Learn how the World Bank Group is helping countries with COVID-19 (coronavirus). Find Out

HISTORIA E PËRZGJEDHUR

Interneti broadband lidh njerëzit në Kosovën rurale me mundësitë ekonomike

2016-01-21


World Bank Group

PIKAT KRYESORE TE historisë
  • Telefonat mobilë përmirësojnë jetët e fermerëve në Kosovë
  • Infrastruktura broadband do t’u mundësojë zonave rurale të zhvillohen dhe të jenë më të integruara në ekonomi
  • Banka Botërore përkrah Qeverinë e Kosovës për ta shtuar përdorimin e internetit

Prishtinë, Kosovë - Fitore Përçuku, fermere kosovare, para se të lidhej me internet, humbiste shumë kohë dhe para duke vizituar çdo supermarket në rajonin e saj për t’i ekspozuar perimet që donte t’i shiste. Tani e përdor telefonin e zgjuar për të dërguar fotot e domateve, specave, dhe trangujve të saj tek ato supermarkete dhe merr përgjigje të shpejtë duke kursyer kohë dhe para për karburant apo transport.

"Interneti është shumë i mirë. Ne nuk kemi nevojë t’i dërgojmë perimet te menaxherët e dhjetëra dyqaneve ushqimore e supermarketeve me të cilat punojmë, e ata nuk duhet të vijnë te ne për të na i parë produktet. Ua dërgojmë fotot e produkteve drejt nga serra, duke përdorë Viber, WhatsApp ose Facebook", thotë Përçuku që drejton biznesin e vogël familjar Andi BioFrut, i cili përfshin dy sera në afërsi të shtëpisë.

Ajo përdor internet në telefonin e mençur, sepse në fshatin e saj Stanovc, afër Vushtrrisë, veç nja 30 kilometra në veri të Prishtinës, ende nuk ka kurrfarë lidhjeje interneti me broadband. I vetmi opsion në dispozicion që i mbetet është të lidhet nëpërmjet një antene me rreze të gjatë në një pikë të Wi-Fi të një fshati tjetër. Por kjo lidhje, thotë ajo, është fort e pasigurt, veçmas në mot të ligë.

 “Do të ishte gjë e bukur po të kishim internet kabllor në shtëpi. Do t’i bënim dhe do t’i shihnim pagesat bankare online. Do t’ia paguanim taksat Administratës Tatimore me internet", thotë Përçuku duke shpjeguar se si do t’i ndihmonte një lidhje e besueshme dhe e lirë broadband në shtëpi.

"Do t’i instalonim kamerat e lidhura me internet edhe nëpër serra për t’i monitoruar. Na duhet të udhëtojmë për në qytet që t’ua dërgojmë perimet supermarketeve dhe do të donim të siguroheshim se punëtorët janë duke punuar kur nuk jemi të pranishëm dhe të jemi në dijeni për ndonjë vjedhje a dëmtim të pronës,”shpjegon ajo.

Përmirësimet e tilla në prodhimtari dhe lidhshmëri me tregjet do t’i ndihmonin bizneset e tjera në zonat rurale që të rriteshin dhe të krijonin vende pune. Familja Përçuku ishte në gjendje ta zhvillonte biznesin e vet bujqësor edhe falë subvencioneve qeveritare. Megjithatë, me gjithë rritjen e kohëve të fundit në bujqësi, shumë njerëz nëpër zonat rurale, e veçmas gratë, mbeten të papuna dhe jetojnë në varfëri. Dy të tretat e të gjithë të varfërve dhe tejet të varfërve në Kosovë, jetojnë nëpër zona rurale, dhe jetojnë me më pak se 1,72 euro, respektivisht 1,20 euro në ditë.

Qeveria ka vullnet që ta zgjerojë shtrirjen e shërbimeve të internetit broadband nëpër zonat rurale për ta kapërcyer hendekun e zhvillimit rural-urban dhe për ta nxitur rritjen ekonomike. Interneti mund të lidhë më shumë njerëz me mundësitë ekonomike dhe sociale. Kërkohet përkrahja publike për t’i lidhur ata njerëz që më së shumti rrezikojnë të mbeten prapa në ekonominë digjitale: të varfërit, gratë dhe banorët ruralë.

"Infrastruktura e internetit broadband do t’u mundësojë zonave rurale të zhvillohen dhe të jenë më të integruara në vendin tonë", thotë Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Blerand Stavileci. "Ajo do ta trasojë edhe rrugën për aftësi të përmirësuara, për rritje të eksportit të shërbimeve në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit dhe për biznes më të digjitalizuar," shpjegon ai.

Përpjekjet e Kosovës për ta përmirësuar mbulimin ekzistues rural me internet broadband po ndihmohen nga Banka Botërore, e cila po punon me Qeverinë për të hartuar një program kombëtar për internetin broadband që do t’i adresojë mangësitë infrastrukturore ndërmjet zonave urbane dhe rurale. Mbështetja përfshin edhe organizimin e shkëmbimeve efektive të infrastrukturës në të gjithë sektorët e energjisë e të telekomunikacionit, duke krijuar potencialisht qasje më të shpejtë në internetin broadband nëpër zonat rurale me një kosto më të ulët.

Banka Botërore mbështet edhe iniciativat e Qeverisë së Kosovës për ta shtuar përdorimin e internetit dhe për ta promovuar një ekonomi konkurruese e të gjelbër. Aktualisht, përkrahja përfshin një pilot për të kyçur më shumë gra në ekonominë digjitale nëpërmjet një projekti pilot të quajtur "Punët e gjelbra". Kjo do t’i pajisë 100 gra të papuna nëpër zonat rurale me aftësi teknike dhe kompjuterike për t’i lidhur ato me mundësitë globale të punës në internet . Kjo do të ndihmojë për ta luftuar papunësinë në Kosovë ,që është njëra nga shkallët më të larta të papunësisë në Europë, aktualisht 35.3 për qind, dhe sidomos e lartë te gratë.

"Interneti hap dyert  për te informacioni, puna, dhe  qasja e shtuar në shërbimet publike të të gjitha llojeve", thotë Menaxheri i Bankës Botërore në Kosovë Jan-Peter Olters. "Me zbatimin e investimeve broadband në zonat rurale, të cilat janë veçanërisht të goditura nga papunësia dhe amullia ekonomike, duhet të ndihmohet përmirësimi i produktivitetit të aktiviteteve ekzistuese, për shembull në bujqësi, dhe t’u mundësohet banorëve, veçmas grave, që të zhvillojnë mundësi të reja ekonomike," shton ai.

Me këso mundësish nga ekonomia digjitale do të përfitojnë edhe të tjerë si Përçuku. Bizneset e tyre – aktualisht të kufizuara në tregjet lokale – do të zgjeroheshin dhe do të depërtonin në mbarë Kosovën e më gjerë. Në fund të fundit, shpresa është se me avantazhet e mundësuara me internet broadband nëpër zonat rurale do të përfitonte i gjithë vendi.

Api
Api