Learn how the World Bank Group is helping countries with COVID-19 (coronavirus). Find Out

OPINION

Olters: Konsensus politik për zhvillimin e ekonomisë

2014-07-21


Jan-Peter Olters, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovë Koha Ditore

Koha Ditore: Qeveria e Kosovës që nga viti 2008 prioritet e ka pas ndërtimin e rrugëve. Duke përfshirë edhe tri vitet e ardhshme që do të gëlltisin 33% të investimeve kapitale. A ka qenë ky koncentrik vetëm në rrugë i gabuar? Apo thënë ndryshe, investimin e një pjese të këtyre mjeteve në sektor të tjerë a do të sjellte më shumë punësim dhe rritje ekonomike të qëndrueshme?

Olters: Rrjeti i transportit që garanton qasje të sigurtë në porte detare dhe tek partnerët kryesore tregtarë është një prioritet i rëndësishëm, sidomos për një vend të vogël, pa dalje në det. Vazhdon të jetë fakt që e vetmja rrugë për në tregjet e Evropës Qendrore, siç janë Gjermania apo Zvicra, që nuk kalon nëpër një vend që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës është ajo nëpërmjet Shqipërisë dhe Italisë. Nuk ka dyshim se Rruga 7 – nëse mirëmbahet mirë – do të vazhdojë të gjenerojë përfitime të rëndësishme ekonomike. Diskutimi për atë se a e kanë maksimizuar impaktin zhvillimor paratë e shpenzuara në autorrugën për Shqipëri, në raport me shumën e njëjtë të parave që ka mundur të shpenzohet në projekte alternative, është një diskutim i pastër akademik.

Sidoqoftë, duke shikuar tek mandati i qeverisë së ardhshme, është e qartë se hapësira fiskale (edhe para nënshkrimit të kontratës për autorrugën për në Maqedoni) ka qenë duke u zvogëluar me një ritëm paqëndrueshëm të shpejtë – nga obligimet tashmë të zotuara shtesë (pagat, pensionet, veteranët e luftës, dhe të burgosurit politikë) e deri te gjasat e shtuara për nevojën për përgjigje emergjente për të shmangur krizën energjetike në pritje (importet, rehabilitimi infrastrukturor, dhe investimet e reja në prodhim), ulja qysh tash e dukshme e mbledhjes së tatimeve dhe të ardhurave, kufizimet e qarta ndaj mundësisë së Qeverisë për të marrë hua të brendshme në lartësitë e tashme dhe, apo, me shkallën e tashme të interesit, si dhe nevoja urgjente për të shmangur akumulimin e vonesave në pagesa, që do të ngulfaste çfarëdo potenciali për shpejtim të rritjes.  Qeverinë e ardhshme e presin vendime shumë të vështira për adresimin e prioriteteve urgjente zhvillimore dhe paralelisht për të siguruar stabilitet makro-fiskal.

K.D.: Me këto kufizime që i keni përmendur, duke ia shtuar edhe nënshkrimin e kontratës 600 milionëshe, a do të thotë se ekonomia e Kosovës do të vazhdojë të qalojë?

Olters: Marrë parasysh kufizimet në pjesën e të ardhurave, shpenzimeve, dhe financimit në buxhet, kjo do të thotë në radhë të parë se qeveria e ardhshme do të duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë dhe të vazhdueshme “vlerës që merr për paratë” për secilin euro të shpenzuar nga buxheti, të rishqyrtojë politikën tatimore dhe administratën, dhe t’i vendos në krye të agjendës  reformat që do të rrisin efikasitetin e administratës publike. Kjo do t’i ndihmojë financat publike, do ta përkrah ekonominë, dhe do të përkrah synimet e Kosovës për integrim evropian.

K.D.: Fakti që rritja ekonomike nuk po mund të kalojë normën prej 3 5, a do të thotë se investimet në Autostrada po e rrisin punësimin dhe po ndikojnë në rritje ekonomike vetëm gjatë kohës së ndërtimit të saj?

