Learn how the World Bank Group is helping countries with COVID-19 (coronavirus). Find Out

NJOFTIME PËR SHTYP 2019-03-05

Banka Botërore dhe Qeveria Gjermane përkrahin Kosovën për të përmirësuar pajtueshmërinë tatimore

PRISHTINË, 5 mars, 2019 – Mesazhet e dizajnuara në sjellje mund të jenë efektive në nxitjen e individëve që të deklarojnë taksat e tyre në Kosovë, sugjeron një studim i ri nga Banka Botërore dhe Qeveria Gjermane, i zbatuar nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit GmbH.

Iniciativa, e cila synon nxitjen e pajtueshmërisë tatimore mes grupeve të veçanta të tatimpaguesve në Kosovë, u krye me kërkesë të Administratës Tatimore të Kosovës. Eksperimentet përfshinë dërgimin e përkujtesave specifike duke përdorur letra, email dhe mesazhe SMS për grupe të ndryshme të tatimpaguesve, për të promovuar deklarimin dhe pagesa në kohë dhe të ndershme. Mesazhet ndihmuan në rritjen e shkallës së deklarimit tatimor me një mesatare prej rreth 3 pikë përqindjeje gjatë një periudhe prej katër deri në gjashtë javësh.

“Qeveria e Kosovës mbështetet në tatimet për më shumë se 85 për qind të të ardhurave të veta, çka e bën mobilizimin e të ardhurave nga tatimet një sfidë kritike zhvillimore,” tha Linda Van Gelder, Drejtore Rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor. Ajo shtoi se “zbatimi i këtyre ndërhyrjeve tatimore në Kosovë mbështetet në vlerësimin rigoroz të ndikimit, dhe kështu ofron përvojë kritike për hartuesit e politikave, çka mund t'u ndihmojë të ndërtojnë kapacitete në këtë fushë.”

Mes viteve 2011 dhe 2017, të ardhurat totale të qeverisë në Kosovë arritën në rreth 14 për qind të BPV-së - 19 për qind nën mesataren mes vendeve të tjera në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore. Sfida për Kosovën është që në të njëjtën kohë të sigurohet mbledhja e tatimeve me kosto më të ulët për administratën publike, dhe që të gjithë tatimpaguesit të jenë në pajtueshmëri duke deklaruar dhe paguar taksat e tyre.

Vendosja e një procesi për të testuar përpjekjet për arkëtimin e tatimeve, si dhe për përshtatja e sistemeve bazuar në mësimet e këtyre testeve, janë të paktën po aq e rëndësishme sa ndikimi i ndërhyrjeve në mobilizimin e të ardhurave. Studimi rekomandon që në të ardhmen përpjekjet e ngjashme për arkëtimin e tatimeve të shqyrtojnë përdorimin e kanaleve shtesë të komunikimit, siç janë mesazhet me bazë në internet dhe thirrjet telefonike përmes një qendre thirrjesh, si dhe angazhimi i grupeve shtesë, siç janë personat dhe bizneset me të hyra të paregjistruara.


DEKLARATA PËR SHTYP NR: 2019/ECA/89

Kontakt

Pristina
Lundrim Aliu
+383382444541100
laliu1@worldbank.org
Api
Api