Skip to Main Navigation
OPINION 24 mars 2021

Ekonomia blu: Si mund të perfitojë Shqipëria?

Intervistë e Berengere Prince, specialiste udhëheqëse për menaxhimin e burimeve natyrore në Bankën Botërore, dhe Drita Dade, specialiste e lartë për menaxhimin e burimeve natyrore në Bankën Botërore për revistën Monitor mbi raportin e Bankës Botërore “Realizimi i potencialit ekonomik të Ekonomise Blu në Shqipëri”.

Për shekuj e shekuj të tërë, njerëzimi ka shfrytëzuar detet dhe oqeanet duke i menduar si të mira që nuk kanë fund. Por koha tregoi se duhet vendosur një balancë e shëndetshme mes shfrytëzimit dhe mbrojtjes dhe të përfituara kanë qenë ato vende që kanë reflektuar herët. Shqipëria është një vend që e ka nën potencial ende përfitimin nga Ekonomia Blu. Turizmi, edhe pse me një zhvillim dinamik dhe me kontribut të rëndësishëm në ekonomi, ka ende hapësira që mund të plotësohen, ndërkohë peshkimi shfaq problematika të cilat kanë nevojë për rishikim. Por si mund të maksimizojë vendi ynë përfitimin nga Ekonomia Blu në kushtet ku ndodhet? 

Banka Botërore publikoi pak kohë më parë raportin “Realizimi i Potencialit të Shqipërisë për Ekonominë Blu”. Çfarë është kjo ekonomi?

Image
Berengere Prince
Banka Botërore: Ekonomia Blu i referohet zhvillimit të qëndrueshëm dhe të integruar të sektorëve ekonomikë në oqeane dhe dete të shëndetshëm. Sipas The Economist, kjo ndodh kur aktiviteti ekonomik është në ekuilibër me kapacitetin afatgjatë të ekosistemeve oqeanike për ta mbështetur këtë aktivitet duke mbetur i shëndetshëm dhe elastik. Në thelb, koncepti i Ekonomisë Blu është një lente përmes së cilës mund të shikohen dhe zhvillohen agjendat e politikave që njëkohësisht rrisin shëndetin e oqeaneve dhe zhvillimin ekonomik, në përputhje me parimet e barazisë sociale dhe përfshirjes.

Pse ka një fokus për këtë ekonomi dhe cilat janë avantazhet që paraqet ajo për një vend si Shqipëria?

Image
Drita Dade
BB: Oqeanet dhe detet mbrojnë biodiversitetin, ofrojnë ushqim, punë, nxisin rritjen ekonomike, mbajnë planetin të freskët dhe thithin rreth 30% të emetimeve globale të gazit karbonik (CO2). Të paktën 3-5% e PBB-së globale vjen nga oqeanet e detet, por shëndeti i tyre i përgjithshëm po arrin një pikë kthese. Historikisht, sektorët bregdetarë dhe detarë (përfshirë peshkimin, akuakulturën, turizmin, transportin detar, ndërtimin) janë zhvilluar në mënyrë mjaft të izoluar dhe me shumë pak kujdes për aspektin e brishtë të burimeve të oqeanit dhe që nuk janë pa limit. Kjo shpesh ka përkeqësuar rëndë mjediset bregdetare dhe detare në të gjithë botën: rezervat e peshkut janë shteruar; ekosistemet dhe habitatet e brishta po shkatërrohen; brigjet po gërryhen, etj. Këto çështje rëndohen edhe më nga ndotja që vjen prej burimeve tokësore e që përfundojnë në bregdet ose në oqean, si dhe ndryshimet klimatike. Së bashku ato paraqesin një kërcënim në rritje për shëndetin e ekosistemeve bregdetare dhe detare dhe për popullatat që mbështeten tek ato.

Në këtë kontekst, vendet në të gjithë botën gjithnjë e më shumë po adoptojnë Ekonominë Blu si një strategji fituese.

