Skip to Main Navigation
Fjalime dhe tekstet e fjalimeve 2018-03-02

Marco Mantovanelli: Punëtoria për Menaxhimin e Cilësisë së Ajrit në Kosovë

E nderuar Ministre Reshitaj,

Të nderuar pjesëmarrës,

Dëshiroj ta nis këtë fjalë duke ju treguar se u bënë më shumë se 18 muaj që jetoj në Prishtinë dhe ndihem si në shtëpinë time. Më pëlqejnë njerëzit, skena e gjallë muzikore, restorantet ndjellëse dhe parajsat e vogla ushqimore në pronësi familjare. Më pëlqen të eci bulevardit Nëna Terezë dhe të dal për vrap në Gërmi.

Ama, si shumë prej jush sot këtu, nuk më pëlqen ajri që thithim, sidomos gjatë muajve të dimrit, kur frymëmarrja vështirësohet dhe më djegin sytë dhe fyti. Jam në një mendje me qytetarët e Kosovës, të cilët insistojnë që të bëhet diçka për ta trajtuar ndotjen e ajrit.

Pra, është kënaqësi e madhe të jem sot këtu për të hapur këtë Punëtori për Menaxhimin e Cilësisë së Ajrit në Kosovë dhe për të nisur një studim të ri për menaxhimin e cilësisë së ajrit. Synimi është të përcaktohet saktë problemi, në mënyrë që të gjenden zgjidhje reale. Kjo punë analitike përqendrohet në mbledhjen e më shumë dëshmive për ta trajtuar më mirë ndotjen e ajrit të mjedisit, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Maqedoni.

Cilësia e ulët e ajrit të mjedisit mbetet sfidë e rëndësishme për Prishtinën dhe të gjithë vendin. Në fakt, në disa raste prej fillimit të vitit, ndotja e ajrit në Prishtinë, në aspektin e grimcave ndotëse të imëta PM2.5, i ka tejkaluar nivelet për frymëmarrje të shëndetshme.

Ky studim do të analizojë ndikimet shëndetësore dhe ekonomike të ndotjes së ajrit të mjedisit. Krahas kësaj do të mundohet të kuptojë se prej nga vjen ndotja dhe cili është kontributi relativ i secilit burim në problemin e ndotjes së ajrit. Gjithashtu, studimi do të shqyrtojë kornizën institucionale për menaxhimin e cilësisë së ajrit.

Analizat që do të realizohen në Kosovë do të jenë një përpjekje bashkëpunuese. Banka Botërore dhe ekipi i ekspertëve të jashtëm do të punojnë me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Agjencinë e Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit, Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës, Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, Komunat e Prishtinës, Obiliqit dhe Fushë Kosovës, Agjencinë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit dhe donatorë të tjerë.

Rezultatet e kësaj pune do të informojnë rekomandimet paraprake të politikave për përmirësimin e menaxhimit të cilësisë së ajrit në të tre shtetet, dhe do të udhëzojnë dialogun për përkrahjen e Bankës Botërore në këtë fushë.

Përqendrimet e larta të grimcave ndotëse të ambientit, në radhë të parë të grimcave PM2.5, kanë jo vetëm në barrë shëndetësore, por edhe kosto të mëdha ekonomike. Herën e fundit që i studiuam kostot, në Analizën Mjedisore të Kosovës për vitin 2013, shpenzimet e vlerësuara të ndotjes së ajrit në Kosovë ishin mes 38 dhe 163 milionë eurosh në vit, bazuar në shënimet në dispozicion në vitin 2010. Ky studimi i ri do të na japë një vlerësim të ri të shpenzimeve aktuale shëndetësore.

Që nga studimi i vitit 2013, Kosova ka ndërmarrë hapa për ta përmirësuar cilësinë e ajrit.

Për shembull, me asistencën e Bankës Botërore, sistemi i hapur i transportit të hirit të thatë të thëngjillit në termocentralin Kosova A u zëvendësua me një sistem të lagësht hidraulik dhe ekologjik. Deponia 179 hektarëshe e hirit, e krijuar nga 50 vjet deponimi të hapur të hirit, u stabilizua dhe u mbulua me shtresa dheu për të lejuar rritjen e bimësisë. Këto masa ishin kaq të efektshme, saqë pikat e monitorimit në afërsi të deponisë së hirit nuk regjistrojnë më pluhur të hirit.

Janë sanuar edhe 653 hektarë tokë e mbingarkuar pranë termocentraleve dhe Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka instaluar filtrat e rinj elektrostatikë në termocentralin Kosova A - duke ulur ndjeshëm emetimet e grimcave.

Gjithashtu, Banka Botërore është duke ndihmuar për rritjen e efikasitetit të energjisë në ndërtesa të vjetra publike në Kosovë. Në njëmbëdhjetë ndërtesa publike në Prishtinë - spitale dhe institucione universitare - janë instaluar sisteme të energjisë së ripërtërishme, dhe dhjetëra ndërtesa shtesë në të gjithë vendin po kalojnë renovime të ngjashme në mbështetje të objektivave të efikasitetit të energjisë dhe të energjisë së ripërtërishme në Kosovë.

Sidoqoftë, mbetet shumë punë për t'u bërë. Prishtina po rritet. Po shtohen ndërtesat e reja dhe automjetet në rrugë. Shumë shtëpi familjare dhe disa biznese ende ngrohen përmes djegies joefikase dhe shumë ndotëse të thëngjillit dhe druve të zjarrit.

Zvogëlimi efektiv i ndotjes së ajrit kërkon ndërhyrje afatshkurtra dhe afatgjata nga sektori publik, investime dhe praktika të përmirësuara të biznesit nga sektori privat, si dhe ndryshime të sjelljes nga individët dhe familjet.

Për këtë qëllim, Banka Botërore do të vazhdojë ta ndihmojë Kosovën për zbutjen dhe përmbysjen e ndotjes, në mënyrë që të gjithë të marrim frymë pak më lehtë.

Api
Api