Skip to Main Navigation
NJOFTIME PËR SHTYP 29 qershor 2020

Kosova ka ndërmarrë hapa kritikë në sigurinë kibernetike – thotë raporti i ri i Modelit të Pjekurisë së Kapacitetit të Sigurisë Kibernetike

PRISHTINË, 29 qershor 2020 - Kosova është përmirësuar në shumë fusha të kapacitetit të sigurisë kibernetike dhe ka një kuptim gjithëpërfshirës të mangësive ekzistuese dhe mundësive për ndërtimin e kapaciteteve në vitet e fundit, thotë raporti i ri i vlerësimit të sigurisë kibernetike. Raporti përdorë metodologjinë e Modelit të Pjekurisë së Kapacitetit (CMM) të Sigurisë Kibernetike për Kombet, të zhvilluar nga Qendra Globale e Sigurisë Kibernetike (GCSCC) të Universitetit të Oksfordit. Ky është vlerësimi i dytë i tillë nga hulumtuesit e GCSCC në Kosovë dhe u krye me përkrahjen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Mjedisit. Aktiviteti fillestar u realizua në vitin 2015, duke e bërë kështu Kosovën shtetin e parë në tërë botën që e ka pilotuar CMM-në dhe më pas i është nënshtruar rivlerësimit të CMM-së.

Vlerësimi i ri zbuloi se Kosova ka ndërmarrë hapa kritikë në ndërtimin e kapacitetit të sigurisë kibernetike, në veçanti duhet të ceket se ajo e ka miratuar Strategjinë e saj të parë Shtetërore të Sigurisë Kibernetike (SSK). Raporti i CMM-së i vitit 2019 tregoi që SSK i ka dhënë shtytje një reforme legjislative ambicioze, duke përfshirë riorganizimin e thellë të legjislacionit për krimin kibernetik, hartimin e një ligji gjithëpërfshirës ombrellë për sigurinë kibernetike dhe krijimin e bazës ligjore për identifikimin e infrastrukturës kritike shtetërore. Hulumtuesit arritën në përfundimin se duhet të ruhet ky vrull për ta mundësuar zbatimin e plotë të këtyre nismave legjislative. Rëndësia e njëjtë duhet t’i kushtohet për të siguruar se strukturat e krijuara siç është KOS-CERT i kanë resurset dhe përkrahjen në dispozicion për t’i përmbushur përgjegjësitë e tyre. Kjo pika e fundit vlen edhe për institucionet tjera si Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që kanë nevojë për përkrahje shtesë për ta zbutur problemin e ruajtjes së talenteve në Kosovë dhe mungesën e profesionistëve të kualifikuar në TIK dhe në sigurinë kibernetike.

 “Forcimi i sigurisë kibernetike është një hap thelbësor për të siguruar se të gjitha sistemet dhe infrastruktura TIK punojnë së bashku në mënyrë të sigurt. Ne i kemi marrë seriozisht rekomandimet nga Modeli i parë i Pjekurisë në Siguri Kibernetike dhe kemi bërë përparim domethënës në fushën e politikave”, tha Agim Kukaj, Drejtor i Postë-Telekomunikacionit dhe Teknologjisë Informative dhe Drejtor i Projektit të Ekonomisë Digjitale të Kosovës (KODE) në Ministrinë e Ekonomisë dhe Mjedisit. “Rivlerësimi nuk është vetëm një udhëzues për përmirësime të mëtejshme, por është edhe një mënyrë për t’i kuptuar më mirë pikat e forta dhe të dobëta në mënyrë krahasuese”.

Ky vlerësim u krye në kuadër të Programit Global të Kapacitetit për Siguri Kibernetike II, për të cilin financimi erdhi nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave e Koresë, përmes Instrumentit të Partneritetit Kore-Grupi i Bankës Botërore, që administrohet nga Banka Botërore. Si pjesë e këtij programi, shteti gjithashtu përfitoi nga një punëtori për ndërtimin e kapaciteteve, që u mbajt në Nëntor nga Qendra globale e sigurisë kibernetike për zhvillim, pjesë e Agjencisë Koreane për Internet dhe Siguri (KISA). Punëtoria dy-ditore në Nëntor 2019 mblodhi ekspertë të shumtë vendorë të sigurisë kibernetike, të cilët u ekspozuan njohurive të fundit mbi sigurinë kibernetike nga Republika e Koresë.

