Skip to Main Navigation
HISTORIA E PËRZGJEDHUR 2018-09-06

Trajtimi me teknologji i situatave ekstreme klimatike në Ballkan

Image

Sistemi klimatik Yvette, i fotografuar në maj 2014, që shkaktoi shira dhe përmbytje historike në Ballkan. Të kuptuarit e ndryshimeve në situatat ekstreme të klimës është një hap me rëndësi drejt politikave efektive të menaxhimit të rrezikut nga fatkeqësitë. 

Fotografia: NASA


PIKAT KRYESORE TE historisë

  • Moti ekstrem po bëhet diçka normale për Ballkanin.
  • Qeveritë po konsiderojnë inovacionet teknologjike për të kuptuar më mirë risqet.
  • Vendet e Ballkanit po ndajnë në kohë reale të dhënat hidro-meteorologjike dhe parashikimet për të bërë të mundur lajmërime të hershme në rast përmbytjesh.

Moti ekstrem është duke u shndërruar me shpejtësi në një dukuri normale në Ballkan. Në maj të vitit 2014, përmbytjet historike çuan drejt varfërisë mbi 125.000 njerëz vetëm në Serbi dhe shkaktuan mbi 2 miliard dollarë dëme dhe humbje në Bosnjë dhe Hercegovinë. Një varg temperaturash të larta rekord ia morën frymën Evropës Jugore vitin e kaluar, prej të cilave u shtrembëruan shinat hekurudhore në Serbi, dhe të cilat morën nofkën “Luciferi” për shkak se qenë mbi 40 gradë celsius, duke mos harruar se temperatura të ngjashme e kishin prekur këtë rajon jo më larg se disa muaj më parë. Sipas studiuesve ndërkombëtarë, ndryshimi i klimës ka luajtur një rol të rëndësishëm në të dyja këto valë të nxehti, ndërsa trendi mund të përkeqësohet në dekadat e ardhshme.

Image
Unprecedented flooding hit part of the Balkans in 2014. In this photo: floods in the the town of Obrenovac, Serbia. Photo: Vekom Geo.
Një raport i fundit i Bankës Botërore konstaton se temperaturat verore në Ballkan mund të rriten deri në fund të shekullit me 4 gradë Celsius mbi nivelet paraindustriale. Temperatura kaq ekstreme mund të sjellin thatësira të skajshme, prej së cilës zvogëlohen rëndë rendimentet bujqësore dhe shkaktohet mungesë uji në të gjithë rajonin. Edhe mungesa e reshjeve të parashikueshme mund ta ulë me 20 për qind ose më shumë prodhimin hidroenergjetik, një burim madhor i energjisë së rinovueshme për Ballkanin. Për më tepër, pritet të rriten edhe rreziqet e përmbytjeve gjatë stinës së dimrit dhe pranverës, duke i përkeqësuar fatkeqësitë natyrore rajonale, siç qenë përmbytjet e vitit 2014.

Përdorimi i teknologjisë për të kuptuar më mirë risqet

Qeveritë po u drejtohen teknologjive novatore për ta kuptuar më mirë ndryshimin klimatik dhe riskun e fatkeqësive dhe për të marrë masa efektive. Për shembull, me mbështetjen e Fondit Global për Zvogëlimin e Fatkeqësive dhe Rimëkëmbjen (GFDRR), si dhe të Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO) dhe USAID-it, vendet e Ballkanit shkëmbejnë në kohë reale të dhëna dhe parashikime hidrometeorologjike për të siguruar informacion kritik për përmbytjet. Përpilimi i këtyre informacioneve në modele të avancuara të përmbytjeve do të sigurojë paralajmërime të hershme me rëndësi kritike për komunitetet e cenueshme dhe do t’i ndihmojë zyrtarët të analizojnë trendët afatgjatë klimatikë.


"Politikat e administrimit të riskut të fatkeqësive duhet të fillojnë së pari duke kuptuar risqet me të cilat përballen komunitetet e Ballkanit."
Linda Van Gelder
Drejtoreshë Rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor

Në Serbi, qeveria është vendosur në partneritet me Bankën Botërore dhe Bashkimin Evropian për të kryer analiza të gjerësishme me metodën LIDAR të rajoneve prioritare për të ndërtuar modele topografike të hollësishme digjitale. Këto modele mund të identifikojnë me saktësi në hartë zonat e përmbytjeve dhe sigurojnë informacion për investimet strategjike në rrugë, për përpjekjet për zvogëlimin e risqeve dhe për gatishmërinë e komunitetit për ta zvogëluar ndikimin e ngjarjeve në të ardhmen.

“Kur bëhet fjalë për përmbytjet, investimet në aftësinë për rimëkëmbje janë efektive vetëm kur kuptohen qartë risqet”, thotë Darko Milutin, specialist për menaxhimin e riskut të fatkeqësive, pranë Bankës Botërore. “Me metodën LIDAR, jemi në gjendje t’i sigurojmë qeverisë harta topografike jashtëzakonisht të hollësishme, të cilat mund të përdoren për të ndërtuar modele më të sakta të përmbytjeve, për të vlerësuar më mirë rreziqet dhe risqet e përmbytjeve dhe për t’i dhënë kështu mundësi qeverisë të dijë ku dhe si të veprojë, planifikojë dhe investojë për zvogëlimin e këtyre rreziqeve”.

