Learn how the World Bank Group is helping countries with COVID-19 (coronavirus). Find Out

NJOFTIME PËR SHTYP

Banka Botërore dhe Kosova nënshkruajnë Projektin për mbështetjen e sigurisë së ujit në Kosovë

2017-01-27


PRISHTINË, 27 janar 2017 — Ministri i Financave i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, dhe Drejtori i Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli, nënshkruan sot Letër Marrëveshjet për Projektin Siguria e Ujit dhe Mbrojtja e Kanalit. Ky projekt ka për qëllim kthimin e kanalit kryesor të ujit në Kosovë – Kanalin e Ibrit – në kapacitetin origjinal, që do të sigurojë që furnizimi më i besueshëm me ujë dhe cilësia më e mirë e ujit të sjellë përfitime për rreth 500,000 njerëz që jetojnë në pellgun e kanalit në Kosovën Qendrore dhe të bëhet faktor mbështetës për zhvillimin ekonomik dhe social.

“Kjo marrëveshje si shumë bashkëpunime të tjera me Bankën Botërore shërbejnë për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Avdullah Hoti, Ministër i Financave i Kosovës.

Kanali i Ibrit është sistem i bartjes së ujit me shumë qëllime i cili furnizon ujin që përdoret për prodhim të energjisë, mihje, industri, bujqësi dhe amvisëri. Kosova Qendrore, përfshirë edhe kryeqytetin Prishtinën, varet pothuaj tërësisht nga ky kanal për plotësimin e nevojave të saj për ujë. I ndërtuar në vitet 1970-ta, infrastruktura e kanalit është përkeqësuar me kalimin e viteve. Dëmtimet fizike dhe ndotja, si rezultat i rrëshqitjeve të dheut/ baltës, dheu jostabil, rrjedhjet nga fermat përreth dhe rrugët, mbeturinat dhe mbetjet e tjera të ngurta, kanë ndikuar në kapacitetin bartës të kanalit, si dhe në cilësinë e ujit.

“Uji është në qendër të zhvillimit ekonomik dhe social; ai është vital për ruajtjen e shëndetit, kultivimin e ushqimit, prodhimin e energjisë, krijimin e vendeve të punës dhe menaxhimin e ambientit përfshirë edhe ndikimet e vërshimeve ose thatësirave”, tha Marco Mantovanelli, Drejtor i Bankës Botërore për Kosovë. “Aktualisht, Kosova qendrore, rajoni me popullsinë më të dendur në vend i cili paraqet potencialin më të madh zhvillimor të Kosovës për shkak të përqendrimit të aktiviteteve minerare, bujqësore dhe industriale, është duke u sfiduar nga resurset e kufizuara ujore. Banka Botërore ka kënaqësinë të mbështes Kosovën që ajo të bëj furnizimin e ujit më të pastër dhe më të qëndrueshëm”.

Një komponent i financimit të projektit punon në përmirësimin e kapacitetit bartës të kanalit të Ibrit, mundësimin e mbylljes së kanalit për mirëmbajtje, forcimin e sigurisë së strukturës së kanalit kundër ndodhive ekstreme, dhe përmirësimin e sigurisë së pendës së Gazivodës. Këto punë përfshijnë ndërtimin e rezervuarit në zonën e Mihaliqit, i cili do të mundësojë ekuilibrimin e kërkesës dhe furnizimit me ujë për periudhën deri në vitin 2035, e po ashtu edhe ndërprerjen e rrjedhës së kanalit pa ndikuar në përdoruesit e ujit, sa herë që është e nevojshme të rehabilitohen pjesë të kanalit ose kur ndodh gjëra ekstreme. Një komponent tjetër financon punët dhe pajisjet për mbrojtjen dhe menaxhimin e resurseve ujore për të rritur efikasitetin dhe sigurinë operacionale të sistemit dhe për mbrojtjen e cilësisë së ujit nga ndotja e përsëritur ose aksidentale dhe nga çrregullimet që shkaktohen nga njeriu.

Projekti do të financohet tërësisht përmes kredisë në vlerë prej 22 milionë eurosh (24.5 milionë USD ekuivalentë) nga Asociacioni për Zhvillim Ndërkombëtar (IDA) i Grupit të Bankës Botërore, që është fond për vendet me nevojat më të mëdha zhvillimore. Kreditë e IDA-s jepen me kushte të favorshme me interes zero ose shumë të ulët dhe periudha të gjata të kthimit. Kredia për Projektin e Sigurisë së Ujit dhe Mbrojtjen e Kanalit në Kosovë ka një maturitet prej 25 vitesh, përfshirë edhe një periudhë grace prej 5 vitesh. Projekti do të zbatohet për gjashtë vite nga Ndërmarrja Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”, SH.A., dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik e Republikës së Kosovës.

Kontaktet e mediave
Në Uashington
Elena Karaban
tel : +1 (202) 473-9277
ekaraban@worldbank.org
Në Kosovë
Lundrim Aliu
tel : +381-38-224-454 -1107
laliu1@worldbank.org

DEKLARATA PËR SHTYP NR:
2017/ECA/077

Api
Api