Learn how the World Bank Group is helping countries with COVID-19 (coronavirus). Find Out

BRIEF

Efiqenca e Energjisë dhe Energjia e Ripërtëritshme në Kosovë

September 26, 2013


 

 

 
 
 
Image
 

DUKE PUNUAR PËR TË BËRË KOSOVËN ME NJË ENERGJI MË EFIQENTE

Efiçienca e shtuar e energjisë (EE) dhe energjia e ripërtëritshme (ER) janë komponentë themelorë të angazhimit të Grupit të Bankës Botërore në sektorin e energjisë dhe janë tejet të rëndësishme për t’i ndihmuar Kosovës që të arrijë siguri më të madhe të energjisë. Ky vend ka potencial të madh për ta shtuar efiçiencën e energjisë dhe për t'i integruar burimet e ripërtëritshme në kombinimin e saj të furnizimit me energji. Megjithatë, meqë kërkesa për energji është parashikuar të rritet për afro 4.6% në vit deri në vitin 2020, nevoja për ta shtuar efiçiencën e energjisë po bëhet gjithnjë e më urgjente.

Banka Botërore është duke e mbështetur Kosovën me anë të Projektit për Efiçiencë të Energjisë dhe Energji të Ripërtëritshme në Kosovë në vlerë prej 31 milionë dollarëve amerikanë, i cili synon ta reduktojë konsumin e energjisë dhe përdorimin e karburanteve fosile në ndërtesat publike. Përmes këtij investimi, Banka gjithashtu e mbështet Kosovën në avancimin e mjedisit të saj politik dhe rregullativ për energji të ripërtëritshme dhe efiçiencë të energjisë.

Investimet në efiçiencën e energjisë në sektorin publik mund t’i ulin dukshëm shpenzimet e energjisë, duke krijuar hapësirë fiskale për prioritetet zhvillimore të tjera dhe duke e shtuar aftësinë konkurruese dhe krijimin e vendeve të punës. Përvoja ndërkombëtare ka treguar se investimet në efiçiencën e energjisë në sektorin publik mund të ndihmojnë në katalizimin e tregjeve të energjisë efiçiente, duke ua mundësuar qeverive që të udhëheqin duke krijuar shembull dhe duke u hapur rrugë përmirësimeve të ngjashme në sektorin privat.

Gjatë një vlerësimi të tregut në Kosovë në vitin 2013, Banka Botërore ka gjetur se sektorit i ndërtimit përbën 48% të konsumit final të energjisë dhe ka një potencial të efiçiencës së energjisë prej afro 44%. Ndërtesat publike kanë shfaqur potencialin më të madh për kursim të energjisë, me 38-47% në ndërtesat komunale dhe deri në 49% në ndërtesat e qeverisë qendrore. Kursimet e tilla të energjisë mund t’i kontribuojnë kursimeve të konsiderueshme buxhetore për Qeverinë e Kosovës dhe të hapin rrugë për investime të tjera të nevojshme në ekonomi.

Megjithatë, pengesë kryesore për zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme si për sektorin publik, ashtu edhe për atë privat në Kosovë ka qenë regjimi rregullativ i pazhvilluar dhe mungesa e të dhënave të plota dhe të besueshme për burimet e energjisë. Prandaj, avancimet rregullative, së bashku me vlerësimet e përzgjedhura dhe studimet e fizibilitetit për energjinë e ripërtëritshme, duhet të mbështeten në fushat që nuk mbulohen nga donatorët e tjerë dhe në përputhje me planin për zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme në Kosovë.

Qeveria qendrore dhe ajo komunale do të përfitojnë nga Projekti për Efiçiencë të Energjisë dhe Energji të Ripërtëritshme në Kosovë nëpërmjet shpenzimeve të reduktuara të energjisë, stokut të ndërtesave të rinovuara dhe komfortit dhe funksionalitetit më të madh të interierit. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Agjencia e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë të gjitha do t’i zhvillojnë kapacitetet e tyre për t’i nxitur investimet e qëndrueshme në energji në mbarë vendin.

Sektori privat i Kosovës do të përfitojë edhe në disa mënyra. Një mjedis i përmirësuar rregullativ pritet ta lehtësojë licencimin më të shpejtë dhe hyrjen në një treg më të madh për zhvillim të energjisë së ripërtëritshme. Furnizuesit dhe ofruesit e shërbimeve të pajisjeve të energjisë së ripërtëritshme dhe energjisë efiçiente pritet që të përfitojnë nga rritja e kërkesës për shërbimet dhe mallrat e tyre. Për shembull, me modernizimin dhe uljen e përdorimit të energjisë nga ana e universiteteve dhe spitaleve, studentët dhe pacientët do të përfitojnë nga shkalla më e lartë e komfortit dhe funksionalitetit si dhe nga ndotja e reduktuar e ajrit.