Learn how the World Bank Group is helping countries with COVID-19 (coronavirus). Find Out

Fjalime dhe tekstet e fjalimeve 2019-03-01

Takimi i parë i Grupit Këshillimor Greenback: Fjala hapëse e Evis Sulko, Drejtoreshë e Komanduar e Bankës Botërore për Shqipërinë

Kam kënaqësinë të jem pjesë e takimit të parë të Grupi Këshillimor Greenback dhe t’i bashkohem përpjekjeve tuaja për të përdorur levën e remitancave për një përfshirje më të gjerë financiare në Shqipëri.

Grupi Këshillimor Greenback nisi si një ide për të pasuruar punën që Grupi për Zhvillimin e Sistemit të Pagesave në Bankën Botërore po zhvillon në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, ndërsa kjo e fundit mbështetet nga Programi i Remitancave dhe Pagesave, financuar nga Sekretariati Zviceran i Politikave Ekonomike.

Programi, zbatohet edhe në shtete të tjera në rajon dhe synon rritjen e sigurisë dhe eficencës të pagesave, me një fokus të veçantë tek remitancat ndërkombëtare. Përfshirja financiare është një nga qëllimet përfundimtare të këtij programi dhe një nga mënyrat e theksuara në këtë program është edhe implementimi i komponentit të Projektit Greenback 2.0 në Berat.

Çfarë është projekti Greenback 2.0? Pse duhet të kemi interes për përfshirjen financiare? Pse kemi kaq shumë interes për remitancat?

Remitancat janë një komponent jetësor për të ardhurat e familjes mesatare në Shqipëri. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, janë 1,2 milionë shqiptarë që jetojnë jashtë, çka është më shumë se 40 për qind e popullsisë aktuale që jeton brenda kufijve të Shqipërisë. Banka Botërore vlerëson se fluksi hyrës i remitancave përmes kanaleve të rregullta në vitin 2018 do të arrijë vlerën 1,6 miliardë dollarë, që përbën 10,4 për qind të PBB-së.

Image
Megjithatë, ky burim i rëndësishëm të ardhurash për familjen shqiptare vjen me një kosto të lartë. Të dhënat më të fundit (tremujori i katërt i 2018-ës) tregojnë se kostoja mesatare e dërgimit të 200 dollarëve (apo e një shume të barasvlershme) në Shqipëri është 9,2% e vlerës (ose rreth 18,40 dollarë). Kjo vlerë është shumë më e madhe se kostoja mesatare globale (7.01%) dhe ajo rajonale (Europa Lindore dhe Azia Qëndrore) që është 6.9%.

Kostoja mund të jetë edhe më e lartë po të konsiderojmë kostot indirekte të dërgimit dhe marrjes së remitancave të tilla si distanca me pikën e shërbimit, konvertimet me kursin e këmbimit dhe transaksionet me para në dorë.  Sipas një studimi tjetër të kryer nga ekipi i Grupit të Bankës Botërore për të njëjtin program, kjo kosto vlerësohet të jetë rreth 1% e çdo 200 dollarëve të dërguar në Shqipëri. Si rezultat, Grupi i Bankës Botërore vlerëson se më shumë se një e treta (37 përqind) e flukseve hyrëse të remitancave kryhen përmes transportimit fizik të parave përtej kufijve.

Në këtë kontekst, Grupi i Bankës Botërore po zbaton projektin Greenback 2.0 në Berat, qyteti me nivelin e dytë më të lartë të remitancave të marra nga popullata, pas qytetit të Dibrës.

Projekti fokusohet tek kërkesa -  përdoruesit e shërbimeve të remitancave, duke promovuar edukimin financiar dhe ngritjen e vetëdijes në nivel lokal; dhe gjithashtu tek oferta: projekti ndërvepron me ofruesit e shërbimeve të remitancave, me qëllim inkurajimin e praktikave më të mira të nxitura nga kërkesa.

Për më tepër, remitancat shënojnë pikën e parë të hyrjes për shumë familje në sektorin e rregulluar financiar dhe shërbejnë si një burim kryesor i financimit jo vetëm për konsum, por edhe për mirëqënie afatgjatë për marrësit. Dërgesat e emigrantëve të dërguara nëpërmjet kanaleve të rregulluara në llogari mund të shërbejnë si provë e të ardhurave për shumë marrës dhe mund të përdoren si kolateral ose histori të ardhurash për marrjen e kredive ose të hapin rrugën për një ekonomi digjitale duke inkurajuar pagesat digjitale. Këtu është edhe lidhja me përfshirjen financiare ...

Grupi i Bankës Botërore ka ngritur Grupin Këshillimor Greenback, një forum unik i palëve të interesuara, i angazhuar për të punuar për përfshirjen financiare për të varfërit në këtë kontekst. Më vjen mirë të shoh se përfaqësues nga autoritetet vendore dhe kombëtare, rregullatorët, OJF-të dhe shoqatat dhe organizatat ndërkombëtare kanë pranuar të mbështesin nismën tonë dhe të bëhen pjesë e një pune për të siguruar rekomandime specifike për këtë temë.

Kjo është një mundësi e shkëlqyer për ne që të identifikojmë dhe të shqyrtojmë sinergjitë e mundshme midis projekteve dhe iniciativave tuaja aktuale me punën tonë mbi pagesat, remitancat dhe përfshirjen financiare.
Së dyti, metodologjia Greenback lejon transferimin lehtësisht të materialeve, bazës së njohurive dhe praktikave të tjera të dijes në segmente të tjera apo zona gjeografike. Banka Botërore mirëpret çdo sugjerim se si mund të maksimizohen rezultatet nga zbatimi i projektit në Berat, por gjithashtu se si të çojmë përpara këtë punë pas përfundimit të projektit.
E fundit por jo më pak e rëndësishme, rritja e profilit të përfshirjes financiare në vend përmes këtij grupi me shumë ndikim do t’i shërbente së tepërmi qëllimit të madh për qëndrueshmëri dhe informim për iniciativa të mëtejshme.

Për ta përmbledhur, dëshiroj t'ju falenderoj edhe njëherë që jeni pararojë e axhendës për zhvillim në vend, për sjelljen e një experience unike për sfidat e njohura dhe që në mënyrë aktive sugjeroni dhe bashkoni forcat me ne për të bërë që remitancat të nxisin mirëqënien.

Faleminderit për vëmendjen dhe për ardhjen tuaj këtu sot.

Api
Api