Në Shqipëri, bregdeti Adriatiko-Jonian është një nga zonat më të rëndësishme të territorit kombëtar për shkak të pozitës, vlerave natyrore, rëndësisë së biodiversitetit dhe trashëgimisë kulturore dhe historike. Ajo është tashmë një pjesë vitale e ekonomisë kombëtare që kontribuon jashtëzakonisht në rritjen ekonomike të vendit dhe punësim. Kjo zone ka potenciale për të kontribuar më shumë, veçanërisht në peshkim dhe turizëm. Të dy industritë ofrojnë kthimin më të lartë të mundshëm të investimeve brenda kuadrit të Ekonomisë Blu. Raporti i fundit i Bankës Botërore mbi Ekonominë Blu pasqyron kushtet specifike të Shqipërisë dhe mundësitë që vijnë nga zhvillimi i integruar ekonomik i sektorëve detarë, përfshirë krijimin e një brandi/vizioni 'Blue Albania' që mund të shërbejë si një platformë për risitë e ardhshme në këta sektorë.

Turizmi ka qenë një nga sektorët me rritje dinamike viteve të fundit edhe si rezultat i rritjes së turizmit të organizuar, por ende vihen re disa mangësi që ju keni konstatuar siç është zhvillimi i turizmit detar dhe nautik. Si mund të nxitet ky lloj turizmi dhe cilat janë përfitimet që sjell kjo në zinxhirin e sektorit dhe në ekonomi në tërësi?

BB: Turizmi është vërtet një nxitës kryesor i rritjes së Shqipërisë dhe pritet të kontribuojë edhe më shumë në ekonominë e saj në të ardhmen. Në vitin 2019, kontributi i drejtpërdrejtë dhe jo i drejtpërdrejtë i turizmit arriti në 21.2 përqind të PBB-së dhe krijoi mbi 254 mijë vende pune (WTTC 2020). Vendi ndodhet strategjikisht midis vendeve me marinë shumë të zhvilluar si Kroacia, Mali i Zi, Italia dhe Greqia. Vec kësaj, Shqipëria ka shumë atraksione kulturore, zona të shumta arkeologjike dhe kuzhinë të shkëlqyer. Më e rëndësishmja, Shqipëria ka një potencial të madh për të zhvilluar kapacitetet e saj të ankorimit, të ofrojë çmime më të ulëta dhe të rrisë pjesën e saj në tregun rajonal. Sot Shqipëria përfaqëson vetëm 0.5% të kapacitetit total të ankorimit në Adriatik, pavarësisht se ka kushte të ngjashme detare me fqinjët e saj.

Raporti i Bankës rendit disa masa për të promovuar turizmin detar dhe atë te jahteve në lidhje me zhvillimin e platformave detare ose 'blu' për të lidhur tregjet e turizmit, jahte, peshkatarë, prodhues të ushqimit, menaxherë limanesh dhe shoqata lokale të biznesit përmes një rrjeti tregtar dhe platformës logjistike. Për më tepër, nevojiten përmirësime për të adresuar kufizimet rregullatore dhe ato që kanë të bëjnë me zbatimin, si dhe për të krijuar një kornizë të mundshme për investime private në turizmin detar. Gjithashtu, infrastruktura kritike në këtë sektor duhet të përmirësohet përmes projekteve publike dhe private të investimeve, subjekt i vlerësimit të fortë ekonomik dhe financiar.

Zgjerimi i turizmit detar dhe atij të jahteve brenda një kuadri të Ekonomisë Blu do të gjenerojë vende të reja pune dhe të sigurojë një rritje të qëndrueshme mjedisore, të pranueshme për kulturën e vendit dhe të qëndrueshme ekonomikisht. Nëse zhvillohet në mënyrë strategjike, ai ka potencialin të përmirësojë lidhjet me bujqësinë (përmes sigurimit të ushqimit për jahte, varka me vela dhe turizmin e kuzhinës) dhe me turizmin në brendësi (pasi njerëzit shpesh kënaqen të zbresin nga jahtet dhe varkat e tyre për të përjetuar përvoja aktivitetesh në tokë). Marketimi i Shqipërisë si një destinacion i turizmit blu, miqësor ndaj mjedisit do të përhapet gjithashtu në produktet e vendit për eksport, duke përfshirë, për shembull, ushqimet e detit.

