NJOFTIME PËR SHTYP

Banka Botërore mbështetë Kosovën në shtrirjen e internetit në vendet rurale

26 shkurt 2015


PRISHTINË, 26 shkurt 2015 – Për t'i hapë rrugën mundësive të zhvillimit në pjesët rurale të Kosovës nevojitet qasja në informata dhe në infrastrukturën komunikuese. Në këtë mënyrë, Banka Botërore dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës zyrtarisht kanë filluar fazën e parë të projektit të mbështetjes teknike të financuar përmes grantit, me titull “Innovative and Green Growth for Rural Areas of Kosovo", që synon sigurimin e një platformë analitike për shtrirjen e infrastrukturës për internet brezgjerë nëpër komunat rurale që aktualisht janë më pak të mbuluara të Kosovës, duke krijuar një platformë të qëndrueshme për rritje inovative dhe të gjelbër.

Një numër i komunave rurale në Kosovë që njëkohësisht kanë numër më të madh të familjeve të varfra (pjesa e popullatës që është ndër 40 përqindëshin e të ardhurave në Kosovë), janë të hendikepuara edhe për nga mundësitë e lidhjes në infrastrukturën brezgjerë dhe ekonomikisht të favorshme të internetit. Sipas vlerësimeve të qeverisë, 43 për qind e familjeve rurale janë aktualisht pa qasje në  internet brezgjerë kurse një e treta e këtyre familjeve nuk ka shumë gjasa që do të lidhen në këtë infrastrukturë në një të ardhme të afërt pa intervenim gjithëpërfshirës.

Në këtë drejtim aktiviteti i ndërmarrë është në harmoni të plotë me strategjinë e sektorit të Teknologjisë Informative dhe Komunikuese në Kosovë, “Politikat e Sektorit të Komunikimeve Elektronike – Agjenda Digjitale për Kosovën 2013-2020”, të cilat vendosin caqe dhe qëllime të qarta që duhet arritur në aspektin e mbulimit dhe të shpejtësisë së internetit brezgjerë për kokë banori dhe në nivel të ekonomive familjare. Në veçanti, si rezultat të këtij aktiviteti do të kemi:

  • Një studimi të tregut të internetit brezgjerë, që analizon kërkesën aktuale për internet brezgjerë, dhe parashikimin e kësaj kërkese në nivel komunal për periudhën 2015-2020;
  • Një analizë teknike të infrastrukturës ekzistuese, dimensionimin dhe vlerësimin e nismave për shtrirje të kësaj infrastrukture gjithëpërfshirëse,  bashkë me një analizë të ndjeshmërisë;
  • Një analizë financiare që do të vlerësojë koston e shtrirjes dhe funksionalizimit për çdo pjesë të rrjetit sipas llojit të teknologjisë së caktuar; dhe
  • Një listë rekomandimesh në lidhje me qëndrueshmërinë ekonomike të partneriteteve publiko- private, për të adresuar problemet e ndërlidhjes së komunave pa infrastrukturë adekuate.

Qasja e dobët në infrastrukturën brezgjerë nuk është pengesë vetëm për zhvillimin e Telekomunikimeve dhe sektorit të Teknologjisë Informative, por shkakton pengesa edhe për plotësimin e nevojave dhe benefiteve që janë si rezultat i përdorimit të TIK për rritje të qëndrueshme dhe të pastër ekonomike, integrim  rajonal ekonomik, gjenerimin e e-punësimit, zhvillimin e infrastrukturës së mençur  dhe optimizimit të shërbimeve publike nëpërmjet e-shërbimeve” tha Agim Kukaj, udhëheqës i Departamentit të Postë dhe Telekomunikacionit dhe Teknologjisë Informative në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës.

