Portofoli i Bankës Botërore
Numri i Projekteve | 10 |
---|
Totali i kredive | 638 milionë US$ |
IBRD | 10 kredi (603 milionë US$) |
IDA | 35 milionë US$ |
Grante | 9 (19 milionë US$) |
Programi aktual i Grupit të Bankës Botërore në Shqipëri udhëhiqet nga Kuadri i Partneritetit të Vendit (KPV) për VF15-20, i cili bëri të mundur analiza, këshillime dhe financime për mbështetjen e rritjes së barabartë ekonomike të Shqipërisë dhe integrimit të saj në Bashkimin Evropian. KPV përqendrohet në tri fusha kryesore:
- rivendosja e balancave makroekonomike
- krijimi i kushteve për rritje të përshpejtuar të sektorit privat
- forcimi i menaxhimit të sektorit publik dhe ofrimit të shërbimeve
Tashmë është realizuar më shumë se 80 përqind e programit. Në shtator 2020, Studimi mbi Përshtatjen e Programit të Vendit paraqiti një strategji të përkohshme për Bankën për të ndihmuar mbështetjen e prioriteteve kryesore të Qeverisë. Programi u përshtat për të adresuar nevojat e vendit pas tërmetit, si dhe për shkak të COVID-19. Projekti aktual i Përmirësimit të Sistemit Shëndetësor do të ristrukturohet dhe financimi shtesë do të ndihmojë për t’iu përgjigjur kërkesës së Qeverisë për rindërtimin e spitalit në zonat e prekura nga tërmeti (Spitali i Laçit po rindërtohet si rezultat i këtyre përpjekjeve). Projekti Emergjent COVID-19 u miratua nga Bordi i Bankës në 30 korrik, 2020. Më shumë se 60 përqind e prokurimit do të kryhet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projektit. Një KPV e re për Shqipërinë do të përgatitet pas zgjedhjeve të përgjithshme në fund të prillit 2021.
Huaja për financimin e Politikave të Zhvillimit të Qëndrueshmërisë Fiskale dhe Rritjes Ekonomike prej 80 milionë US$ u disbursua në fund të mars 2021. Ky projekt përqendrohej në reformat e rëndësishmepër ristrukturimin dhe rimëkëmbjen e qëndrueshme të ekonomisë. Projekti gjithashtu synonte të ndihmonte vendin në tërheqjen dhe shfrytëzimin e financimit të sektorit privat duke siguruar një mbështetje për reformat kritike strukturore dhe si sinjal i angazhimit të vazhdueshëm të Shqipërisë për qëndrueshmërinë fiskale dhe rritjen ekonomike.
ANGAZHIMET KYÇE
Pas tërmetit shkatërrues të vitit 2019 dhe pasojave të tmerrshme të pandemisë COVID-19, vendi u përball me nevoja të shumëfishta. Qeveria e Shqipërisë u angazhua të mbështetste të varfërit dhe ata që u prekën më shumë nga kjo krizë e dyfishtë, përfshirë bizneset, duke përdorur rezervat e saj fiskale, rialokuar buxhetet drejt prioriteteve urgjente dhe duke u mbështetur në ndihmën e huaj.
Shqipëria nuk ka një strategji ose plan gjithëpërfshirës për qëndrueshmëri financiare për të adresuar fatkeqësitë dhe tronditjet e mëdha. Nëse mungon financimi i nevojshëm ose kur ka vonesa në aksesin në financim, pasojat e katastrofave mund të jenë në mënyrë të panevojshme të mëdhz, duke përkeqësuar ngadalësimin e rritjes ekonomike dhe varfërinë dhe duke çuar në paqëndrueshmëri të buxhetit. Prandaj, është e nevojshme të ketë një qasje strategjike që të adresohen boshllëqet e financimit në periudhë afatgjatë dhe në mënyrë të qëndrueshme.
Pas katastrofave të tilla në Shqipëri boshllëqet e financimit mund të jenë të konsiderueshme dhe ka të ngjarë të mbulohen përmes financimit ex-post, siç janë shkurtimet e buxhetit. Në janar 2021, Banka Botërore së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë (MFE), përfundoi një diagnostikim mbi financimin e rrezikut ndaj katastrofave në Shqipëri, duke vlerësuar se tërmetet dhe përmbytjet mund të shkaktojnë mesatarisht dëme prej 147 milionë US$ në vit. Tërmetet do të kenë ndikimin më të madh; dëmet nga një tërmet i madh, siç janë nga ato që ndodhin një herë në 100 vjet, mund të tejkalojnë 2 miliardë US$. Për shkak të nivelit të kufizuar të financimit në dispozicion dhe të planifikuar më parë, hendeku i financimit mund të shkojë mesatarisht 130 milionë US$ çdo vit.
Bazuar në gjetjet e diagnostikimit, nën drejtimin e MFE-së, Qeveria, vendosi të ndërmarrë disa hapa për të forcuar disponueshmërinë e financimit, përfshirë zhvillimin e një Strategjie të Financimit të Rrezikut ndaj Katastrofave. Kjo strategji do të përcaktojë kornizën e politikave për të përmirësuar qasjen e qeverisë për financimin e detyrimeve të kushtëzuara që lidhen me katastrofat. Strategjia përshkruan prioritetet kryesore të Qeverisë në menaxhimin e detyrimeve të mundshme që krijohen nga katastrofat duke minimizuar kërcënimet ndaj stabilitetit fiskal, zhvillimit ekonomik dhe shoqëror dhe mirëqenies së qytetarëve.
Azhurnuar për herë të fundit: 19 prill 2021