Shqipëria ka disa kontrata koncesionare për projekte marinash apo portesh për ankorimin e jahteve të pazbatuara, një turizëm që është shumë pak i zhvilluar në vend. Si mund të nxitet segmenti turistik i jahteve që kryesisht vijnë për kohëzgjatje shumë të shkurtë dhe për të përfituar nga nafta e lirë?

BB: Vija bregdetare midis Vlorës dhe Sarandës ofron të paktën pesë lloje të ndryshme të mundësive ekonomike që mund të shfrytëzohen nga industria e turizmit detar. Këto aktivitete përfshijnë vizita në vendet arkeologjike, turne dhe aktivitete eno-gastronomike, zhytje, shtigje alpine dhe udhëtime edukimi dhe ndërgjegjësimi.

Peshkimi është një tjetër sektor që është cilësuar me potencial në ekonominë blu por në raport flitet për problematika të  mbishfrytëzimit të fondit të peshqve apo dobësitë në menaxhimin e sektorit. Si e gjykoni në tërësi gjendjen e peshkimit dhe masat që mund të merren për të rritur përfitimin ekonomik?

BB: Sektori shqiptar i peshkimit nuk funksionon në potencialin e tij të plotë për shkak të mbishfrytëzimit të rezervave të peshkut dhe produktivitetit të ulët të aseteve prodhuese. Vlerësohet se 80% e rezervave të peshkut janë mbishfrytëzuar, pjesërisht për shkak të peshkimit të paligjshëm, të paraportuar apo të parregulluar si dhe mbi kapacitetin e flotës peshkuese. Menaxhimi i sektorit të peshkimit duhet të përmirësohet dhe forcohet në përputhje me përparësitë e Strategjisë Kombëtare të Peshkimit dhe ato të anëtarësimit në BE në mënyrë që të ndryshojnë trendet negative të rezervave si dhe të adoptohen praktika më të qëndrueshme peshkimi.

Shqipëria mund të nxisë sektorin e peshkimit dhe akuakulturës duke përfituar nga mundësitë e eksportit, në kontekstin e një kërkese globale në rritje për prodhime deti dhe një industrie të brendshme të përpunimit që i përgjigjet mirë. Prodhimi i akuakulturës mund të rritet duke lehtësuar dhënien e licencave, zhvillimin e standardeve mjedisore dhe sociale, nxitjen e kërkimit dhe zhvillimit dhe stimulimin e investimeve private. Rritja e kapacitetit kombëtar të kërkimeve detare do të ndihmojë në avancimin e reformës dhe rritjes së sektorit të peshkimit.

Një përvojë tjetër e mirë që Shqipëria mund të zbatojë është përmirësimi i fuqisë së marketingut të peshkatarëve përmes një platforme elektronike të ankandit, e cila ka disa përparësi ndaj shitjes direkte tek vetëm disa klientë, duke vendosur blerësin dhe shitësin drejtpërdrejt në kontakt. Është më i shpejtë, efikas dhe lejon transparencë të plotë, konkurrencë të ndershme midis blerësve dhe shitësve. Ajo tërheq më shumë blerës, duke dhënë çmime më të mira dhe duke sjellë peshqit në treg më shpejt. Fotografitë dhe detajet e kapjes ngarkohen në platformën e ankandit elektronik dhe blerësit (p.sh. tregtarët me shumicë, restorante) bëjnë porositë e tyre.

Raporti sjell disa propozime interesante për grupimet detare apo nxitjen e peshkimit për klasifikimin “Eko” dhe “Bio” ose “Organike”. Si mund të arrihen këto sa i takon politikave mbështetëse dhe pse mund të jenë avantazh për Shqipërinë?

BB: Platformat/grupimet (clusters) detare dhe etiketimi eko për peshkimin (‘Blue Albania’) janë me të vërtetë dy rekomandime kryesore në raportin tonë të fundit.