Olters: Përderisa performansa mesatare e rritjes ekonomike të Kosovës në vitet e fundit ka qenë superiore në krahasim me vendet fqinje, nuk ka mjaftuar për të gjeneruar përmirësime të rëndësishme në tregun e punës. Për të qenë në gjendje për të tërhequr një ekonomi përpara dhe për ta vendosur sektorin privat në një pozitë për të inovuar, zgjeruar apo gjeneruar punësim, secila unazë në zinxhir duhet të jetë e fortë. Një rrjet i mirë transporti e bën tregtinë më të lehtë, dhe kjo është me rëndësi, mirëpo kjo nuk siguron prodhimin e mallrave apo ofrimin e shërbimeve me kualitetin që kërkohet për të qenë i suksesshëm në tregjet e brendshme dhe të jashtme. Për shpejtuar rritjen në mënyrë të qëndrueshme në shkallë më të larta se 3.5 apo 4 përqind duhet që ekonomia të mbyll hendekun me vendet tjera në Evropë sa i përket produktivitetit vendor dhe  të jetë inovative, në mënyrë që - siç më ka thënë një ndërmarrës kosovar me një rast – të ofrojë mallra dhe shërbime me kualitet gjerman e me çmime ballkanike.  Kjo kërkon një agjendë reformatore më të gjërë e më të fokusuar që përfshin superstrukturën ligjore dhe institucionale, infrastrukturën publike dhe një sektor arsimi që i mundëson çdo kosovari të moshës punëtore të kontribuojë me aftësitë e tij apo të saj më të mira për përparimin e vendit.

K.D.: Çfarë pasoja ka për ekonominë e Kosovës orientimi i investimeve në vetëm një sektor, duke ditur këtë numër të papunësisë dhe këtë nivel të varfërisë?

Olters: Kur i mendon politikat zhvillimore si një zinxhir me shumë unaza, kjo do të thotë se nuk mjafton nëse vetëm njëra apo disa unaza janë të forta. Në fakt, unaza më e dobët përcakton forcën e përgjithshme të zinxhirit. Unë shpresoj se me qeverinë e re, gjatë një mandati të plotë, Kosova do të hartojë një strategji zhvillimore dhe një model ekonomik që funksionon për ekonominë e vet dhe që përkrahet nga i gjithë spektri politik. Momentalisht, nuk ekziston një vizion i përkrahur gjerësisht për një model ekonomik, në fakt, një pikëpamje e përbashkët për rolin e sektorit privat në ekonomi dhe si rezultat kjo rrit tensionin dhe pasigurinë në zbatimin e politikave zhvillimore në sektorët strategjikë. 

K.D.: Sipas juve, cila duhet të jenë bazat e këtij vizioni të ri ekonomi, ku duhet të mbështetet ai?

Olters: Deri më sot rritja kryesisht ka qenë e udhëhequr nga faktorë që kanë efekt të përkohshëm në rritje, përfshirë këtu investimet publike, remitencat e diasporës dhe përkrahjen e donatorëve. Të gjithë këto elemente ndihmojnë, mirëpo ato duhet të jenë pjesë e politikave që në qendër e vendosin pyetjen se çfarë do të ndihmonte për rritjen e produktivitetit të ndërmarrjeve private që veprojnë në Kosovë apo të atyre që po shqyrtojnë investimin këtu. Kjo do të “endogjenizonte” rritjen dhe do të kishte efekte permanente  për ekonominë e Kosovës. Dhe kjo jo domosdoshmërisht do të thotë se ndërmarrjet e Kosovës duhet të jenë inovatorë global. Në shumë sektorë të ekonomisë kosovare, rritja mund të stimulohet duke “zënë hapin” me standardet që mbizotërojnë në vende tjera, ashtu që produktet vendore të bëhen konkurruese së pari në tregun lokal, pastaj rajonal dhe në fund ndërkombëtar. Një treg me 500 milionë konsumatorë pret mu te pragu i Kosovës, në të Kosova ka qasje të privilegjuar.

K.D.: Më herët nga zyrtarë të BB-Së është thënë se Kosova ende nuk ka arritur të ngritë një sektor që do të jetë bazë e zhvillimit ekonomik, siç kanë bërë Serbia, Maqedonia? Në cilët sektorë Kosova duhet të koncentrohet, e të cilët kanë përparësi krahasuese me vendet tjera të rajonit?

