhe sociale e bënë rajonin veçanërisht të prekshëm nga goditjet e vazhdueshme ekonomike. Ashtu si në atë raport, edhe ky raport i fundit shqyrton reformat e vazhdueshme fiskale, të cilat mund të ndihmojnë trajtimin e këtyre vulnerabiliteteve dhe të përmirësojnë sektorin financiar në të gjashtë vendet e rajonit. Të gjithë këto vende kanë bërë përparim të konsiderueshëm në reformat e sektorit financiar gjatë dy viteve të fundit, por më shumë duhet të bëhet. Duhet të prioritizohen masa gjithëpërfshirëse, të cilat mund të ndihmojnë në uljen e niveleve të larta të kredive të këqija në rajon. Reformat e sektorit bankar që kërkojnë bashkërendimin e shtuar me rregullatorët e Bashkimit Evropian janë komponentë të nevojshëm të reformës, siç është edhe përmirësimi i mbrojtjes së sigurimit të depozitave. Gjithashtu, një përmirësim i kuadrit gjithëpërfshirës të menaxhimit të krizave – që mund të përgatisë autoritetet në rajon për një llojshmëri të skenareve negative – do të ndihmojë në amortizimin e këtyre vendeve ndaj tronditjeve të vazhdueshme ekonomike në rajon.

Vendet në rajonin e EJL mundet gjithashtu të përmirësojnë ndikimin e krijuar nga këto reforma fiskale duke i plotësuar ato me reforma të klimës së biznesit. Raporti vë në dukje që një mjedis më pak i ngarkuar rregullator mund të ndihmojë firmat në këtë rajon të përmirësojnë në mënyrë të ndjeshme punësimin dhe rentabilitetin. Këto përmirësime ekonomike mund të përforcohen më tej nga konkurrenca më e madhe, aksesi në infrastrukturë më cilësore, dhe efikasiteti i rritur i gjykatave në këto vende. Duke reduktuar barrierat për krijimin e bizneseve dhe përmirësuar klimën e përgjithshme të biznesit në rajon, këto vende mund të ngrenë themele të forta për punësim dhe rritje të përmirësuar afatgjatë.

Së fundmi, shoqërimi i këtyre reformave të përqendruara drejt përmirësimeve afatshkurtra me ato reforma që trajtojnë probleme strukturore më afatgjata, mund të ndihmojë vendet në EJL për sigurimin e qëndrueshmërisë së përgjithshme të rritjes në rajon. Ajo që ka rëndësi më të madhe në këto reforma afatgjata është nevoja për të trajtuar hendekun e vazhdueshëm të aftësive në rajon.

“Në periudhën afatgjatë rajoni do të përballet me një sfidë të rëndësishme demografike,” vëren Adugna, “ndaj duhet një vemendje e veçantë mbi aftësitë – duke siguruar që pjesëmarrësit në fuqinë punëtore përputhen mirë me nevojat e tregut. Për ta bërë këtë, këto vende duhet të prioritizojnë arsimin, trajnimin dhe të mësuarin gjatë gjithë jetës.”  

Raporti tregon që përmirësimi i aftësive për t’u punësuar në rajon do të kërkojë që gjashtë vendet të përmirësojnë cilësinë e sistemeve të tyre të arsimit. Për shkak se sistemet e arsimit dhe trajnimit në rajon nuk po përshtaten me zhvendosjet në kërkesat për fuqi punëtore, mangësitë në aftësim po fillojnë të kufizojnë aftësinë për t’u punësuar, qofshin këta punëtorë të rinj apo të vjetër. Ky është një problem i veçantë për Kosovën dhe Shqipërinë, ku më shumë se 70 për qind e firmave në këto vende e konsiderojnë mungesën e përgjithshme të aftësive në radhët e punëmarrësve si kufizim për rritjen. Duke zhvilluar sisteme që ofrojnë aftësitë e nevojshme që kërkohen nga vendet e reja të punës – duke u dhënë prioritet aftësive analitike përkundrejt memorizimit – këto vende mund të fillojnë të plotësojnë kërkesat që po ndryshojnë në tregun e tanishëm dhe të ardhshëm të punës. Këto përmirësime mund të përforcohen nga një sistem  që ofron arsim të vazhdueshëm dhe mundësi mësimi për të rriturit.

Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia tani kanë dalë nga një recesion i dyfishtë dhe po përgatiten për rritje ekonomike në 2013 dhe në 2014. Ndërprerja e tendencës së rritjes së kohëve të fundit e ndjekur nga rënia, është thelbësore për ringritjen afatgjatë ekonomike në rajon. Duke prioritizuar reformat politikëbërësit mund të bëjnë shumë për të siguruar që ky cikël ndërpritet, duke krijuar kushtet për një rritje të fortë të të ardhurave, punësimit dhe mundësive në Ballkanin Perëndimor. 


MULTIMEDIA

Api
Api