NJOFTIME PËR SHTYP

Zëvendëspresidentja e Bankës Botërore Laura Tuck diskuton prioritetet afatmesme zhvillimore në Kosovë

13 mars 2015


PRISHTINË, 13 mars 2015 – Zëvendëspresidentja e Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore vizitoi Kosovën gjatë 12-13 marsit 2015, për të parë nga afër mundësitë dhe sfidat zhvillimore të Kosovës dhe për të filluar konsultimet me palët përkatëse të interesit rreth Kornizës së re të Partneritetit për Kosovën 2016-20.

Gjatë vizitës së saj, Tuck u takua me Kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, dhe zyrtarët e lartë qeveritarë, Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, dhe shefat e të gjitha grupeve parlamentare, si dhe me përfaqësuesit e organizatave të tjera donatore për zhvillim.

“Krijimi i vendeve të punës dhe nxjerrja e njerëzve nga varfëria janë prioritet në Kosovë. Grupi i Bankës Botërore do të vazhdoj të mbështes reformat e Kosovës me qëllim të arritjes ë kësaj dhe që vendi të përafrohet me standardet jetësore evropiane,” tha Laura Tuck, Zv. Presidentja e Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore. “Përmirësimet në arsim dhe në ambientin e biznesit – kritike në përpjekjet e Kosovës për të nxitur zhvillimin e ekonomik dhe produktivitetin, dhe për të ulur shkallën e lartë të papunësisë – janë disa nga fushat që duhet të mbështeten në vitet e ardhshme nga Grupi i Bankës Botërore.”

Tuck po ashtu vizitoi edhe termocentralin e vjetruar dhe ndotës Kosova A, që gjendet afër kryeqytetit të Prishtinës dhe u takua me zyrtarët që punojnë në sektorin e energjisë, sektor që vazhdon të mbetet pengesa kryesore për arritjen e objektivave të zhvillimit shoqëror dhe ekonomik të Kosovës. Pasiguria në furnizimin me energji ka një kosto të lartë për bizneset dhe ia pamundëson Kosovës të jetë në gjendje të tërheq investime të mëdha direkte në Kosovë në shkallën dhe përmasën që i nevojitet për të rritur prodhimin në sektorët kyç të ekonomisë dhe për të krijuar vende të reja të punës.

“Furnizimi i qëndrueshëm dhe i përballueshëm me energji është shumë me rëndësi për zhvillimin ekonomik dhe për uljen e varfërisë  dhe Banka Botërore do të vazhdoj të mbështes Kosovën në zhvillimin e një sistemi më efikas, më modern dhe më të pastër të energjisë elektrike, me qëllim të adresimit të krizës energjetike në Kosovë në mënyrë gjithëpërfshirëse,” tha Tuck. “Kjo përfshin përpjekjet për të balancuar sigurinë e energjisë dhe përballueshmërinë e saj, duke zbutur ndikimin negativ mjedisor, shëndetësor dhe shoqëror tek qytetarët.”

Banka Botërore dhe Qeveria e Kosovës kohëve të fundit kanë arritur një marrëveshje të financimit në vlerë prej 31 milionë dollarësh për Projektin e Efiçencës dhe Burimeve të Ripërtërishme të Energjisë në Kosovë, e cila synon uljen e konsumit të energjisë dhe përdorimit të lëndëve fosile në ndërtesat publike dhe demonstrimin e realizueshmërisë ekonomike të investimeve përkatëse.

Ajo po ashtu ka investuar rreth 14.7 milionë dollarë në pastrimin e mjedisit në zonën e termocentralit. Përafërsisht 6,000 tonë – mbi 300 kamionë – të materialeve me përmbajtje të lartë organike (bitum, benzen, fenol, metanol dhe përbërës të naftës) janë larguar nga vendi dhe janë trajtuar në ambiente të licencuara dhe 15,000 tonë të materialeve me përmbajtje të nivelit të ulët organik janë trajtuar në nivelin lokal. Është instaluar një sistem i trajtimit të hirit të lagësht duke zëvendësuar sistemin e hapur të trajtimit të hirit i cili e ndot ajrin. Është rehabilituar mbi 85% e deponisë së hirit me një sipërfaqe prej 243 hektarësh, e krijuar për më shumë se 50 vite të funksionimit të termocentralit me thëngjill, dhe 70 për qind e sipërfaqes së përgjithshme të djerrinës së  krijuar nga operacionet pas mihjes është rikultivuar. Në këto deponi dhe djerrina të rikultivuara janë mbjell mbi 150,000 bimë. Përveç kësaj, ka filluar të bëhet monitorimi i rregullt mjedisor i ajrit në zonën e termocentraleve.

Programi aktual i Bankës Botërore në Kosovë bazohet në Strategjinë e saj katërvjeçare të Partneritetit 2012–15, e cili duke mbështetur qëllimin e integrimit të Kosovës në BE i ndihmon vendit që (i) të shpejtojë rritjen ekonomike me bazë të gjerë dhe krijimin e vendeve të punës dhe (ii) të përmirësojë menaxhimin mjedisor.

Sot janë shtatë operacione aktive të huave me një zotim të përgjithshëm prej 129 milionë dollarësh. Këto operacione ofrojnë mbështetje në një varg sektorësh, përfshirë energjinë, arsimin, reformimin e sektorit publik, kadastrën, bujqësinë, përfshirjen sociale dhe forcimin e sektorit financiar. 

Prej vitit 1999, Banka Botërore ka ofruar dhe/ose menaxhuar përafërsisht rreth 400 milionë dollarë për Kosovën në më shumë se 30 operacione.



Kontaktet e mediave
Në Prishtinë
Lundrim Aliu
tel : +381 38 224 454
laliu1@worldbank.org
Në Uashington
Kristyn Schrader-King
tel : +1-202-458-2736
kschrader@worldbank.org

DEKLARATA PËR SHTYP NR:
2015/ECA/059

Api
Api

Welcome