Skip to Main Navigation
NJOFTIME PËR SHTYP 17 maj 2018

Komuniteti Rom i margjinalizuar mbetet ende më i përjashtuari në Shqipëri

Tiranë, 16 Maj 2018 - Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në përmbushjen e objektivave të përcaktuara në Planin Kombëtar të Veprimit për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve 2016-2020. Shkalla e regjistrimit të fëmijëve romë të margjinalizuar në Shqipëri në arsimin e detyrueshëm nga viti 2011 në 2017 është rritur ndjeshëm. Progresi i dukshëm përsa i përket regjistrimit në arsimin e detyrueshëm midis romëve të margjinalizuar rezultoi në një zvogëlim të hendekut në krahasim me fqinjët jo-romë nga 42 pikë përqindjeje në 2011 në 30 pikë përqindjeje në 2017. Numri i të rinjve që kanë përfunduar  arsimin e detyrueshëm dhe të mesëm gjithashtu është rritur. Progres ka patur edhe në plotësimin e dokumentacionit personal: pothuajse të gjithë romët e margjinalizuar ashtu si dhe jo-romët që jetojnë pranë tyre zotërojnë certifikata lindjeje dhe paisja me karta të identitetit është rritur. Aksesi në dokumentacionin personal është përmirësuar për të dy grupet.

Sic rezulton nga Anketa Rajonale mbi Romët 2017 e prezantuar sot në Tiranë. romët e margjinalizuar vazhdojnë të përballen me akses të kufizuar në pothuajse çdo aspekt të zhvillimit njerëzor, siç janë të drejtat themelore, shëndetësia, arsimi, strehimi, punësimi dhe standardi i jetesës.

Kjo është anketa e dytë e madhe e realizuar në Shqipëri mbi romët e margjinalizuar, pas mbledhjes së të dhënave në vitin 2011. Të dhënat e Shqipërisë u prezantuan në një seminar me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të zyrës së BE-së në Shqipëri, Bankës Botërore, PNUD në Shqipëri, Qendrës Rajonale të Stambollit dhe partnerë të zhvillimit lokal.

Të dhënat kryesore të anketës tregojnë se ekziston një hendek i madh midis romëve të margjinalizuar dhe banorëve jo romë që jetojnë në afërsi në aspektin e aftësive njerëzore dhe mirëqenies materiale. Ndërsa shkalla e regjistrimit në arsimin parashkollor të fëmijëve romë të margjinalizuar në Shqipëri, 35 përqind, është më e larta në rajon, kjo shifër mbetet akoma larg asaj të fqinjëve jo-romë dhe diferencat në arsim janë veçanërisht të dukshme për arsimin e detyrueshëm dhe atë përtej tij. Më pak se gjysma e të rinjve romë të margjinalizuar 18-21 vjeç  kanë përfunduar arsimin e detyruar. Gratë rome vazhdojnë të martohen në moshë të hershme. Strehimi dhe kushtet e jetesës vazhdojnë të jenë një shqetësim i madh. Megjithëse ka pasur përparim të dukshëm që nga viti 2011, romët e margjinalizuar ende jetojnë në banesa të mbipopulluara. Ata gjithashtu kanë më pak akses në ujin e rrjedhshëm dhe energjinë elektrike dhe kanalizime.

Pjesëmarrësit në seminar diskutuan ndikimin e rezultateve të studimit për hartimin dhe planifikimin e politikave dhe se si të përdorin këto të dhëna për qëllime monitorimi, vlerësimi dhe raportimi.

Anketa u mbështet nga Komisioni Evropian, Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit Evropian për Negocim dhe Zgjerim Rajonal (DG NEAR) dhe u zbatua nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim dhe Banka Botërore. Të dhënat e mbledhura përmes këtij anketimi do të përbëjnë bazën për një punë analitike për përfshirjen e romëve në Ballkanin Perëndimor që do të prezantohet më vonë këtë vit.

Si pjesë e aktivitetit, një dokumentar i realitetit virtual i titulluar “Unë jam Fatmira”, u shfaq për herë të parë në Shqipëri, duke treguar realitetin e romëve të parë nga perspektiva e një gruaje rome të guximshme, banuese në Fushë Krujë, Shqipëri.

Për më shumë informacion, ju lutemi referojuni broshurës së Anketës Rajonale të Romëve 2017 për Shqipërinë.


DEKLARATA PËR SHTYP NR: 2018/ECA/105

Kontakt

Banka Botërore
Ana Gjokutaj
agjokutaj@worldbank.org
Tiranë
Dasara Zeneli
EU Delegation Office in Albania
Dasara.ZENELI@eeas.europa.eu
UNDP Tiranë
Nora Kushti
Nora.kushti@undp.org
Api
Api