NJOFTIME PËR SHTYP

Shqipëria shënon përmirësime të rëndësishme në renditjen botërore sipas raportit “Të bësh biznes 2017”

2016-10-25


TIRANË, 25 tetor 2016 –Shqipëria ka bërë hapa të mëdha në përmirësimin e mjedisit të biznesit në fushat kryesore rregullatore të biznesit, sipas raportit vjetor të Grupit të Bankës Botërore për lehtësinë e të bërit biznes, “Të bësh biznes 2017: Mundësi të barabarta për të gjithë”. Shqipëria lëvizi me 32 pozicione, duke u renditur në vendin e 58-të krahasuar me atë të 90-in në raportin e vitit të kaluar. Përmirësimet në mjedisin rregullator të biznesit reflektuan kryerjen e reformave të ndryshme.

Gjatë periudhës 2015-2016 Shqipëria ka bërë përmirësime themelore në kuadrin rregullator lokal në tri fusha kryesore. Është bërë më e lehtë marrja e lejeve të ndërtimit pas heqjes së moratoriumit dhe rikthimit të dhënies së lejeve të ndërtimit. Është kryer reformimi i procesit të inspektimit përfundimtar, si dhe i marrjes së çertifikatës së përputhshmërisë. Sigurimi i energjisë elektrike u bë më i lehtë duke përshpejtuar procesin për marrjen e një lidhjeje të re në rrjet. Gjithashtu, pagesa e taksave është bërë më e lehtë përmes një sistemi online për deklarimin dhe pagesën e taksave.

Përsa i takon distancës nga vlerësimi me pikë maksimale[1] (të vendeve që konsiderohen si praktikat më të mira për kryerjen e biznesit), Shqipëria u ngrit nga vendi 61.30 në raportin “Të bësh biznes 2016”, në atë të 68.90 në “Të bësh biznes 2017, si rezultat i përmirësimit të kuadrit rregullator të biznesit, siç reflektohet nga indikatorët e të bërit biznes në terma absolutë. Vendi po e ngushton tashmë distancën nga kufiri i vlerësimit maksimal botëror për kuadrin rregullator.

“Progresi i arritur në zbatimin e këtyrë reformave tregon përkushtimin e qeverisë për përmirësimin e klimës së biznesit, e cila është e nevojshme për rritjen ekonomike dhe hapjen e vendeve të punës, tha Tahseen Sayed, Përfaqësuese e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri.” Një progres i ngjashëm në fusha të tjera do të ndihmonte të ruhej ritmi i reformës për të pasur një klimë biznesi të rangut botëror.”

Në të ardhmen, Shqipëria mund të reformojë më tej lidhjet për energjinë elektrike, të zbatojë plotësisht platformën on-line për lëshimin e lejeve të ndërtimit, të përmirësojë procesin e transferimit të pronës dhe të rrisë eficiencën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve tregtare në gjykata. Gjithashtu, tregtia ndërkufitare mund të reformohet për të ulur kohën dhe kostot e procedurave në kufi.

Disa nga vendet e rajonit të Europës dhe Azisë Qendrore rezultojnë mes vendeve që kanë përmirësuar edhe më shumë renditjen sipas  raportit “Të bësh biznes 2017”. Ndërkaq, Shqipëria renditet në vendin e 16-të nga 25 vendet e rajonit, duke lënë pas Kosovën (që renditet e 60-ta) dhe Bosnjën dhe Hercegovinën (e 81-ta), por ndodhet pas konkurrentëve të tjerë në rajon përfshirë Maqedoninë (e 10-ta), Kroacinë (e 43-ta), Serbinë (e 47-ta), dhe Malin e Zi (i 51-ti). 

Raporti i këtij viti përfshin, për herë të parë, një dimension gjinor me tri indikatorë: hapja e një biznesi, regjistrimi i pronës dhe zbatimi i kontratave. Rajoni i Europës dhe Azisë Qendrore është i vetmi rajon ku nuk ka barriera ndaj grave në fushat që maten nga raporti dhe në çdo vend të këtij rajoni një grua mund të hapë një biznes njësoj si një burrë.

Raporti gjithashtu përfshin një zgjerim të fushave të indikatorit të Pagesës së taksave, që mbulon  proceset e pas-deklarimit të taksave, si p.sh. auditimi i taksave, dhe rimbursimin e TVSH-së. Në këto fusha, Shqipëria paraqitet mjaft mirë me një kohë prej 9 orësh për rimbursimin e TVSh-së dhe prej 3 orësh për auditimin e taksave.

Raportin e plotë dhe të dhënat shoqëruese mund t’i gjeni në www.doingbusiness.org

***

[1] Distanca nga vlerësimi me pikë maksimale ndihmon në vlerësimin e nivelit absolut të performancës rregullatore dhe si është përmirësuar me kalimin e kohës. Kjo matje tregon distancën e çdo ekonomie nga “kufiri” i cili përfaqëson performancën më të mirë të vëzhguar në secilin nga indicatorët në të gjitha vendet në raportin e Të bësh biznes që prej vitit 2005. Kjo u mundëson përdoruesve të shohin si hendekun mes performancës së caktuar të një vendi me performancën më të mirë në cdo kohë, ashtu edhe të vlerësojë ndryshimin në vlerë absolute të mjedisit rregullator të vendit me kalimin e kohës siç matet nga Të bësh biznes. Distanca e një vendi nga vleresimi me pikë maksimale reflektohet në shkallën nga 0 në 100, ku 0 është performance më e dobët dhe 100 përfaqëson performancën më të mirë.

DEKLARATA PËR SHTYP NR:
2017/ECA/042

Api
Api