Learn how the World Bank Group is helping countries with COVID-19 (coronavirus). Find Out

Fjalime dhe tekstet e fjalimeve

Prezantimi i Programit të Granteve në Kuadrin e Projektit të Shërbimeve Mjedisore

2016-05-16


Tahseen Sayed Tirana, Shqipëria

Siç përgatitet për t’u mbajtur

Të nderuar zotërinj ministra Koka dhe Panariti, I nderuar përfaqesues i Agjencisë së bashkëpunimit ndërkombëtar suedez,

Të nderuar të ftuar,

Dëshiroj t’ju falenderoj që më ftuat për të marrë pjesë në prezantimin e programit të granteve të mbështetur nga Projekti për Shërbimet Mjedisore. Projekti me vlerë prej 22 milionë USD financohet nga qeveria suedeze, Organizata për Mjedisin Global (GEF) dhe Banka Botërore. Ky projekt synon të mbështesë Shqipërinë në mbrojtjen e burimeve të pasura natyrore të vendit duke rritur prodhueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e përdorimit të tokës. Projekti është në harmoni me Strategjinë e Mjedisit të Bankës Botërore si dhe me objektivat e Kuadrit të Partneritetit të Bankës Botërore për Shqipërinë.

Duke qenë se më shumë se 52 përqind e sipërfaqes së vendit është e mbuluar me pyje, sektori i pyjeve në Shqipëri ka një potencial të jashtëzakonshëm për të mbështetur rritjen ekonomike, zhvillimin rural dhe përmirësimin e jetës së popullsisë lokale qofshin këta burra apo gra. Megjithatë, pjesa më e madhe e pyjeve dhe kullotave që u janë transferuar autoriteteve vendore është në një gjendje jo të mirë për shkakt të erozionit dhe praktikave të paqëndrueshme të pyjeve dhe bujqësisë. Në mënyrë që të ruhen burimet e pasura natyrore dhe të rritet prodhueshmëria bujqësore, është thelbësore që ato të menaxhohen në mënyrë të qëndrueshme dhe me pjesëmarrjen e komunitetit.

Gjatë dekadës së kaluar ka pasur disa përpjekje për reformimin e sektorit,  përfshirë edhe ndryshime të mëdha në rolet, mandatet dhe marrëdhëniet midis shtetit, qeverisë vendore, përdoruesve tradicionalë dhe sektorit privat. Rreth 60 përqind e pyjeve dhe e kullotave në pronësi të shtetit janë transferuar në pronësinë e autoriteteve vendore dhe kalimi i 20 përqind më shumë pritet t’u transferohet bashkive. Këto masa institucionale, ligjore dhe administrative duhet të plotësohen me pjesëmarrjen e gjerë të përdoruesve tradicionalë në planifikimin dhe menaxhimin e pyjeve, si dhe të mbështeten nga masa për fuqizimin e kapaciteteve të tyre. Përvoja globale demonstron se transferimi i përgjegjësive në nivelin e qeverisjes vendore duhet të shoqërohet me mbështetje të madhe për ngritjen e kapaciteteve. Jam e kënaqur që Projekti për Shërbimet Mjedisore mbështet përgatitjen e planeve për menaxhimin e pyjeve dhe të kullotave si dhe regjistrimin e tyre. Projekti mbështet gjithashtu veprimtari të përbashkëta që duhet të realizohen në nivel kombëtar dhe në nivel lokal si p.sh. inventarizimin kombëtar të pyjeve dhe ngritjen e sistemit të informacionit për pyjet në Shqipëri.

Prezantimi i programit për 4 milionë euro grante në kuadrin e Projektit të Shërbimeve Mjedisore synon t’u japë komuniteteve rurale mundësi alternative për të siguruar jetesën dhe rritur të ardhurat. Presim që ky program të forcojë edhe kapacitetet e Ministrisë së Mjedisit si dhe të Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR) në varësi të Ministrisë së Bujqësisë për të zbatuar politikat dhe programet e BE-së. Grantet do t’u jepen pronarëve të pyjeve dhe përdoruesve tradicionalë për të bërë investime në pyje dhe në kullota, për të rikuperuar, ruajtur dhe përforcuar ekosistemet në zonat e larta malore, duke adresuar në këtë mënyrë edhe sfidat e ndryshimeve klimaterike.

Hartimi i granteve ka përfituar nga përvojat rajonale për mbështetjen e zhvillimit të kapaciteteve të institucioneve dhe përfituesve për të zbatuar Programin dhe Financimin e Instrumentit të BE-së për Ndihmën para Aderimit për Zhvillimin Rural (IPARD) sapo ato të bëhen të disponueshme. Mësimet e nxjerra nga përvoja rajonale tregojnë se është e nevojshme që Qeveria t’i përgatisë institucionet e saj, të krijojë struktura e procedura që kërkohen nga BE për të disbursuar fondet e IPARD të caktuara për vendin. Mësimi i dytë i rëndësishëm është se përthithja e fondeve do të mbetet e ulët nëse përfituesit nuk janë gati të aplikojnë dhe të zbatojnë një sistem krejt ndryshe të asistencës së qeverisë. Prandaj është kritike që të forcohen kapacitetet e përfituesit për të aplikuar për këto grante dhe për t’i menaxhuar ato. Një qasje hap pas hapi përmes futjes graduale të rregullave e kritereve të IPARD dhe i të mësuarit përmes punës  mund të kontribuojë që të arrihet që gjërat të jenë të qarta në marrëdhënien mes institucioneve financiare dhe përfituesve.

Shqipëria ka arritur tashmë progres në zbatimin e masave IPARD si mbështetetje për sektorin e bujqësisë. Veprimtaria e sotme shënon një hap kritik të radhës për Ministrinë e Mjedisit dhe për Ministrinë e Bujqësisë dhe Agjencinë e zhvillimit të burimeve njerëzore në krijimin e një sistemi për të mbështetur sektorin e pyjeve në mënyrë transparente e duke vënë në punë parimet themelore të IPARD si dhe duke mbështetur përfituesit që të mësojnë si të aplikojnë për fonde konkurruese.

Në mënyrë që zbatimi të jetë i suksesshëm, është e rëndësishme që të gjithë aktorët t’i kuptojnë plotësisht dhe t’i ndjekin me kujdes procedurat.  Është thelbësore gjithashtu që i gjithë procesi të jetë transparent. Duke pasur parasysh natyrën ndërsektoriale, nevojitet bashkëpunim i fortë ndërmjet institucioneve partnere. Kjo është hera e parë që këto lloj grantesh po ofrohen në sektorin e pyjeve në Shqipëri dhe kemi shpresa të mëdha se përvoja do të jetë e suksesshme dhe e qëndrueshme.

Në mbyllje ju uroj një zbatim të suksesshëm të raundit të parë të granteve në kuadrin e programit për shërbime mjedisore! 


Image
Api
Api