Fjalime dhe tekstet e fjalimeve

Fjala e Ellen Goldstein, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Europën Juglindore gjatë nënshkrimit të Projektit për Rimëkëmbjen e Sektorit Energjitik

3 nëntor 2014


Ellen Goldstein, Drejtoresha për Europën Juglindore Gjatë nënshkrimit të Projektit për Rimëkëmbjen e Sektorit Energjitik Tirana, Shqipëria

Siç përgatitet për t’u mbajtur

I nderuar Kryeministër,

Të nderuar Ministra,

Të nderuar të ftuar,

Jam takuar për herë të parë me Kryeministrin dhe Këshillin e Ministrave në një konferencë në gusht 2013, ku Bankës Botërore i ishte kërkuar të këshillonte Qeverinë e re mbi prioritetet për vendin. Në atë kohë, unë sugjerova se prioriteti më i madh dhe më urgjent për çdo qeveri ishte të parandalonte që të ndodhnin gjërat të këqija. Dhe në këtë rast, Qeveria e re duhej të parandalonte një krizë në sektorin energjitik, e cila do të kishte pasoja të rënda ekonomike, fiskale dhe sociale gjatë 2014 dhe më tej.

Prandaj jam shumë e kënaqur që jam sot këtu për të pranuar se Qeveria ka përmbushur atë që unë e konsideroj si përgjegjësinë më urgjente: parandalimin e një krize në sektorin energjitik. Shpesh është e vështirë për qytetarët të vlerësojnë tërësisht diçka që nuk ka ndodhur, por unë mund t’ju siguroj se në fillim të 2013, sektori energjitik ishte pranë kolapsit, me kërkesën që e tejkalonte furnizimin vendas, vite të tëra investimesh të papërfillshme, humbje të jashtëzakonshme teknike dhe joteknike, nivele të ulëta arkëtimi dhe institucione në borxhe, përfshirë këtu edhe një mosmarrëveshje të mundshme, të gjatë dhe të kushtueshme mes agjencisë së privatizuar të shpërndarjes dhe Qeverisë.


Image
Foto: Blerta Kambo

Kjo e fundit ishte një pengesë që duhej zgjidhur shpejt dhe në mënyrë të arsyeshme për vendosur rregull në sektorin energjitik. Një betejë e stërgjatë ligjore do të kish qënë një pengesë e pakapërcyeshme për të tërhequr investime të reja në sektor – përfshirë këtu edhe financimin nga Banka Botërore. Dua të vlerësoj Qeverinë që e kuptoi urgjencën e zgjidhjes së kësaj mosmarrëveshjeje dhe veproi me shpejtësi për të nisur zgjidhjen e problemeve më urgjente të sektorit energjitik.

Përmirësimi i sektorit energjitik është një nga themelet më të rëndësishme për të rritur investimet, rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës në Shqipëri. Furnizimi i paqëndrueshëm me energji, shihet si një nga kufizimet kryesore të të bërit biznes. Sot, humbjet kumulative në sektorin energjitik – të cilat financohen nga Qeveria – arrijnë 55 miliardë lekë. Kjo shumë pritej të rritej në mbi 80 miliardë lekë në 2018, nëse tani nuk ndërmerreshin reforma serioze. Ishin 80 miliardë lekë që Qeveria ndryshe do t’i shpenzonte për të përfunduar rrugët prioritare, për të përmirësuar cilësinë e arsimit apo për të siguruar barnat kryesore. Pra, nuk bëhet fjalë vetëm për sektorin: përmirësimi i sektorit energjitik është i nevojshëm që Qeveria të ridrejtojë burimet drejt shërbimeve publike prioritare si arsimi, shëndetësia dhe furnizimi me ujë.

Problemi historik i sektorit energjitik shqiptar – përfshirë edhe mosmarrëveshjen me CEZ-in – ka qenë mungesë përgjegjshmërie. Si mund të mbajë sektori veten nëse gjysma e energjisë elektrike vidhet? Si mund t’i besojnë qytetarët Qeverisë së tyre, nëse agjencitë publike nuk i paguajnë faturat e tyre të energjisë? Llogaridhënia reciproke është kyçe në kthimin e faqes për një sektor energjitik të falimentuar dhe joeficient. Qeveria duhet të japë llogari për investimin me zgjuarsi në sektor, pagesën e faturave të veta të energjisë, ndjekjen e atyre që e vjedhin energjinë dhe mbrojtjen e të varfërve dhe të moshuarve përmes targetimit më të mirë të programeve të mbrojtjes sociale për energjinë. Agjencitë duhet të japin llogari në ofrimin e një shërbimi të besueshëm dhe me çmim të arsyeshëm. Dhe konsumatorët familjarë dhe kompanitë duhet të japin llogari për përdorimin me eficiencë të energjisë dhe për të paguar për atë që përdorin.

