Skip to Main Navigation
NJOFTIME PËR SHTYP

Nisma FIRST Projekt për Ristrukturimin e Tregut e Siguracioneve të Detyruara Motorike në Shqipëri

19 prill 2013



Tiranë, 19 prill 2013 - Autoriteti Shqiptar i Mbikëyrjes Financiare (AMF) dhe një ekip i Bankës Botërore me ekspertë të fushës së sigurimeve organizoi sot një seminar me pjesëtarë të tregut dhe përfaqësues të grupeve të tjera të interesit për të prezantuar arritjet dhe rekomandimet e një projekti të asistencës financiare për ‘Liberalizimin e Sigurimit të Detyrueshëm Motorik në Shqipëri”. Projekti është financuar nga Banka Botërore - Nisma FIRST.

Objektivi i projektit ishte që të asistohej AMF në zhvillimin e politikave dhe proceseve që mundësojnë kalimin nga përcaktimi i çmimit sipas tarifave të menaxhuara në mënyrë të centralizuar drejt një çmimi plotësisht të liberalizuar me bazë risku të produkteve të tregut të sigurimeve të detyruara motorike. Ky ndryshim ka si synim: (i) të mundësojë praktika më homogjene për vlerësimin e riskut të marrjes në sigurim (ii) të rrisë efikasitetin administrativ dhe rregullator dhe (iii) të rrisë përgjegjësinë e konsumatorëve përmes paraqitjes së një lidhjeje dinamike ndërmjet kostos së primit të sigurimit të detyrueshëm motorik dhe sjelljes në rrugë. Një tjetër synim  i projektit ka qenë të asistojë AMF-në që të përafrojë kuadrin ligjor vendas për tregun e sigurimeve me direktivat e Bashkimit Europian në përputhje kjo me angazhimet e Shqipërisë në kuadrin e Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit me Bashkimin Europian.

Disa objektiva më specifikë të projektit ishin krijimi i një mjedisi ligjor dhe rregullator që do të reduktonte shpeshtësinë e kërkesave për dëmshpërblim dhe do të zvogëlonte numrin e mashtrimeve me sigurimet e mjeteve motorike. Projekti ka shqyrtuar stimuj më të mëdhenj për të inkurajuar drejtuesit e automjeteve të ngasin makinën në mënyrë të sigurtë.

Projekti ka trajtuar mangësitë në tre aspekte:

·         Në aspektin rregullator, projekti ndihmoi në hartimin e një plani strategjik veprimi që parashtron parimet dhe rekomandimet për liberalizimin e tregut të sigurimit të detyrueshëm motorik;

·         Në aspektin e teknologjisë së informacionit, projekti ndihmoi në zhvillimin e një tërësie politikash, procesit të trajtimit të kërkesave për dëmshpërblim, bazës së përbashkët të të dhënave dhe një strukture të gjithanshme për një bazë të dhënash për mashtrimet. Gjithashtu projekti siguroi një udhëzues për procedurat e teknologjisë së informaconit;

·         Në aspektin aktuarial, projekti siguroi (i) metodologjinë për të standardizuar koeficientët për përcaktim fillestar çmimi bazuar te risku të policave të sigurimit të detyruar motorik;

(ii) raporti aktuarial për vlerësimin rezervave të kërkesave për dëmshpërblim për të gjithë tregun shqiptar që nxjerr në pah të dhëna cilësore, metodologjinë e aplikuar, rekomandime për të ardhmen, veçanërsht në fushën e praktikave më të mira për mbledhjen efektive të të dhënave;

Aktivitetet synuan pajisjen e  AFM-së me instrumentat e nevojshëm për të liberalizuar tregun e sigurimit të detyrueshëm motorik dhe për të ndihmuar pjesëtarët e tregut dhe palët e tjera të interesuara që të arrijnë të kuptojnë mirë ndryshimet që do të hyjnë në fuqi me liberalizimin e tregut.

