Skip to Main Navigation
Fjalime dhe tekstet e fjalimeve 19 janar 2021

Fjalë rasti nga Massimiliano Paolucci: Konferenca për prezantimin e Master Planit të Ujitjes në Kosovë

I nderuar kryeministër, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ambasador i BE-së, mysafirë dhe partnerë të çmuar zhvillimorë, zonja dhe zotërinj, kam kënaqësinë që sot së bashku me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të prezantoj Master Planin e Ujitjes në Kosovë.  

Ndër mësimet e tjera që kemi nxjerrë, pandemia na ka treguar rëndësinë e ruajtjes dhe përmirësimit të prodhimit të ushqimit për të garantuar furnizimin adekuat të tregjeve, por edhe si një burim jetese për shumë njerëz. Kjo kërkon një rimendim serioz të mënyrës së prodhimit dhe livrimit të ushqimit, duke filluar nga origjina, nga mënyra sesi është i organizuar dhe i pajisur sistemi bujqësor.

Videoja interesante që sapo shikuam vë në pah një fakt të thjeshtë, por pa mëdyshje:  burimet ujore të Kosovës janë të kufizuara. Kjo është kryesisht për shkak të gjeografisë së vendit. Në fakt, Kosova mbështetet kryesisht në burimet e brendshme të ujit me një raport shumë të ulët të varësisë. Përpos përmes reshjeve, i vetmi fluks hyrës i ujit në Kosovë është përmes lumit Ibër. Kapaciteti i depozitimit të ujit është gjithashtu faktor kufizues.  Vëllimi i depozitave të Kosovës për frymë banori është vetëm 300 m3, rreth 41 për qind e mesatares rajonale. Kombinimi i burimeve të pakta të ujit dhe kapacitetit të ulët të depozitimit e bën Kosovën të cenueshme në raport me rreziqet natyrore aktuale dhe të ardhshme që lidhen me ndryshimet klimatike, veçanërisht përmbytjet dhe thatësira.

Projekti i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, i financuar nga Banka Botërore, e ka caktuar prioritet adresimin e cenueshmërisë së sektorit bujqësor të vendit në raport me disponueshmërinë e ujit dhe e ka bërë këtë duke mbështetur rehabilitimin e Skemës së Ujitjes Radoniq-Dukagjin, por, gjithashtu, përgatitjen e Master Planit të Ujitjes së Kosovës.

Master Plani është zhvilluar duke vlerësuar tokën dhe burimet ujore të Kosovës, duke analizuar sistemin e sotëm dhe të nesërm të bujqësisë në Kosovë, përveç kërkesës për ujë, bilancit të ujit dhe kapaciteteve depozituese. 

Objektivat strategjike të planit drejtohen nga parimet e: (i) realizueshmërisë teknike, (ii) shëndetit ekonomik dhe financiar, (iii) qëndrueshmërisë mjedisore, (iv) përfshirjes sociale dhe (v) përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike.

Duke u mbështetur në këtë, Master Plani përkufizon kornizën që identifikon zonat me prioritet për investime në ujitje në mbarë vendin që do të ofronin qasjen e nevojshme në ujë për zonat rurale. Ky është një parakusht për t’u angazhuar për tranzicion në një bujqësi komerciale me shanse për sukses dhe për të rritur rimëkëmbshmërinë dhe përshtatjen klimatike. 

Master Plani propozon një udhërrëfyes dhe një plan veprimi për të zbatuar me PRIORITET investime afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata për të përmbushur objektivat e tij kryesorë. 

Është thelbësore që çdo investim të bëhet duke konsideruar natyrën shumëdimensionale të ujitjes: kapacitetet dhe zotimin e bujqve, statusin e tokës, zhvillimin e zinxhirëve të vlerës, kapacitetet e ndërmarrjeve të ujitjes, rregullimet e financimit, etj.

Duke pasur parasysh këtë dhe me synimin për të arritur qëndrueshmërinë e projektit, Plani ndërthur zhvillimin e kapitalit të infrastrukturës me masat mbështetëse të përkufizuara dhe të zbatuara në nivel kombëtar dhe në nivelin lokal për të promovuar kushtet e nevojshme që investimet të arrijnë plotësisht objektivat e tyre të zhvillimit. 

Qëndrueshmëria e këtij programi ambicioz të ujitjes – nga pikëpamja teknike, sociale, ekonomike dhe mjedisore – mund të përmbushet vetëm nëse projektet e investimeve kapitale mbështeten nga reformat kyçe institucionale dhe rregullatore. Por kjo, nga ana tjetër, kërkon mundësimin e kushteve që reformat të ndodhin dhe të lulëzojnë me anë të asistencës së koordinuar teknike. Si shembull ilustrimi, më lejoni të citoj:

  1. Asistencë teknike për kompanitë e ujitjes për të përmirësuar qëndrueshmërinë dhe efikasitetin e investimeve në infrastrukturë, duke u përqendruar në promovimin e qeverisjes më të fortë të korporatave dhe praktikave më të mira në menaxhim, me rritjen e kapaciteteve të komunave për të menaxhuar kompanitë lokale të ujitjes dhe për të ofruar shërbime të ujitjes dhe kullimit për bujqit në mënyrë efektive dhe të qëndrueshme.
  2. Asistencë teknike për bujqit për të mbështetur zhvillimin e ujitjes në fermë dhe zhvillimin bujqësor në mënyrë që të rritet vlera e tyre e shtuar dhe të optimizohen kostot e prodhimit; në të njëjtën kohë, të sigurohet tranzicioni në një bujqësi më produktive me zbatimin e praktikave agro-ekologjike, dhe zhvillimin e zinxhirëve të vlerës dhe lidhjeve me tregun.
  3. Më lejoni të përfundoj duke shquar mbështetjen institucionale për optimizimin e kornizës legjislative për ujitjen, me promovimin e metodologjisë së përcaktimit të tarifave për shërbimet e ujitjes.

Në planin afatshkurtër, Banka do të punojë ngushtë me BE-në për të krijuar një Fond të Mirëbesimit për implementimin e financimit të BE-së në kuadër të IPA-s prej 10 milionë euro për të mbështetur më tej zhvillimin e sektorit të ujitjes në Kosovë.  Me shikim kah e ardhmja, ndërsa shkojmë drejt përgatitjes së strategjisë sonë të ardhshme të partneritetit në dy vitet vijuese, ne do të vlerësojmë mundësinë e mbështetjes plotësuese për sektorin e bujqësisë. Faktorët kryesorë për këtë vendim do të jenë një vlerësim i kujdesshëm i arritjeve dhe mësimeve të nxjerra nga Projekti aktual i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, por edhe një marrëveshje me autoritetet qeveritare mbi prioritetet e sektorit dhe të financimit për programin tonë. 

Ju falënderoj shumë edhe njëherë për mundësinë për të qenë me ju sot në këtë platformë virtuale për të festuar prezantimin dhe zbatimin e këtij mjeti të fuqishëm zhvillimor në të ardhmen. 

Api
Api