HISTORIA E PËRZGJEDHUR

Kërkohen punë: Të rinjtë në Evropën Juglindore

2013-10-21


Image

Pikat kryesore
  • Dušan është student universitar në Serbi i cili, pas diplomimit, do të përballet shpejt me të njëjtën sfidë si edhe të rinj të tjerë të panumërt në Evropën Juglindore: papunësinë dhe punë me orë të pjesshme.
  • Të marra së bashku, shkalla e papunësisë në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, IRJ të Maqedonisë, dhe Serbi – rajoni i Evropës Juglindore (EJL) është gati 35% dhe një në katër të rinj as nuk punon, as nuk studion, as që kërkon për punë.
  • Një dialog i nivelit të lartë për punësimin e të rinjve mbajtur kohët e fundit analizoi përparimin e programeve ekzistuese dhe vuri në dukje fushat strategjike për angazhim ndaj papunësisë së të rinjve në rajon në të ardhmen.

Dushani është një student në Universitetin e Beogradit në Serbi. Si shumë nga shokët e tij të shkollës, edhe Dushani do të diplomohet së shpejti dhe do të fillojë të kërkojë punë. Për fat të keq për të, shokët e tij të shkollës dhe të rinj të tjerë të panumërt që kërkojnë punë në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, IRJ të Maqedonisë, Malin e Zi dhe Serbi – gjashtë vendet që përbëjnë rajonin e Evropës Juglindore – perspektiva e gjetjes së një pune është e pakët dhe mundësitë për të qenë të papunë për një kohë të gjatë janë të larta.

“Nuk jam tepër ambicioz për karrierë” thotë Dushani, “do të isha shumë i kënaqur nëse puna që do të bëja do të më jepte mundësi të mbaja veten dhe familjen time”.

Pavarësisht sa modeste dhe të arsyeshme duket se janë këto pritshmëri, gjithsesi, ato janë mjaft të vështira për t’u plotësuar. Duke pasur një shkallë papunësie prej më shumë se 20% dhe  një shkallë papunësie të të rinjve prej pothuaj 50%, vendlindja e Dushanit, Serbia – si të gjitha gjashtë vendet e tjera të Evropës Juglindore – vazhdon të përballet me një papunësi të lartë, rritje të kufizuar dhe pengesa të vazhdueshme financiare, të krijuara nga kriza financiare globale.

Për fat të keq, historia e Dushanit nuk është e vetmja në një rajon ku një në katër të rinj nuk punon, nuk studion, dhe nuk kërkon punë – dhe ku shkalla rajonale e papunësisë po i afrohet  shifrës 35%. Tregjet e punës në këto gjashtë vende karakterizohen nga papunësia e pavullnetshme, puna me orë, pasiviteti, dhe zhgënjimi – veçanërisht midis njerëzve të moshave 15-25. 

Image

“Për mua do ishte mirë”, thotë Gazmendi, një teknik ndërtimi 24 vjeçar nga Sarajeva, Bosnja dhe Hercegovina, “të kisha një punë të përhershme me sigurime”. Edhe kur të rinjtë kanë fatin të gjejnë  punë, megjithatë,  këto punë shpesh janë me orë, të përkohshme, ose pjesë e sektorit informal, duke i përjashtuar ata nga sistemi i përfitimeve dhe të mira të tjera.

Konsumi dhe investimet në rënie, bashkë me qasjen e kufizuar në financime,  po e përkeqësojnë situatën tashmë të vështirë për të rinjtë në rajon. Përveç krijimit të vendeve të punës, çështje që kanë të bëjnë me rregulloret e punës, taksimin, dhe mospërputhjet me aftësitë, që të gjitha ndikojnë në mënyrë jo proporcionale tek të rinjtë, sidomos te gratë e reja dhe të rinjtë që vijnë nga mjedise me probleme, duke çuar në rritjen e papunësisë, pakënaqësi dhe emigrimin e të rinjve.

Pavarësisht se kjo situatë është studiuar me hollësi nga ekspertë në mbarë botën dhe pavarësisht se janë hartuar dhe zbatuar shumë programe të rëndësishme kombëtare, ndikimi i këtyre përpjekjeve ka qenë i kufizuar dhe vazhdojnë të ketë ende sfida. Në përgjigje të këtij problemi të vazhdueshëm të papunësisë së të rinjve, politikëbërësit e rajonit po punojnë me ekspertë të organizatave shumëpalëshe, institucione akademike dhe me sfera të tjera për të eksploruar masat e mëtejshme, të cilat mund të kenë një ndikim më të madh në situatën në mbarë Evropën Juglindore.

Disa nga fushat ku duhet të përqendrohet ky bashkëpunim përfshijnë:

  • Reformat që mund të nxisin sipërmarrjen;
  • Uljen e shpenzimeve të punës që lidhen me punëtorët e rinj (p.sh. regjime të posaçme për stazhe pune);
  • Rregullore që mbrojnë punëtorët dhe jo vendet e punës;
  • Përmirësime në arsimin fillor dhe të mesëm, me një përqendrim në rritje te një lidhje më e fortë midis arsimit profesional dhe nevojave të sektorit privat;
  • Heqja e pengesave me të cilat përballen nëngrupe të caktuara të të rinjve, të tilla si përmirësimi i mundësive për kujdesin ndaj fëmijëve për gratë e reja dhe stazhe pune të subvencionuara për të rinj që vijnë nga mjedise me dizavantazhe.

Në kuadër të këtij bashkërendimi rajonal, një dialog i nivelit të lartë rreth politikave për punësimin e të rinjve u zhvillua në Vjenë, Austri, në 21 tetor. Kjo ngjarje, e organizuar nga Ministria Austriake e Financave, Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, dhe Rrjeti për Zhvillim Global, mblodhën bashkë politikëbërës të lartë nga gjashtë vende – përfshirë Ministrat e Punës, Çështjet Sociale dhe Rinisë, dhe përfaqësues nga një numër organizatash ndërkombëtare, qendra studimore, dhe përfaqësues të rinisë, për të analizuar mësimet e nxjerra nga politikat e ndryshme. Pjesëmarrësit vunë në dukje gjithashtu fusha kritike ku nevojitet të bëhen analiza të mëtejshme, të përgatiten politika dhe të ndërmerren veprime për të adresuar kolektivisht problemet e shumta me të cilat përballen vendet dhe popujt e mbarë rajonit.  Hartimi dhe përgatitja e politikave vijuese, mbështetur në këtë dialog, do të ndihmojnë për të siguruar përshtatjet e duhura të cilat mund të ndikojnë në nxitjen e zhvillimit ekonomik të rajonit, duke ndihmuar Dushanin, Gazmendin dhe shumë të rinj të tjerë në rajon të gjejnë punë me përfitim dhe të fillojnë të ndërtojnë një të nesërme më të mirë.


Api
Api