Banka Botërore po përkrah poashtu, nëpërmjet Projektit për Ekonominë  Digjitale në  Kosovë  (KODE), përmirësimin e qasjes në  shërbime më cilësore dhe me internet me shpejtësi të  lartë  në  zonat rurale, si dhe qasjen në  burime të  njohurive, shërbimeve dhe tregjeve të  punës “online” për qytetarët dhe institucionet publike e akademike.  

“Si cdo sektor tjetër i ekonomisë së ndërlidhur, edhe sektori publik është po ashtu një cak i përhershëm për kriminelët kibernetikë, dhe ne e kuptojmë se siguria efektive kibernetike është shumë më shumë se sa pajisjet teknologjike”, tha Marko Mantovanelli, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. “Banka Botërore do të vazhdojë ta përkrah Kosovën në këtë udhëtim sfidues, por edhe emocionues, në vitet në vazhdim”, shtoi ai.

CMM synon t’ia mundësojë qeverive t’i përcaktojnë piketat lidhur me kapacitetin e sigurisë kibernetike në pesë dimensione: politika dhe strategjia e sigurisë kibernetike; kultura dhe shoqëria kibernetike; arsimimi, trajnimi dhe kualifikimet në sigurinë kibernetike; kornizat ligjore dhe rregullatore; standardet, organizatat dhe teknologjitë. GCSCC dhe partnerët e saj ndërkombëtarë strategjikë e kanë zbarkuar CMM-në në më shumë se 80 shtete të botës që nga pilotimi i saj në Kosovë në 2015.

“Ne e përgëzojmë Qeverinë e Kosovës për përparimet në kapacitetin e sigurisë kibernetike që nga viti 2015”, tha Michael Goldsmith, Bashkëdrejtor i GCSCC. “Rishikimi i CMM-së për 2015 dhe Rivlerësimi i CMM-së për 2029 - i pari i kryer globalisht - kanë përkuar gjerësisht me fillimin dhe mbarimin e ciklit të Strategjisë së parë Shtetërore të Sigurisë Kibernetike. Si i tillë, rishikimi i dytë i CMM-së dha mundësi të shkëlqyeshme për ta vlerësuar përparimin në drejtim të një baze të fortë dhe t’i përcaktojë prioritetet për një strategji pasuese”.

# # #

Për më shumë informata në lidhje me CMM dhe raportet e shqyrtimit, ju lutem vizitoni Portalin e Kapaciteteve të Sigurisë Kibernetike, një burim i njohurive në lidhje me ndërtimin e kapaciteteve të sigurisë kibernetike në tërë botën: https://www.sbs.ox.ac.uk/cybersecurity-capacity

Qendra Globale e Kapacitetit për Siguri Kibernetike është qendër ndërkombëtare udhëheqëse për kërkime mbi ndërtimin e kapaciteteve të efektshme dhe efektive të sigurisë kibernetike, që promovon rritje në shkallë, ritëm, cilësi dhe ndikim të iniciativave për ndërtim të kapaciteteve të sigurisë kibernetike në botë.

Qendra globale e sigurisë kibernetike për zhvillim, e themeluar në vitin 2015, synon të shkëmbejë njohuri praktike dhe ta përkrahë ndërtimin e kapaciteteve në fushën e sigurisë kibernetike.

Banka Botërore (Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZh), e vlerësuar me Aaa/AAA (Moody’s/S&P), është një organizatë ndërkombëtare e krijuar në vitin 1944 dhe anëtare e parë e Grupit të Bankës Botërore. Ajo operon si kooperativë globale për zhvillim në pronësi të 189 shteteve. Banka Botërore i ka dy pikësynime: t’i jep fund varfërisë së skajshme dhe ta promovojë prosperitetin e përbashkët. Ajo u siguron anëtarëve të saj shërbime financimi, ekspertizë dhe koordinim, në mënyrë që ata të arrijnë zhvillim të barabartë dhe të qëndrueshëm ekonomik në ekonomitë e tyre kombëtare dhe të gjejnë zgjidhje efektive ndaj problemeve të ngutshme ekonomike dhe mjedisore rajonale dhe globale.

 


DEKLARATA PËR SHTYP NR: 2020/ECA/122

Kontakt

PRISHTINË
Lundrim Aliu
Laliu1@worldbank.org
Api
Api