Skip to Main Navigation
Fjalime dhe tekstet e fjalimeve 21 qershor 2018

THIRRJA E DYTË PËR APLIKIME PROJEKTI I PYJEVE IPARD

Image

I nderuar Ministër Klosi, I nderuar Ministër Peleshi,

I nderuar Rektor,

Panelistë dhe miq të nderuar,

Kam kënaqësinë e veçantë të marr pjesë në aktivitetin për hapjen e “Thirrjes së dytë për aplikime” për grantet të ngjashme me programin IPARD të Bashkimit Europian, të mbështetura nga Projekti i Shërbimeve të Mjedisit, financuar nga Qeveria Suedeze, Shërbimi Global i Mjedisit dhe Banka Botërore. Është një privilegj i veçantë për mua të jem në ambjentet e Universitetit Bujqësor të Tiranës. Kjo është vizita ime e parë në këtë Universitet, por shpresoj të kthehem sërish për të diskutuar me ju mbi tema të tjera të ndryshme.

Projekti i Shërbimeve të Mjedisit po mbështet përpjekjet e Shqipërisë për të forcuar qeverisjen dhe menaxhimin burimeve të veta natyrore, nëpërmjet krijimit të një inventari kombëtar të pyjeve, regjistrimit të pyjeve dhe kullotave bashkiake, përgatitjes së planeve të menaxhimit të pyjeve dhe kullotave bashkiake, si dhe ngritjes së sistemit të infomacionit pyjor. 

Pylltaria është një pjesë integrale e zhvillimit rural ndaj mbështetja për përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore është kthyer në një prioritet kyç për qeverinë.

Projekti i Shërbimeve të Mjedisit po mbështet fermerët si dhe Shoqatat e Përdoruesve të Pyjeve dhe Kullotave nëpërmjet granteve të pyjeve të ngjashme me programin IPARD të Bashkimit Europian, për të zbatuar praktika të qëndrueshme të menaxhimit të tokës si dhe për të rritur përfitimet e tyre monetare dhe jomonetare. Grantet të ngjashme me Projektin IPARD për Përcaktimin dhe Mbrojtjen e Pyjeve, Kullotave dhe Zonave Rurale Malore synojnë rikthimin, ruajtjen dhe nxitjen e ekosistemeve malore, për të përmirësuar kësisoj bujqësinë dhe pyjëtarinë që varet prej tyre, duke adresuar njëkohësisht sfidat e ndryshimeve klimaterike.  

Njëqind e tridhjetë e shtatë aplikime u paraqitën në thirrjen e parë për aplikime për grantet e pyjeve, gjë që tregon interesin e lartë të përfituesve dhe rëndësinë e këtyre investimeve për të përmirësuar burimet natyrore si dhe jetesën e njerëzve që varen nga përdorimi i këtyre burimeve në zonat më të thella të Shqipërisë.

Përgjatë muajve të fundit kam pasur mundësinë të vizitoj dy përfitues të granteve - Shoqatën e Përdoruesve të Pyjeve dhe Kullotave në Ulëz, në dhjetor 2017 si dhe atë të Petranit, në maj 2018.

Në Ulëz, Shoqata e Përdoruesve të Pyjeve dhe Kullotave po punonte për rrallimin dhe pastrimin e 82 hektarë pyje pranë rezervuarit. Admirova përkushtimin e anëtarëve të shoqatës, të burrave dhe grave për ta mbaruar punën në kohë si dhe për t’u përkujdesur për pyjet e tyre të rinj të lisave. Dëgjova me interes diskutimet e tyre mbi mundësitë në rritje të zhvillimit turizmit si pasojë e ruajtjes së pyjeve. 

Në Petran, Shoqata e Përdoruesve të Pyjeve dhe Kullotave e kishte përfunduar ndërkaq nënprojektin e saj – përmirësimin e 92 hektarëve tokë kullotash, që do të mundësojë përdorimin e kullotave malore për bagëtitë, duke reduktuar kështu presionin për përdorimin e kullotave të fshatrave fqinje.

Edhe atje, përkushtimi i njerëzve për të kontribuar përtej parashikimit të nën-projektit, përsa i përket intensitetit ishte i jashtëzakonshëm.  

Jemi mbledhur sot në këtë aktivitet për të hapur thirrjen e dytë për aplikime për grante, por gjithashtu për të përfituar nga mësimet e nxjerra nga thirrja e parë për aplikime. Thirrja e parë për aplikime kaloi në një proces jo të lehtë, dhe hasi një sërë vonesash. Aplikuesve iu desh kohë të familjarizoheshin me procesin e aplikimit si dhe të trajnoheshin për të përgatitur propozime të mira.

Gjithashtu institucioneve përgjegjëse për hartimin dhe administrimin e projektit – Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit si dhe Inspektoriatit Shtetëror të Pyjeve dhe Mjedisit iu desh kohë për të finalizuar dhe vlerësuar aplikimet, për të zhvilluar kontrolle në vend si dhe për të autorizuar pagesat.   

Sot, të 63 përfituesit e granteve të fituara i kanë kryer investimet, 30 prej tyre janë paguar, ndërsa 33 të tjerëve po ju shqyrtohen kërkesat për pagesë. Na vjen mire kur dëgjojmë se të gjitha investimet janë zbatuar ashtu siç duhet nga Shoqatat e Përdoruesve të Pyjeve dhe Kullotave dhe fermerët; njerëzit kujdesen për tokën e tyre dhe për të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Është e vërtetë që është dashur kohë, por kapacitet e përfituesve janë rritur tashmë. Ata kanë njohuri mbi projekt-propozimet që duhen përgatitur si dhe dokumentacionin e kërkuar. Të dy institucionet po punojnë sëbashku shumë më mirë dhe partneriteti i krijuar mes tyre ka krijuar një bazë të fortë për një raund të dytë të suksesshëm aplikimesh si dhe për një zbatim më të shpejtë. Pavarësisht nga vonesat e përjetuara, në secilin prej komuniteteve që vizitova më konfirmuan gatishmërinë për të aplikuar sërish për grante shtesë, duke treguar kësisoj përkushtimin e tyre ndaj mjedisit dhe rëndësinë e këtyre granteve.

Ashtu si me çdo eksperiencë të re ka nevojë për kohë për të siguruar vlerësimin e përshtatshëm si dhe procedurat e duhura për ta bërë sistemin e granteve transparent dhe të barabartë për të gjithë.

Së fundmi, më lejoni të ftoj Shoqatat e Përdoruesve të Pyjeve dhe Kullotave dhe fermerët të aplikojnë në këtë thirrje të dytë për grante dhe t’ju uroj të gjithëve zbatim të shpejtë dhe të suksesshëm të raundit të dytë të granteve.

Ju faleminderit.

Api
Api