Informacionet e besueshme mbi risqet përbëjnë themelin e politikave efektive të administrimit të riskut të fatkeqësive. Për t’i shtuar të dhënat në dispozicion në Ballkan, Banka Botërore dhe GFDRR kanë zhvilluar Indeksin e Të Dhënave të Hapura për Aftësinë Rimëkëmbëse, një platformë e hapur për t’u informuar në mënyrë bashkëpunuese mbi klimën dhe riskun e fatkeqësive. Grupet e të dhënave që dorëzohen në këtë portal mund të aksesohen nëpërmjet instrumenteve të tjera të përshtatura sipas nevojës, të tilla si ThinkHazard! (platformë vizualizimi të risqeve), Geonode (sistem i administrimit të të dhënave gjeohapësinore) dhe Inasafe (softuer i skenarëve të ndikimit të shpejtë të rreziqeve). Kohët e fundit në Selanik janë përdorur instrumente të tilla për të krijuar një portal të hapur me të dhëna në nivel bashkie, i cili tani po vë në lëvizje punën për modelimin e riskut për të kuptuar më mirë cenueshmërinë e qyteteve nga përmbytjet dhe tërmetet, ndërkohë që përpjekjet me të dhëna nga burime të hapura për stokun e banesave të ndërtuara para vitit 1990 në vende si Bullgaria po ndihmojnë në nxitjen e qeverive për të marrë masa mbi riskun sizmik në të gjithë rajonin.

Disa nga teknologjitë që përdoren për të rritur aftësinë për rimëkëmbje në Ballkan janë të përqendruara në risqet financiare, në vend të atyre fizike. Për shembull, përmbytjet e vitit 2014 shkaktuan dëmtime dhe humbje të barasvlershme me pothuajse 5 për qind të PBB-së së Serbisë dhe gati 15 për qind të PBB-së së Bosnjës dhe Hercegovinës, ku nevojat për rimëkëmbje ushtruan shumë trysni mbi burimet shtetërore. Për të rritur mbrojtjen financiare nga ngjarjet e ardhshme, Qeveria e Serbisë ka marrë nga Banka Botërore një kredi novatore kundër katastrofave, e cila mund të përdoret brenda 24 orëve pasi ndodh fatkeqësia për të siguruar rimëkëmbje të shpejtë duke ruajtur në të njëjtën kohë investimet sociale. Ky instrument, i quajtur Opsioni i Shtyrjes në Kohë të Tërheqjes së Fondeve i Lidhur me Katastrofat (Catastrophe-Deferred Drawdown Option, ose Cat-DDO), është i pari i këtij lloji që zbatohet në rajon dhe shërben si model për vendet e tjera që kërkojnë të ngrenë qëndrueshmërinë financiare ndaj një klime gjithnjë e më të paparashikueshme.

Bashkëpunimi për aftësinë për rimëkëmbje

Novacione të tilla si algoritmet e fuqishme të inteligjencës artificiale, dronë me kosto të përballueshme, por me rezolucion të lartë dhe instrumente financiare digjitale po bëhen gjithnjë e më të zakonshme. Por nevojiten përpjekje të tjera shtesë për të siguruar që këto teknologji të shfrytëzohen në mënyrë efektive për aftësinë për rimëkëmbje nga ndryshimet klimatike dhe goditjet nga katastrofat. Konferenca Ballkanike “Të kuptojmë risqet”, e organizuar nga Qeveria e Serbisë me mbështetje nga Banka Botërore, Bashkimi Evropian dhe GFDRR, zhvillohet në 17 shtator 2018 për të ndihmuar në përshkallëzimin e zbatimit të këtyre teknologjive të reja.

“Vendet e rajonit të Ballkanit janë duke ndërmarrë hapa paraprakë për ta ulur riskun klimatik dhe të fatkeqësive”, thotë Linda Van Gelder, Drejtoreshë Rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor. “Politikat e administrimit të riskut të fatkeqësive duhet të fillojnë së pari duke kuptuar risqet me të cilat përballen komunitetet e Ballkanit. Konferenca “Të kuptojmë risqet” është një nga platformat e pakëta ku shkencëtarët, përfaqësuesit shtetërorë, zërat nga sektori privat dhe shoqëria civile mund t’i drejtohen së bashku kësaj sfide dhe të zbatojnë novacionet më të fundit të kësaj fushe.”

Partnerët e zhvillimit janë duke i mbështetur qeveritë të ndjekin politika të tjera që marrin në konsideratë edhe ndryshimet klimatike në të gjithë Ballkanin. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, po punohet për të rivendosur infrastrukturën kritike për mbrojtjen nga rritja e riskut të vërshimeve. Në Shqipëri, qeveria po ndjek politika të qëndrueshme të tokës për të ndihmuar që ujësjellësat të mbrohen nga të valët e të nxehtit dhe nga thatësira. Në IRJ të Maqedonisë po punohet për ta mbrojtur sektorin vital të bujqësisë në vend nga ndryshueshmëria e klimës. Ndërsa në Kosovë dhe në Malin e Zi, politikat e eficiencës energjetike po integrohen në politikat e tjera për të siguruar rritje të qëndrueshme ekonomike.

Me rritjen e paparashikueshmërisë së modeleve klimatike në rajon, shfrytëzimi i teknologjive të reja do të jetë jetik për të siguruar mbrojtjen dhe qëndrueshmërinë e komuniteteve në Ballkan, pavarësisht se çfarë moti do bëjë për to.



Api
Api