Ndryshimi i klimës është tashmë duke ndodhur në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore dhe po përshpejtohet, duke përforcuar nevojën për zgjidhje të menjëhershme, afatmesme dhe afatgjata, të cilat mund të ndihmojnë gjithkënd që është i përfshirë në bujqësi që të reduktojnë ndikimet negative. Ndryshimet në modelin e reshjeve, temperaturat në ngritje dhe rritjet e shpeshtësisë dhe ashpërsisë së fatkeqësive natyrore po i detyrojnë njerëzit të trajtojnë këto ndikime me mënyra të reja dhe novatore dhe të fillojnë të përshtaten ndaj një klime në ndryshim. Megjithëse ndryshimet në klimatike dhe efektet e tyre mbi bujqësinë do të kenë një ndikim mbi popullatën globale në përgjithësi, është popullata rurale ajo që është më e prekshme.
Një libër i ri mbi ndikimet e ndryshimeve klimatike mbi bujqësinë në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore përfshin qasjen inteligjente ndaj klimës në zhvillimin e bujqësisë në rajon. Vështrim përtej horizonit: Si do të reformojnë bujqësinë në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, ndikimet e ndryshimeve klimatike dhe përgjigjet përshtatëse (ang.) shqyrton sfidat dhe mundësitë që po krijohen në sektorin e bujqësisë në Shqipëri, RIJ të Maqedonisë, Moldavi dhe Uzbekistan. Nëpërmjet modelimit në nivel të ekonomisë të furnizimit dhe kërkesës për ujë, analiza zbuloi që, në shumë raste, disponueshmëria e ujit për ujitje do të kufizohet shumë nga ndryshimi i klimës. Kjo do të përkeqësojë shumë ndikimet e ndryshimit të klimës mbi të korrat – veçanërisht kulturat me ujitje – me një reduktim të mundshëm të rendimentit prej 20-50 përqind deri në vitin 2050.
Libri gjithashtu u ofron vendeve këshilla praktike mbi mënyrën se si të ndihmojnë sektorin e tyre bujqësor të përshtatet ndaj ndryshimeve klimatike, në një përpjekje të kombinuar si për të ulur vulnerabilitetin e fermerëve ndaj ndryshueshmërisë së klimës ashtu dhe për të forcuar aftësinë e tyre që të shfrytëzojnë përfitimet e mundshme të paraqitura nga një klimë që po ndryshon.
“Ndikimet negative të një klime që po ndryshon do të ketë pasoja serioze në sektorët e bujqësisë dhe ujit” thotë William Sutton, autori kryesor i raportit. “Kjo do të kishte ndikim mbi sigurinë ushqimore, të ushqyerit dhe bashkësitë rurale.”
Gjetjet e këtij studimi tashmë po u japin formë politikave në Shqipëri, RIJ e Maqedonisë, Moldavi dhe Uzbekistan. Bazuar në rekomandimet e tij, Qeveria e Shqipërisë po zbaton një projekt të ri ujitjeje dhe kullimi. RIJ e Maqedonisë ka përfshirë elementë të këtij dokumenti në Strategjinë e tyre të re të Partneritetit të Vendit. Moldavia po përfshin elemente të këtij raporti në projektin e tyre të zbutjes dhe përshtatjes ndaj rrezikut të fatkeqësive dhe Uzbekistani po piloton një seri rekomandimesh nga ky raport.
Për më tepër, po bëhen përpjekje në Armeni, Azerbaixhan dhe Gjeorgji për të replikuar sukseset nga ky projekt dhe për të ndërtuar një seri analizash dhe rekomandimesh për ato vende.
Nëpërmjet mbështetjes së bujqësisë inteligjente ndaj klimës dhe masave të zbatimit që përmirësojnë prodhimin bujqësor, ulin shkarkimet dhe rrisin elasticitetin ndaj ndryshimit të klimës, sektori i bujqësisë në rajon po bën përpjekje për të siguruar qëndrueshmërinë e bujqësisë në dhjetëvjeçarët që do vijnë.