NJOFTIME PËR SHTYP

Rritja në Evropë dhe Azinë Qendrore Vazhdon, por në Mënyrë të Ngadaltë dhe të Pabarabartë

2013-04-19



UASHINGTON, 19 Prill 2013 ― Shumica e ekonomive në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore (EAQ) u rritën në vitin 2012 dhe pritet që të rriten në vitin 2013 me një përqindje pak më të lartë prej rreth 2.9 për qind, thanë zyrtarët e bankës Botërore në një informim të shtypit gjatë Takimeve të Pranverës 2013 të Bankës Botërore/FMN. Ringritja në EAQ do të vazhdojë të jetë më e ngadalta krahasuar me rajonet e tjera në botë dhe do të ketë shpejtësi të ndryshme, ku pjesa perëndimore e rajonit do të rritet me një ritëm shumë më të ngadaltë se pjesa lindore. Reçesioni i zgjatur dhe ringritja e ngadaltë e rritjes ekonomike e përkeqësojnë më tej papunësinë e vazhdueshme në disa pjesë të rajonit, gjë që nga ana e saj ka pasoja afatgjata për konkurrueshmërinë dhe përfshirjen sociale në rajon.

“Që nga koha e krizës, ne shikojmë një rimëkëmbje me shpejtësi të ndryshme në rajon,” tha Philippe Le Houérou, Zëvendës President i Bankës Botërore për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore. “Si rregull i përgjithshëm, sa më afër të jenë vendet me zonën e Euros, dhe në veçanti me Evropën Jugore, aq më shumë e ndjejnë ndikimin, meqenëse ekonomitë e tyre varen më shumë nga zona e Euros si një treg për eksportet dhe burimi kryesor për flukset bankare, investimet e drejtpërdrejta të huaja dhe remitancat e punëtorëve.”   

 

Një mjedis i paqartë dhe reçesioni i vazhduar në zonën e Euros paraqesin sfida për rajonin e EAQ nëpërmjet tre kanaleve: financave, tregtisë dhe remitancave të punëtorëve. Evropa Qendrore dhe Lindore (EQL)i dhe Ballkani Perëndimorii, të cilat kanë lidhjet më të afërta me zonën e Euros po mbeten shumë mbrapa Turqisë dhe Bashkësisë së Shteteve të Paravura (CIS)iii.

 

Sipas parashikimeve të Bankës Botërore për vitin 2013, vendet e CIS pritet të rriten me rreth 3.5 për qind dhe Turqia me rreth 4 për qind, ndërkohë që në EQL dhe Ballkanin Perëndimor rritja ekonomike do të mbetet anemike me rreth 1.2 për qind, gjë që është vetëm pak më e lartë se rritja prej 0.9 për qind në vitin 2012.

 

 

Rritja me shpejtësi të ndryshme pasqyrohet në tendencat fiskale dhe financiare në rajon.

 

Defiçitet buxhetore janë tkurrur (nga 5.5 për qind e PBB në vitin 2008 në një mesatare prej 3.4 për qind në vitin 2012 në EQL; dhe nga një mesatare prej 4.5 për qind e PBB në vitin 2008 në një sufiçit mesatar prej 0.3 për qind në vitin 2012 në CIS), por masat për të kryer këtë rregullim fiskal janë bërë gjithnjë e më të vështira. Disa nga këto rregullime u bënë të mundura falë efiçencës së përmirësuar dhe targetimit më të mirë të shpenzimeve të mbrojtjes sociale, të cilat ndihmuan gjithashtu në parandalimin e një rritjeje të varfërisë në shumicën e vendeve.

 

Që nga koha e krizës, nivelet e borxhit publik janë rritur në shumicën e zonave të rajonit, përveç Turqisë. Borxhi mesatar publik për EQL dhe Ballkanin Perëndimor është rritur nga 28.3 për qind në vitin 2008 në 45.5 për qind në vitin 2012. Borxhi publik është në nivele me mundësi rreziku në disa vende në rajon (Hungaria – 76 për qind, Shqipëria – 62 për qind, Polonia– 56 për qind, Serbia – 54 për qind, Kroacia dhe Sllovenia – 53 për qind), dhe paraqet një barrë të rëndë mbi financat publike.

 

Sektori financiar në EQL dhe Ballkanin Perëndimor është dobësuar nëpërmjet kufizimit të kreditimit dhe rritjes së kredive të këqija (NPL). Kufizimi i kreditimit u përshpejtua përsëri në vitin 2012 pas një lloj ngadalësimi në vitin 2011, veçanërisht në vendet si Estonia, Hungaria, Sllovenia, Kroacia, Letonia dhe Serbia. NPL-të u ulën në vendet e CIS dhe Turqi, por vazhduan të rriten në Ballkanin Perëndimore, Bullgari dhe Rumani. Në këto kushte, dhënia e kredive për sektorin privat ka vazhduar të ulet në vendet Balltike dhe ka qëndruar në vend në pjesën tjetër të Evropës Qendrore, Ballkanin Perëndimor, Turqi dhe gjithashtu në Bjellorusi dhe Ukrainë.