Kukaj shtoi “Ajo që është gjithashtu e rëndësishme të theksohet është se për dallim nga Bashkimi Evropian, Kosova ka një pjesë të konsiderueshme të popullsisë rurale dhe asaj të moshës së re; shumica e popullatës sonë është rurale dhe mbi një e treta është 18 vjeç ose më e re. Është e qartë se me zgjerimin e internetit brezgjerë në zonat rurale, qeveria do t'i hapë rrugë mundësive të reja - sidomos për të rinjtë – të cilët kanë më shumë prirje për teknologji sesa grupmoshat tjera. Këto mundësi nënkuptojnë krijimin e vendeve të punës përmes TIK dhe zhvillimin e aftësive, të dyja këto janë thelbësore për rritjen e aftësisë konkurruese të vendit".

Komunat rurale me mbulueshmëri më të vogël ose kanë vendbanime të izoluara e dendësi të ulët të popullsisë ose janë të vendosura në terrene malore. Përvoja e gjatë mbi një dekadë në mbarë botën e shtrirjes së infrastrukturës për qasje në internet dëshmon se shpenzimet e  shtrirjes së internetit brezgjerë në zona të tilla të vështira gjeografike janë shumëfishi i atyre në zonat urbane. Edhe kur bëhet shtrirja e tillë, kostoja e shërbimit brezgjerë zakonisht nuk është e përballueshme për popullsinë rurale, që shpesh është relativisht e varfër. Pa intervenime të duhura të qeverisë në zonat rurale, ku përfshihet shfrytëzimi i mjeteve publike, nuk mund të jetësohet një shërbimi brezgjerë universal.

Qeveria e Kosovës bëri një hap të rëndësishëm në identifikimin e saktë të zonave të pambuluara dhe si të adresohen ato në aspektin teknologjik dhe financiar,” tha Natalija Gelvanovska, Specialiste e Lartë për Politika të Teknologjisë Informative dhe Komunikuese në Bankën Botërore. "Në të gjitha vendet në zhvillim, të dhënat mbi qasjen e zonave rurale në internet brezgjerë nuk i grumbullon e as nuk i analizon asnjë qeveri. Për shkak të këtyre 'njollave të bardha', është shpesh sfidues përcaktimi i saktë i mbulimit me internet brezgjerë, dinamika e mbulimit dhe politika e çmimeve, dhe çka është më e rëndësishme, mënyra se si të tejkalohet mungesa e mbulueshmërisë duke shfrytëzuar modelet e financimit publik dhe privat. Për hartimin e politikave të duhura dhe planeve të veprimit në dobi të popullatës e cila nuk është e mbuluar në mënyrë adekuate, një analizë e mirëfilltë e mungesave në infrastrukturën për qasje është e domosdoshme", shtoi ajo.  “Ne jemi të gëzuar që mund të sjellim në Kosovë praktikat më të mirat ndërkombëtare në telekom dhe teknologjinë informative komunikuese nga rajoni (Bashkimi Evropian) dhe liderë të njohur globalë siç është për shembull Koreja”.

Ky aktivitet financohet nga Fondi i Mirëbesimit për Zhvillim të Gjelbër i Koresë dhe do të zgjasë deri në fund të dhjetorit 2015, dhe është mbështetja e dytë teknike e Bankës Botërore në sektorin e telekomunikacionit. Mbështetja e parë teknike, "Lehtësimi i Ndarjes Efikase të Infrastrukturës", i filluar më 5 janar 2015, ka për qëllim komercializimiin e fibrave optike, mjete në pronësi të ndërmarrjes elektro- energjetike KOSTT Sh.A, ku përfitues të mundshëm mund të jenë Ofruesit e Shërbimeve të Internetit (ISP) pa infrastrukturë të tyre brezgjerë, si dhe popullata që aktualisht është më pak e mbuluar me qasje në rrjet me shpejtësi të lartë.



Kontaktet e mediave
Prishtinë
Lundrim Aliu
tel : +381-38-224-454
laliu1@worldbank.org

DEKLARATA PËR SHTYP NR:
2015/ECA/058

Api
Api

Welcome