Jam e inkurajuar nga reformat e fundit, të cilat synojnë t’i japing fund abuzimeve me sistemin dhe të krijojnë një kulturë llogaridhënie. Mbajtja e një niveli arbitrar prej 300 kv/orë ka shërbyer vetëm për të shtuar abuzimet si nga konsumatorët familjarë ashtu edhe nga bizneset. Vendimi për të shkuar drejt një tarife të unifikuar për përdorimin nga të gjithë konsumatorët familjarë është për t’u lavdëruar, sikurse është alokimi i burimeve nga Qeveria për një program të përmirësuar të mbrojtjes sociale, i cili siguron që të varfërit, personat me aftësi të kufizuar dhe të moshuarit të kenë akses në furnizimin me energji. Reformat e nisura po i japin tashmë rezultatet: niveli i arkëtimeve është rritur dhe humbjet kanë rënë nga 45 përqind në fillim të 2013 në rreth 35 përqind sot. Në Indi, Kompania “Energjia dhe Drita për Delhin Verior” arriti të reduktojë humbjet nga mbi 50 përqind në më pak se 15 përqind në disa vjet. Nëse India mundi ta bëjë këtë, edhe Shqipëria mundet!

Reformat duhen mbështetur përgjatë 4-5 viteve të ardhshme. Projekti 150 milionë dollarësh i Rimëkëmbjes së Sektorit Energjitik, i nënshkruar sot këtu do të mbështesë Qeverinë me investime afatmesme dhe këshillim teknik për të reduktuar humbjet, përmirësuar qeverisjen dhe rivendosjen e besimit të investitorëve në sektor. Besimi në qendrueshmërinë financiare të sektorit është kyç në zhbllokimin e milarda dollarë investimesh, bazuar në potencialin hidroenergjitik të Shqipërisë. Rritja e kapacitetit prodhues do të reduktojë gradualisht varësinë nga importi dhe do të ulë koston e ofrimit të energjisë elektrike për konsumatorët.

Vendosja e sektorit energjitik në një rrugë të qendrueshme është një element thelbësor në krijimin e një mjedisi biznesi që është tërheqës për investitorët dhe prodhon vende pune për të rinjtë shqiptarë. Por nuk mbaron këtu. Qeveria ka nisur gjithashtu reforma për ta kthyer një mjedis biznesi mediokër në standarde globale. Në Raportin e Bankës Botërore “Të bësh biznes” 2015 publikuar javën e kaluar, Shqipëria u ngjit për here të parë në gjysmën e parë të renditjes botërore për lehtësinë e të bërit biznes. Shqipëria u ngjit 40 vende në një vit, falë reformave në hapjen e biznesit, regjistrimin e pronës dhe lejeve të ndërtimit. Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë në fusha si titujt e pronësisë mbi tokën dhe zbatimin e kontratave – por arritjet gjatë të vitit të kaluar kanë qenë premtuese dhe kjo plotëson më së miri punën e nisur në sektorin energjitik.

Investitorët gjithashtu presin një mjedis të qendrueshëm dhe të mirëmenaxhuar makroekonomik dhe fiskal. Kjo është një fushë ku Qeveria po tregon kurajo të konsiderueshme në përballimin e zhbalancimeve serioze që u shfaqën pas krizës së Eurozonës, të cilat kanë ngadalësuar rimëkëmbjen ekonomike në Shqipëri. Stabilizimi i borxhit publik, shlyerja e borxheve publike, reduktimi i deficitit fiskal, reformimi i pensioneve dhe përmirësimi i ofrimit të shërbimeve publike po krijojnë kushtet për invesime private më të larta dhe rritje ekonomike. Agjencitë ndërkombëtare të renditjes e kanë rritur vlerësimin për Shqipërinë bazuar në angazhimin e qeverisë për këtë stabilizim makrofiskal afatmesëm. Vetëm për këtë vit, Qeveria ka shlyer 26 miliardë lekë pagesa të prapambetura, dhe priten edhe 9 miliardë të tjera deri në fund të vitit. Rritja ekonomike është në ngritje dhe duhet të vazhdojë për të mbajtur ritmin e të reformave të nisura.

Unë vërej progres të dukshëm gjatë 14 muajve të fundit në disa prej prioriteteve më kryesore për Shqipërinë. Është arritur shumë dhe – madje ç’ka ka më shumë rëndësi – momenti për reforma të mëtejshme është i rëndësishëm. Shqipëria është në krye të reformave në Ballkan, dhe marrja e statusit kandidat të BE-së reflekton këtë moment të jashtëzakonshëm. Tregon marrëdhënien e besimit që po vendoset midis Qeverisë dhe qytetarëve, dhe një sens përgjegjshmërie dypalëshe për të ndërtuar të ardhmen e Shqipërisë brenda Europës. Siç mund ta shohim në Ballkan dhe më tej – vonesa e reformave vetëm përkeqëson problemet e vështira, rrit dhimbjen e rregullimit të tyre dhe dobëson rimëkëmbjen ekonomike dhe prosperitetin e ardhshëm. Prandaj ju lutem, bashkojuni reformës sot!


Kontaktet e mediave
Tiranë
Ana Gjokutaj
tel : +355 4 228 0650/1
agjokutaj@worldbank.org

Api
Api

Welcome