 

Papunësia dhe krijimi i vendeve të punës

 

Krijimi i vendeve të punës ka qenë i ngadaltë në rimëkëmbjen ekonomike të rajonit pas krizës. Papunësia mbetet me kokëfortësi në nivele të larta në EQL dhe vazhdon të rritet në Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që po ulet pak në CIS dhe Turqi. Papunësia e të rinjve është veçanërisht shqetësuese, si dhe papunësia afatgjatë, kur njerëzit janë të papunë për më shumë se 12 muaj.

 

 

Ulja e papunësisë është një sfidë urgjente për rajonin EAQ dhe kërkon një bashkësi masash politike si afatgjata ashtu dhe afatshkurtra. Një raport i ardhshëm i Bankës Botërore mbi vendet e punës në rajonin EAQ ofron një analizë të situatës dhe bën rekomandime politike për forcimin e krijimit të vendeve të punës.

 

Raporti përcakton që krijimi i punësimit në rajonin EAQ ishte i ngadaltë edhe përpara krizës (2000-2007) kur rajoni kishte rritje ekonomike më të shpejtë se ekonomitë e tjera në zhvillim. Raporti gjen prova që vendet që u reformuan më herët dhe janë integruar në tregjet globale, të ashtuquajturit ‘modernizuesit e përparuar’, kanë qenë më të suksesshëm në arritjen e niveleve më të larta të punësimit se ‘modernizuesit e vonë’, të cilët kanë zbatuar reforma në mënyrë të ngadaltë ose të pabarabartë.

 

“Reformat japin fryte në formën e krijimit më të fortë dhe më të qëndrueshëm të vendeve të punës në sektorin privat dhe mundësi më të lartë për të përkthyer potencialin e sipërmarrjes në krijim të suksesshëm të bizneseve të reja, por ato e bëjnë këtë me një vonesë,” tha Yvonne Tsikata, Drejtoreshë  e Sektorit  për Uljen e Varfërisë dhe Menaxhimin Ekonomik për Evropën dhe Azinë Qendrore në Bankën Botërore. Ajo shtoi se “Në fillim, ristrukturimi ekonomik do të thotë që vendet e punës krijohen, por edhe shkatërrohen. Ndërkohë që vendet integrohen më tej në ekonominë globale, ristrukturojnë ndërmarrjet, përmirësojnë kushtet për të bërë biznes dhe modernizojnë tregjet e punës, krijimi i vendeve të punës kapërcen shkatërrimin e vendeve të punës dhe kjo pastaj përkthehet në punësim të përgjithshëm më të lartë”.

 

Ana Revenga, Drejtoreshë e Sektorit për Zhvillimin Njerëzor në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore në Bankën Botërore tha që "Krijimi më i shpejtë i vendeve të punës do të kërkojë ndryshime në kontratën sociale ndërmjet punëtorëve, ndërmarrjeve dhe qeverive. Axhenda e politikave duhet të përqendrohet në heqjen e pengesave ndaj sipërmarrjes, duke ndihmuar sistemet e arsimit dhe trajnimit të përshtaten më mirë me tregjet e punës që po ndryshojnë shpejt, duke lehtësuar lëvizshmërinë e krahut të punës dhe duke bërë pensionet, ndihmën sociale dhe rregulloret e punës të përputhshme me jetën më të gjatë dhe më produktive të punës. Kombinimi i duhur i politikave specifike do të ndryshojë nga vendi në vend, por rezultati përfundimtar është i njëjti: krijim më i shpejtë i vendeve produktive të punës."

 

Për të krijuar vende pune në EQL, Banka rekomandon veprime në tre fusha kryesore të politikave:

·         Rifillimi i rritjes ekonomike të qëndrueshme: duke siguruar faktorët themelorë makro për ringritjen ekonomike dhe duke rimarrë shpejtësinë e reformave përpara krizës.

·         Mundësimi i krijimit të vendeve të punës të udhëhequr nga sektori privat: duke eliminuar pengesat ndaj zgjerimit të biznesit dhe sipërmarrjes.

·         Përgatitja e punëtorëve për vende të reja pune: duke ndihmuar punëtorët të fitojnë aftësi për vendet moderne të punës dhe duke bërë pagesën formale të punës nëpërmjet heqjes së faktrëve shkurajues dhe barrierave ndaj punës.



i Nën-rajoni i Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL) përfshin Bullgarinë, Kroacinë, Republikën Çeke, Estoninë, Hungarinë, Letoninë, Lituaninë, Poloninë, Republikën Sllovake, Slloveninë dhe Rumaninë.

ii ën-rajoni i Ballkanit Perëndimor përfshin Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kosovën, IRJ të Maqedonisë, Malin e Zi dhe Serbinë.

iii Nën-rajoni i Bashkësisë së Shteteve të Pavarura (CIS) përfshin Armeninë, Azerbajxhanin, Bjellorusinë, Kazakistanin, Kirgizstanin, Moldavinë, Rusinë, Taxhikistanin, Turkmenistanin, Ukrainën dhe Uzbekistanin.

Kontaktet e mediave
Uashington
Elena Karaban
tel : +1-202-473-9277
ekaraban@worldbank.org



DEKLARATA PËR SHTYP NR:
2013/354/ECA

Api
Api