NJOFTIME PËR SHTYP

Banka Botërore miraton projektin prej 150 milionë USD për rimëkëmbjen dhe reformat në sektorit energjetik në Shqipëri

2014-09-29


UASHINGTON, 29 Shtator 2014— Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore miratoi sot financimin prej 150 milionë USD nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) për Projektin e Rimëkëmbjes së Sektorit Energjetik në Shqipëri. Projekti do të mbështesë reformat e sektorit energjetik të Shqipërisë, veçanërisht ato të ndërmarra për përmirësimin e besueshmërisë së furnizimit me energji elektrike dhe qëndrueshmërinë financiare të sektorit.

Sektori energjetik po përballet me sfida të mëdha financiare dhe operacionale në Shqipëri, që manifestohet me një deficit të pafinancuar prej rreth 550 milionë USD dhe një nivel të lartë humbjesh teknike dhe tregtare prej rreth 42 përqind - më i larti në rajon - për shkak të mos pagesës së faturave të energjisë elektrike nga konsumatorët si dhe nga niveli i ulët i arkëtimeve. Prodhimi i energjisë mbështetet pothuajse plotësisht tek energjia e prodhuar nga hidrocentralet, kështu që shpesh herë nevojitet importi i energji në mënyrë urgjente gjatë periudhave të thatësirave.  

Përpjekjet e Qeverisë për reforma në sektorin energjetik përfshijnë diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë, reduktimin e humbjeve dhe përmirësimin e arkëtimeve, si dhe përmirësimin e modelit të tregut të energjisë në përputhje me direktivat e BE-së. Për të trajtuar çështjet më urgjente të sektorit, veçanërisht qëndrueshmërinë financiare të tij, do të zbatohet një plan i gjithanshëm për Rimëkëmbjen e Sektorit.

"Projekti për rimëkëmbjen e sektorit energjitik mbështet zbatimin e reformave të qeverisë dhe do të ndihmojë që të rriten investimet, të përmirësohet menaxhimi dhe performanca, veçanërisht përsa i përket shpërndarjes dhe do të reduktojë pagesat e prapambetura ndërmjet kompanive”, tha Tahseen Sayed, Drejtore e Bankës Botërore për Shqipërinë. "Projekti do të mbështesë planin e rimëkëmbjes së sektorit për të zgjidhur problemet e vazhdueshme teknike dhe financiare.

Projekti përbehet nga katër elementë: i) mbështetje afat-shkurtër për import shtesë të energjisë; ii) përmirësimi i infrastrukturës së shpërndarjes, iii) përmirësimi i matësve të transmetimit/qendrës së të dhënave; dhe iv) mbështetja e reformave të sektorit energjetik dhe zbatimi i projektit.

"Entet kyçe të projektit janë: Kompania e Shpërndarjes, OShEE e cila do të përftojë nga reduktimi i humbjeve, përmirësimi i faturimit dhe i nivelit të arkëtimit; KESh, kompania më e madhe prodhuese e Shqipërisë, e cila do të përfitojë nga përmirësimi i qëndrueshmërisë financiare; dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit, OST, i cili do të përfitojë nga instalimi i një qendre të përmirësuar për të dhënat e matjes për të lehtësuar ristrukturimin e tregut, tha Salvador Rivera, Specialist i lartë i Bankës Botërore për Energjinë dhe Drejtues i Ekipit të Projektit. “Projekti është një hap i parë i nevojshëm për të mbështetur reformat e sektorit që do të çojnë drejt përmirësimit të cilësisë së shërbimit dhe besueshmërisë.” 

Që prej vitit 1991 kur Shqipëria u bë pjesë e Bankës Botërore, Banka ka financuar për vendin një total prej 83 projektesh me vlerë 1.95 miliardë USD, kredite dhe grante të IDA-s dhe kredi nga IBRD.



Kontaktet e mediave
Në Uashington
Kristyn Schrader-King
tel : 202 458-2736
kschrader@worldbank.org
Në Tiranë
Ana Gjokutaj
tel : 355-42 284125
agjokutaj@worldbank.org


DEKLARATA PËR SHTYP NR:
2014/127/ECA

Api
Api