Me një teknologji aktuariale të përmirësuar dhe duke pasur në dispozicion një bazë të dhënash të përshtatshme pritet që tregu i liberalizuar të bëhet më efikas në përcaktimin e çmimeve për risqet dhe kjo gjë do të lejojë që të realizohet siç duhet edhe marketingu i produkteve. Nga ana tjetër siguruesit do kenë më shumë stimuj për të përmirësuar menaxhimin e kërkesave për dëmshpërblim dhe për të arritur kështu një përfitim më të madh.

Elementi kyç që duhet të merret në konsideratë në arritjen e objektivave të mësipërm është fillimi  i përdorimit të konceptit të përcaktimit të çmimit në bazë të riskut. Kjo përfshin: (i) rritjen e përgjegjësisë së drejtuesve të automjeteve - ata që shkaktojnë aksidente duhet të paguajnë një prim më të lartë - çmime të ndryshme për risqe të ndryshme; (ii) drejtuesit e automjeteve që kanë makina me motorë të një shkalle më të vogël duhet të paguajnë prime më të ulëta krahasuar me ata që kanë makina me motorë të fuqishëm; (iii) inkurajimin, nëpërmjet primeve, të të rinjve meshkuj, të cilët kanë një tendencë më të lartë për të ngarë shpejt makinën që të përdorin makina më të vogla.

Projekti ka dhënë edhe rekomandime të qarta për krijimin e një qendre statistikore qendrore dhe të një njësie qendrore kundër mashtrimeve. Këto, nëse do të zbatohen në mënyrë efikase do të luajnë një rol kyç në arritjen e objektivave.

Kostoja e sigurimit lidhet me frekuencën e aksidenteve. Nëse kjo e fundit reduktohet atëherë me kalimin e kohës edhe çmimi do të bjerë. Lëvizjet e çmimeve kohët e fundit kanë qenë shumë të paqendrueshme dhe kjo paqendrueshmëri do të vazhdojë në ende në planin afat-shkurtër. Shkaqet kryesore të saj duket se janë vendosja si prioritet e perqindjeve ne treg  pavarësisht se cila është kostoja e vërtetë e ekspozimit qe merret persiper nga kompanitë. Ky është një tipar i zakonshëm për një treg që sapo është liberalizuar. Pajisja e tregut me një metodologji statistikore dhe me një bazë të dhënash  moderne do të japë kontribut në ofrimin e produkteve të sigurimit të cilave iu vihet çmimi mbi një bazë stabël. 

Ndryshimet e mëposhtme mbeten për tu realizuar në përfundim të projektit dhe në fillim të zbatimit të rekomandmeve të tij:

·         Përmirësimi i disponueshmërisë dhe cilësisë së të dhënave;

·         Rritja e ndërgjegjësimit të të gjitha palëve të interesuara mbi vlerën potenciale të primit që bazohet tek risku;

·         Përmirësimi  kuadrit ligjor në lidhje me një sistem transparent kompensimi dhe miratimi e zbatimi i projekt-ligjit mbi sigurimin e detyrueshëm brenda sektorit të transportit.

Kalimi në një sistem të qëndrueshëm të sigurimeve të detyrueshme motorike nuk mund të kryhet në mënyrë të menjëhershme dhe pa pasur probleme gjatë zhvillimit. Siguruesit duhet të ndërtojnë një bazë të dhënash konkrete ndaj si për entin rregullator ashtu edhe për siguruesit është kusht kritik përmirësimi i sistemit të Teknologjisë së Informacionit sikurse është zhvillimi dhe mbajtja e kapacitetit profesional të stafit të tyre. Siguruesit shqiptarë mund të lëvizin gradualisht drejt një sistemi të ekuilibruar ku çmimet përcaktohen në mënyrë të qendrueshme dhe në një formë të tillë që të inkurajohet ngarja e automjeteve në mënyrë të sigurtë.

Kontaktet e mediave
Në Tiranë
Ana Gjokutaj
tel : +355 42280655
agjokutaj@worldbank.org


DEKLARATA PËR SHTYP NR:
ECA-AL

Api
Api

Welcome