Skip to Main Navigation
NJOFTIME PËR SHTYP 2019-10-09

Rritja ekonomike ngadalësohet në mbarë rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore mes dobësimit të tregtisë dhe rënies së aktivitetit industrial

UASHINGTON, 9 tetor 2019 – Rritja ekonomike në mbarë Evropën dhe Azinë Qendrore është në ngadalësim—rritja në nivel rajoni çmohet se do të jetë 1,8% për vitin 2019, sipas Përditësimit Ekonomik më të fundit të Bankës Botërore, për Evropën dhe Azinë Qendrore (EAQ). Ky vlerësim, që është niveli më i ulët në katër vjet, reflekton ngadalësimin e rritjes në Federatën Ruse dhe në Turqi, të cilat janë dy ekonomitë më të mëdha të rajonit EAQ. Në raport evidentohet edhe një rritje më e qëndrueshme në pjesë të tjera të rajonit, përfshirë vendet e Evropës Qendrore, Azisë Qendrore dhe Kaukazit Jugor.

Ngadalësimi i rritjes në këtë rajon ecën paralelisht me trendin global rënës dhe nënvizon nevojën për ta nxitur rritjen e produktivitetit dhe për të rritur investimet—të cilat kanë qenë në rënie gjatë dekadës së fundit. Në EAQ, këtyre vështirësive u shtohet edhe përkeqësimi i trendeve demografikë, përfshirë edhe tkurrjen në numër të popullsisë në moshë pune. Raport shikon të gjithë trendët e migrimit dhe jep të dhëna të rëndësishme, si për vendet pritëse, ashtu edhe për vendet e origjinës.

“Migrimi mund të kontribuojë në prosperitetin e rajonit,” thotë Asli Demirguc-Kunt, Kryeekonomiste e Bankës Botërore për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore. “Migruesit, në dallim nga grupet e tjera të popullsisë, janë në moshë pune dhe, për këtë arsye, mund t’i lehtësojnë trysnitë demografike nëpërmjet rritjes së numrit të fuqisë punëtore, produktivitetit dhe shkallës së rritjes ekonomike.”

Përqindja e imigrantëve në Evropë është rritur vrullshëm gjatë katër dekadave të fundit, ku një nga çdo tre imigrantë në botë tashmë shkon në Evropë. Migrimi brendapërbrenda rajonit është i lartë edhe në Evropën dhe Azinë Qendrore, ku 80% e emigrantëve vendosin të transferohen në vendet e tjera brenda rajonit. Por migrimi shpesh has në kundërshtim të fortë, ngaqë përfitimet në përgjithësi janë në afat të gjatë, ndërsa kostot, përfshirë kostot e zhvendosjes dhe papunësisë, janë të menjëhershme dhe të përqendruara mes disa grupeve të caktuara. Hartuesit e politikave duhet t’i ndihmojnë këto grupe nëpërmjet hartimit të programeve për riformim dhe nëpërmjet përshtatjes së sistemeve arsimore për të rinjtë, në mënyrë që të mos jenë në konkurrencë me imigrantë me nivel të ulët aftësish. Në këta komponentë, sipas raportit, mund të përfshiheshin pagesat e përkohshme sociale dhe pagimi i sigurimit nga papunësia.

Migrimi mund të ngjallë shqetësime edhe në lidhje me “largimin e trurit” ose largimin e fuqisë së aftësuar punëtore nga vendet e origjinës, duke qenë se në përgjithësi personat me nivel më të lartë arsimor janë ata që emigrojnë më shpesh në këtë rajon. Personat me arsim të lartë përbëjnë 55% të numrit gjithsej të emigrantëve nga Bosnja dhe Hercegovina, më shumë se 40% të emigrantëve nga Armenia dhe Letonia dhe afro 40% të emigrantëve nga Shqipëria, Moldavia, Maqedonia e Veriut, Republika Kirkize, Kazakistani, Rumania dhe Taxhikistani. Trende të tillë të vazhdueshëm shpesh janë simptomë dhe jo shkak i problemit bazë.

Përmirësimi i qeverisjes dhe fuqizimi i institucioneve në vendet e origjinës janë politikat afatgjata që mund t’u japin zgjidhje shkaqeve që qëndrojnë në rrënjë të emigrimit të vazhdueshëm. Në politikat me synim mbajtjen e fuqisë së aftësuar punëtore përfshihet nxitja e sektorit privat dhe fuqizimi i krijimit të vendeve të reja të punës, investimi në arsimin e lartë dhe rritja e mundësive për gratë në ekonomi. Rritja e konektivitetit është po ashtu një aspekt i rëndësishëm i rritjes së angazhimit me diasporën, duke qenë se emigrantët, të cilët i luajnë lidhjet me vendin e tyre kanë më shumë gjasa të investojnë dhe të kthehen në të. Raporti tregon se migrimin për jashtë vendit ka më shumë gjasa ta frenojë rritja e stimujve për të qëndruar në vendin e origjinës, dhe jo zbatimi i politikave që i kufizojnë përfitimet jashtë vendit. 




DEKLARATA PËR SHTYP NR: 2020/ECA/16

Kontakt

Uashington
Sona Panajyan
spanajyan@worldbank.org
Api
Api