Olters: Për të qenë në gjendje për të tërhequr investime – të huaja apo vendore – të shkallës dhe përfshirjes së nevojshme për të afruar Kosovën te kufijtë e teknologjive apo standardave të tashme kërkon siguri të energjisë, qeverisje të parashikueshme, dhe njerëz mirë të edukuar dhe mitë të trajnuar. Gjatë kohës së nevojshme për të ndërtuar bazat për nje ekonomi të fortë, sidomos në sektorët e energjisë dhe arsimit, stimuli për rritje në aspektin afatshkurtë dhe afatgjatë duket se vjen nga bujqësia, një sektor ky që po ka sukses në rritjen e produktivitetit dhe kualitetit të prodhimit të vet. Do ta vëreni edhe vet: ka gjithnjë e më shumë gjasa që, kur të bleni pemë dhe perime, do të merrni në treg ose në supermarket një produkt që është “Prodhuar në Kosovë” (“Made in Kosovo”).

K.D.: Cilët sektor duhet të koncentrohen investimet në mënyrë që të ketë rritje të punësimit dhe ulje të varfërisë?

Olters: Në fund, janë investitorët privatë ata që duhet të vendosin se a duan të vijnë në Kosovë në vend se të shkojnë në nje vend tjetër, për shkak se këtu është më lehtë dhe më e mundshme të jenë të suksesshëm se sa diku tjetër. Ajo që qeveritë mund të bëjnë është t’i ofrojnë sektorit privat një klimë të ligjeve të mira, institucioneve që funksionojnë mirë, dhe një infrastrukturë publike të mirëmbajtur. Kjo do të ndihmojë që shqiponja e Kosovës të shkojë pas tigrave të Azisë.

K.D.: Sa u është përshtatur sistemi arsimor nevojave të tregut të punës? Çka duhet bërë që të ngritët cilësia në arsim dhe që të kemi më shumë profesione që u përshtaten nevojave të ekonomisë së Kosovës?

Olters: Janë bërë hapa të rëndësishëm të parë për të integruar standardet dhe planprogramet në sektorin e arsimit me zhvillimet në Bashkimin Evropian. Kontrolli i jashtëm i kualitetit, që është pjesë e një agjende të tillë reformatore, ndihmon që studentëve t’u ofrohen njohuri të forta bazike në matematikë, shkenca natyrore dhe sociale, si dhe në njohjen e gjuhëve. Kjo do t’i ndihmojë sektorit privat për të komplementuar arsimin formal me trajnimin specifik për një firmë në mënyrë që të ngritet kualiteti dhe standardi i të punësuarve në fuqinë punëtore. Për të bërë një impakt real, shkollat dhe universitetet nuk mund të lihen vet dhe kanë nevojë për rekomandime nga odat tregtare, institutet ekonomike, dhe të gjitha institucionet që prodhojnë statistika të kërkesës për punë.

K.D.: Gjatë viteve të kaluara kemi pasur rënie të investimeve të huaja, ndërkohë aktualisht kemi nivelin më të ulët të GDP-së, nivelin më të lartë të papunësisë, dhe një deficit tregtar rekord. Çfarë tregojnë gjithë këta faktorë? Dhe sa do të jetë sfiduese për Kosovën të zë hapin me vendet e rajonit?

Olters: Siç e përmenda më herët, do të ndihmonte shumë ekzistimi i një koncensusi themelor për një model ekonomik apo për rolin e sektorit privat brenda tij. Për shembull, privatizimi i telekomunikimeve dështoi për shkak se nuk kishte konsensus politik dhe jo për shkak se nuk kishte interesim prej investitorëve. Debati publik për privatizimin e kompanisë për distribucion të energjisë elektrike u fokusua në të ardhurat për buxhetin duke anashkaluar potencialin dhe pritjet që shkojnë me modernizimin gjithpërfshirës  të një sektori që ka nevojë dëshpëruese për rinovim. Sektori i sigurimeve duhet të mirëpres dhe jo të rezistojë ndaj diskutimeve për përfitimet e Kosovës nga sigurimi ndërkombëtar për mjetet motorike, kartoni i gjelbërt, sepse kjo do të stimulonte konkurrencën ndërmjet kompanive ekzistuese të sigurimeve dhe do të çonte në një sektor me nivele të ngjashme të standardeve me ato që dominojnë në rajon dhe në Evropë. Shpesh ekziston frika nga këto ndryshime sepse ato sjellin trazime dhe pasiguri. Kosova është e aftë mirëpo po ashtu duhet të jetë e hapur për të importuar njohuritë e tashme dhe standardet më të larta nga vendet më të mira nga e gjithë bota. 



Kontaktet e mediave
Në Pristinë
Lundrim Aliu
tel : +381 38 224 454
laliu1@worldbank.org

Api
Api