Learn how the World Bank Group is helping countries with COVID-19 (coronavirus). Find Out

Fjalime dhe tekstet e fjalimeve 2018-10-23

Fjala e hapjes e Menaxheres së Zyrës së Bankës Botërore në Prezantimin e Sistemit të Transparencës Shoqërore në Projektin e Mirëmbajtjes dhe Sigurisë Rrugore

I Nderuar Ministër Gjiknuri

I Nderuar Zoti Drejtor i Përgjithshëm i ARRSH

Të dashur kolegë dhe të Ftuar të nderuar

Jam shumë e lumtur të marr pjesë në këtë aktivitet inaugurues të Sistemit të Transparencës Shoqërore dhe Mekanizmit të Trajtimit të Ankesave, që janë drejtpërsëdrejti të lidhura me Projektin e Mirëmbajtjes së Rrugëve bazuar në rezultate që financohet nga Banka.

Siç shumë prej jush e dinë, Projekti i Mirëmbajtjes dhe Sigurisë Rrugore Bazuar në Rezultate po financon mirëmbajtjen e rreth 1.400 kilometrave të rrjetit kombëtar rrugor të vendit. Qasja novatore e zbatuar në këtë projekt kërkon që Kontraktorët të përmbushin ose tejkalojnë me sukses nivelet e performancës që maten përmes treguesve. Kjo qasje ka potencialin të ofrojë kursime në kosto dhe mund të jetë më e efektshme në arritjen e nivelit të shërbimit që me të vërtetë i intereson përdoruesit të rrugës.

Nëse kemi parasysh përdoruesit e rrugës, pra publikun e gjerë, si Qeveria e Shqipërisë ashtu edhe Banka janë të interesuara të shohin pjesëmarrje të gjerë të publikut dhe shpërndarje të madhe informacioni në këtë projekt. Kjo siguron transparencë më të madhe, përmirëson performancën e institucioneve publike, dhe është një mënyrë për të luftuar korrupsionin.

Në këtë kuadër, dhe në të njëjtën linjë me shembuj të ngjashëm nga projekte të financuara nga Banka Botërore në Shqipëri, Banka ka propozuar dhe ka përdorur burimet e veta për financimin dhe krijimin e Sistemit të Transparencës Shoqërore (STS).Ky është një sistem marrjeje informacioni dhe trajtimi ankesash, që i lejon përdoruesve të rrugës dhe publikut të gjerë të japin informacionin e tyre në reagim të Projektit, Kontraktorët e Mirëmbajtjes Bazuar në Performancë dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar, përmes SMS-ve, telefonit, aplikacioneve në celularë inteligjent dhe faqeve të internetit. 

Pas një viti pune të ekspertëve të Bankës dhe ARRSH-së, STS-ja, ose sistemi i informacionit reagues dhe trajtimit të ankesave, është tashmë i aftë t’u ofrojë përdoruesve të rrugës dhe publikut të gjerë një platformë ku mund të japin informacionin e tyre reagues për Projektin dhe rrjetin kombëtar. Për më tepër, faqja e internetit do të ofrojë informacion për performancën dhe të dhëna të Projektit për publikun, duke prodhuar një sërë raportesh, që do të ofrojnë gjithashtu informacion mbi mënyrën dhe kohën e përgjigjes për ankesa të veçanta dhe trajtimin e shqetësimeve publike. Ky sistem nuk është vetëm në përdorim të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) por edhe Bankës dhe Konsulentit të Monitorimit të Kontratave të Mirëmbajtjes Bazuar në Performancë.

Presim që përdorimi i STS-së të mundësojë përgjigje të shpejtë për kushtet e pasigurta ose të pakënaqshme të rrugës apo mjeteve mbrojtëse, t’i sjellë publikut një shkallë më të lartë besimi për administrimin e mirëmbajtjes rrugore nga ARRSH-ja, të përmirësojë transparencën dhe perceptimin e qeverisjes, si dhe të sigurojë një sistem për shpërndarjen e informacionit mbi kushtet e rrugëve.

Image
STS-ja do të jetë edhe një instrument shtesë për mbledhjen e të dhënave për monitorimin e ndikimit të ndërhyrjeve (punimet e riparimit dhe përmirësimit), përmes analizës së informacionit reagues dhe duke mbledhur perceptimet e përdoruesve të rrugës për rezultatet e projekteve. Për më tepër, ky informacion reagues do të kategorizohet sipas parametrave të gjinisë dhe atyre shoqëroro-ekonomike.

Ne besojmë se ARRSH-ja do ta përdorë sistemin edhe pas përfundimit të Projektit. Në këtë mënyrë, STS-ja do të sigurojë një lidhje të rëndësishme llogaridhënie dhe informacioni reagues midis ARRSH-së dhe klientëve të saj, përdoruesve të rrugës, në të ardhmen afatgjatë.

Dëshiroj të përgëzoj Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar për arritjen e këtij synimi të rëndësishëm për Projektin dhe gjithashtu për ndërmarrjen e këtij hapi me rëndësi drejt transparencës dhe pjesëmarrjes për sigurimin e përdorimit efikas dhe të efektshëm të fondeve publike.

Ju faleminderit.

Api
Api