Skip to Main Navigation
Fjalime dhe tekstet e fjalimeve 13 mars 2019

Fjala e hapjes nga Maryam Salim në seminarin për prezantimin raportit të Bankës Botërore “Ndërprerja e ciklit të përjashtimit të Romëve në Ballkanin Perëndimor”

Të nderuar përfaqësues të qeverisë, agjencive shtetërore, përfaqësues të  shoqërisë civile dhe partnerë të zhvillimit,

Zonja dhe zotërinj,

Kam kënaqësinë të jem e pranishme sot në këtë aktivitet të rëndësishëm ku ekipi i Bankës Botërore do të prezantojë raportin “Ndërprerja e ciklit të përjashtimit të romëve në Ballkanin Perëndimor”, me gjetjet kryesore dhe rekomandime të Anketës Rajonale të Romëve. Ne kemi bashkëpunuar ngushtësisht me PNUD-in dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin sa i takon agjendës së përfshirjes së Romëve në Ballkanin Perëndimor.

Ne e vlerësojmë mbështetjen e KE-së sa i takon Studimit Rajonal për Romëve si dhe punës analitike dhe asaj për politikat përkatëse për të kthyerit Romë, si dhe mbështetjen e PNUD-it për realizimin e Anketës Rajonale për Romët.

Pse ky raport?

Të dhëna të sakta dhe hulumtime mbi përfshirjen e romëve me qëllim hartimin e politikave të bazuara në prova janë të pakëta dhe ky raport rajonal synon të plotësojë këtë boshllëk të njohurive dhe të informojë politikëbërjen. Raporti i Bankës Botërore që po prezantojmë sot në Tiranë shqyrton përfshirjen e Romëve në Ballkanin Perëndimor në pesë fusha prioritare: arsimi, tregjet e punës, shëndetësia, strehimi dhe dokumentacioni.

Raporti është përgatitur mbi të dhënat nga anketat rajonale për Romët të vitit 2011 dhe 2017, studimi më i plotë deri më sot në lidhje me kushtet e jetesës dhe rezultatet e zhvillimit njerëzor midis familjeve të margjinalizuara të Romëve dhe fqinjëve të tyre jo-Romë. Pritshmëritë ishin që të dyja grupet të kishin të njëjtën qasje në shërbimet bazë siç janë arsimi, kujdesi shëndetësor, energjia elektrike dhe uji, si dhe në tregun e punës. Anketa tregoi se pavarësisht progresit në disa fusha nuk ka pasur përmirësime domethënëse në asnjë nga fushat prioritare.

Cilat janë disa nga gjetjet për Shqipërinë?

Image
Raporti për Shqipërinë tregon disa përmirësime sa i takon mbulimit me shërbime bazë, por ka mungesa sa i takon barazisë në dhënien e këtyre shërbimeve. Shkalla e rregjistrimit në arsimin parauniversitar në mesin e fëmijëve romë në Shqipëri është më e larta në Ballkanin Perëndimor; megjithatë krahasuar me fëmijët fqinjë jo-romë hendeku është ende i madh. Shkalla e punësimit është ende e ulët dhe mbulimi me sigurime shëndetësore është në rënie. 98 për qind e romëve janë të pajisur me certifikata lindjeje, vetëm 1 pikë përqindje më pak se fqinjët jo-romë. Ka përmirësime sa i takon kushteve të  banimit dhe të jetesës, por ka ende shumë  për të bërë sa i takon furnizimit me energji elektrike dhe shërbime të tjera.

Me vështrim nga e ardhmja

Adresimi i mangësive në prioritetet kryesore kërkon një agjendë më gjithëpërfshirëse që përfshin politika të fokusuara tek romët përgjatë gjithë ciklit të jetës, nga edukimi në fëmijërinë e hershme tek përmirësimi i strehimit, kujdesit shëndetësor, dhe pjesëmarrja në tregun e punës.

Ofrimi i mundësive të njëjta si për popullsinë në përgjithësi edhe për romët shoqërohet me përfitime fiskale dhe përfshirja e romëve është me përfitim për të gjithë. Rajoni i Ballkanit Perëndimor po përballet me moshimin demografik dhe përfitimet nga përfshirja e romëve nuk mund të neglizhohen, sepse sjell përfitime në produktivitet si rritje të punësimit dhe të ardhurave, përfshire përfitime fiskale si të ardhura më të larta nga mbledhja e taksave dhe shpenzime më të ulëta për asistencën sociale.

Ne në Bankën Botërore jemi të angazhuar që t’i përfshijmë gjetjet e këtij raporti në programet tona dhe dialogun e politikave me qeverinë, duke e thelluar më tej bashkëpunimin me BE-në për forcimin e politikave dhe programeve në Ballkanin Perëndimor në lidhje me përfshirjen e romëve.

Do të doja gjithashtu të falenderoja organizatat e shoqërisë civile, të cilat përfaqësojnë zërin dhe interest e romëve për kontributin që kanë dhënë përmes mbledhjeve dhe konsultimeve më të hershme në përpilimin e këtij raporti. Kjo punë përfshin edhe këtë bashkëpunim të frutshëm.

Ekipi i Bankës do t’ëju informojë më në detaje për raportin dhe jam e sigurt se do të ketë diskutime interesante dhe me vlerë.

Faleminderit!

Api
Api