Të nderuar pjesëmarrës,
Të nderuar përfaqësues të bashkive Shkodër, Fier dhe Pogradec,
Të nderuar kolegë të Fondit Shqiptar të Zhvillimit,
Të nderuar përfaqësues të partnerëve për zhvillim,
E kam për kënaqësi të çel këtë aktivitet ku prezantojmë Projektin e rrugëve lidhëse rajonale dhe vendore, i financuar nga Qeveria e Shqipërisë dhe Banka Botërore.
Rrjeti i rrugëve rajonale është pjesë përbërëse e infrastrukturës në vend, sepse mund të ndihmojë ose të pengojë në përdorimin e shërbimeve publike dhe zhvillimin e qendrave ekonomike. Këtij rrjeti i duhet t’u përgjigjet edhe kërkesave në rritje të sektorit bujqësor dhe sektorit të ri dhe dinamik të turizmit. Qeveria e Shqipërisë u është përgjigjur këtyre kërkesave dhe ka prezantuar strategji të rëndësishme kombëtare, përfshirë zbatimin me sukses të një programi të rrugëve rurale dekadën e fundit. Por pranohet se ka ende vend për t’i konsoliduar përmirësimet e bëra në rrjetin e rrugëve rajonale, në mënyrë që t’i rezistojnë kohës dhe të mundësojnë rritjen e mëtejshme ekonomike.
Projekti i rrugëve lidhëse rajonale dhe vendore që prezantojmë sot, ngrihet mbi dy shtylla: i. zvogëlimi i kohës dhe kostove të udhëtimit falë rrugëve më të mira dhe më të sigurta dhe ii. rritja e lidhjes me qendrat turistike dhe e arritshmërisë së tregjeve dhe qendrave agro-përpunuese nga ana e prodhuesve të produkteve bujqësore. Pritet që Projekti të ketë rezultate pozitive dhe ta rrisë përfshirjen sociale të komuniteteve vendore, për rreth 80.000 banorë. Gjithashtu, dyzet-përqindëshi me të ardhura më të pakëta i kësaj popullsie, si edhe gratë dhe vajzat, do të kenë më shumë të ardhura, konsum, lidhje më të mirë dhe më të sigurt me shërbimet shëndetësore dhe arsimore, dhe mundësi për punësim.
Ky Projekt nuk ka për qëllim të jetë një investim i njëhershëm. Projekti është përgatitur në formën e një programi kuadër për investimet, duke përdorur të njëjtën qasje si edhe programi i mëparshëm i rrugëve rurale, i zbatuar me shumë sukses: me metodikë që ndjek prioritete, me fokusin te sektorë të rëndësishëm produktivë, sidomos bujqësia dhe turizmi. Kuadri i investimeve është gati për t’u marrë në shqyrtim për financim në bazë të buxheteve qendrore dhe vendore, ose nga institucione financiare ndërkombëtare dhe donatorë dypalësh. Madje, së fundmi, këtij programi i është bashkuar edhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Do të doja të përmendja disa aspekte të veçanta dhe novatore që do të mbështeten nga projekti:
(i) rehabilitimi për t’u bërë ballë ndryshimeve klimatike dhe përmirësimi i sigurisë i rreth 55 km rrugë rajonale, në tri deri katër bashki, prej të cilave tashmë janë konfirmuar Shkodra, Fieri dhe Pogradeci. Këto aktivitete përfshijnë aspekte të parandalimit të përmbytjeve, kontrollit të parrezikshmërisë dhe masave të sigurisë si korsi të reja për biçikleta, trotuare për këmbësorë dhe sinjalistikë rrugore vertikale dhe horizontale;
(ii) projekti do të mbështesë përgatitjen e strategjive të mirëmbajtjes dhe planifikimin e investimeve shumëvjeçare në nivel bashkie; dhe e fundit,
(iii) zbatimi i programeve të zhvillimit rural mbështetur nga Qeveria dhe partnerët e tjerë për zhvillim, përfshirë programin e miratuar së fundmi “100 Fshatrat”, duke i ndihmuar bashkitë të vlerësojnë potencialin e tregut në nivel fshati dhe aktivitetet prodhuese që do të siguronin kthim më të lartë, si edhe në përgatitjen e projekt-propozimeve për të përfituar nga financimi ekzistues në formë granti në kuadër të programeve të zhvillimit rural.
Gjatë këtij viti më është dhënë rasti të vizitoj disa bashki që kanë përfituar nga projekte të mbështetura nga Banka (si Projekti për Zhvillimin e Integruar Urban dhe të Turizmit), përfshirë Pogradecin dhe Fierin edhe në kuadër të përgatitjes së këtij projekti në veçanti. Kam vizituar zonat e projektit së bashku me kolegë të Bankës, dhe nuk kërkon shumë mend për ta kuptuar potencialin bujqësor dhe turistik në vend dhe se si përmirësimi i infrastrukturës mund të ndihmojë në forcimin më tej të rritjes ekonomike.
Është e rëndësishme të kuptohet se mundësitë e kufizuara për financim do të duhej të përdoreshin me mençuri dhe aty ku ka edhe ndikim dhe rezultate më të mëdha. Kam mësuar nga diskutimet e drejtpërdrejta me përfituesit e mundshëm dhe zyrtarët vendorë se një infrastrukturë më e sigurt dhe më e arritshme është shumë e rëndësishme për mirëqenien dhe prosperitetin e tyre.
Me kënaqësi shoh se aspektet inxhinierike dhe teknike të shqyrtuara në fazën e projektimit, jo vetëm që do të sigurojnë që rrugët e përmirësuara të jenë më të sigurta, por do të ofrojnë edhe një mundësi më të mirë dhe më të sigurt përdorimi për mjetet jo të motorizuara dhe për këmbësorët.
U desh më shumë se një vit që ky Projekt të përgatitej dhe të bëhej efektiv (një përgatitje shumë më e shpejtë se në të tjera projekte) dhe tani Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe tri bashkitë janë gati për fillimin e zbatimit të aktiviteteve. Me ecjen përpara të këtij projekti, Banka do t’ju gjendet në krah për të punuar për arritjen e rezultateve më të mira.
Ju uroj të gjithëve suksese në zbatimin e Projektit të rrugëve lidhëse rajonale dhe vendore.