Këto grupime detare mund të zhvillohen duke iniciuar një program për të promovuar paketat e pushimeve me vela në jug për të rritur besimin e vizitorëve dhe për të fituar përvojë të vlefshme brenda vendit në lidhje me kërkesat që ka ky lloj aktiviteti. Gjithashtu, marketingu i duhur mund të ndihmojë në promovimin e paketës unike të jahteve/velave të Shqipërisë, duke e lidhur atë me pasuritë natyrore dhe kulturore. Gjithashtu është e rëndësishme të ndërtohet oferta dhe produkti i turizmit detar / dhe atij të jahteve, duke e lidhur atë me turizmin e brendshëm duke siguruar infrastrukturën e duhur për të akomoduar rritjen e mëtejshme. Ndërgjegjësimi i duhur dhe fushatat e marketingut të targetuara mund të ndihmojnë në zhvillimin e aktiviteteve eno-gastronomike dhe atyre kulturore, të tilla si vizitat në muzeume, vendet arkeologjike dhe shtigjet e natyrës përgjatë rrugëve jugore dhe marketimin e tyre për vizitorët detarë.

Zhvillimi i një skeme eko të brandit 'Blue Albania' në lidhje me peshkimin dhe akuakulturën do të lejojë vendin të reklamojë prodhimet e detit, të konkurrojë më mirë me vendet fqinje, të pozicionohet në tregun e produkteve të detit me prodhimet e veta që të përfitojë nga çmime më të leverdisshme, duke zgjeruar edhe pjesën e vet të këtij tregu. Kërkesa për produkte organike është një trend në rritje midis konsumatorëve perëndimorë. Në Shqipëri, etiketa “bio”  është bërë gjithashtu më e zakonshme si në strategjinë kombëtare të zhvillimit ashtu edhe në skemat e marketingut të sektorit privat.

Ndotja detare dhe plastika janë dy problematika që preken në raport. Si mund të eliminohen efektet e këtyre dy aspekteve sa i takon pakësimit të përdorimit të plastikës apo mënyrës sesi menaxhohen mbetjet kur flasim për kuadrin ligjor, skemat nxitëse për riciklimin apo dekurajuese për përdorimin plastikës?

BB: Ndotja detare dhe ajo e plastikës është me të vërtetë një çështje e madhe në Shqipëri, është një rrezik i madh për mjedisin, shëndetin e popullatës dhe strategjinë e Ekonomisë Blu në vend. Ambicia e Shqipërisë është të adresojë sfidat e kësaj trashëgimie të ndotjes së zonave bregdetare. Një mjedis i pastër dhe i shëndetshëm detar përbën një litar shpëtimi për sektorët me bazë detare në Shqipëri. Ndotjet në det mund të parandalohen përmes rritjes së riciklimit apo shmangies së produkteve/ambalazheve njëpërdorimshme. Hapa të tjerë të dobishëm janë përdorimi i alternativave përkundrejt plastikës, eko-dizajnit (për shembull, produktet plastike që parandalojnë hedhjen e mbeturinave, duke shmangur përdorimin e qëllimshëm të mikroplastikave në produkte) si dhe përmes veprimeve dhe fushatave të edukimit dhe ndërgjegjësimit intensiv.

Ndotja plastike detare në Shqipëri nuk mund të zgjidhen vetëm me një politikë ose masë te vetme. Do të duhen veprime të mirëkoordinuara dhe të bashkërenduara për të frenuar rrjedhjet plastike. Një qasje e tërë sistemit duhet të devijojë mbetjet plastike nga vendhedhjet, duke njohur vlerën e tyre ekonomike si material që mund të ripërdoret. Ndërsa është e rëndësishme të pranohen të metat në sistemin e menaxhimit të mbetjeve, çështja thelbësore është parandalimi i gjenerimit të mbetjeve plastike përmes investimeve në zanafillën e tyre. Raporti ynë ofron një listë të detajuar politikave dhe veprimeve që duhet të ndërmerren për të mbrojtur mjedisin detar nga ndotja plastike në një vend bregdetar si Shqipëria.

Api
Api