Learn how the World Bank Group is helping countries with COVID-19 (coronavirus). Find Out

Fjalime dhe tekstet e fjalimeve 2018-01-30

Fjala e hapjes nga Maryam Salim, Drejtoreshë e Bankës Botërore në Shqipëri në seminarin e prezantimit të Raportit mbi Prokurimin dhe Zbatimin e Kontratave

Image

E nderuar Zëvendëskryeministrie, zonja Mesi,

I nderuar Zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë, zoti Luçi,

Të nderuar përfaqësues të Qeverisë, ministrive dhe institucioneve, dhe të partnerëve për zhvillim,

Zonja dhe Zotërinj,

E kam për kënaqësi të jem me ju sot, në këtë aktivitet të rëndësishëm, ku ekipi i Bankës Botërore do të prezantojë gjetjet dhe rekomandimet e shqyrtimit të Prokurimit dhe Zbatimit të Kontratave (CPCI) në Shqipëri. E kemi për kënaqësi që Banka Islamike për Zhvillim është vendosur në partneritet me Bankën Botërore për kryerjen e këtij shqyrtimi. Me ekipin tonë janë angazhuar nga afër edhe partnerë të tjerë për zhvillim, si BE, SIGMA, BERZH dhe Zvicra.

Duke qenë se më se 40 për qind të shpenzimeve kapitale në Shqipëri ende financohen me fonde të huaja, pranohet prej nesh se një fushë që kërkon një shqyrtim dhe analizë më të thellë është prokurimi dhe zbatimi i kontratave.  

E vlerësojmë punën e Qeverisë në fushën e harmonizimit të sistemit të prokurimit publik me direktivat e BE-së në fushën e prokurimeve. Kjo punë ka pasur si rezultat një sistem të prokurimit publik të orientuar nga parimet e transparencës, konkurrencës së hapur, efikasitetit dhe drejtësisë.

Shqipëria është vendi i parë në rajon që ka pilotuar prokurimin elektronik për projektet e financuara nga Banka Botërore, ku kontrata e parë e prokuruar përmes sistemit të prokurimit elektronik ka qenë në vitin 2012. Sistemi i prokurimit elektronik është certifikuar nga Banka Botërore për t’u përdorur për tenderët me konkurrencë ndërkombëtare (ICB) dhe tenderët me konkurrencë kombëtare (NCB). Pilotimi ka dhënë rezultate pozitive dhe është përdorur edhe në projekte me fonde të donatorëve të tjerë (si BEI dhe BERZH).

Edhe pse ka rezultate nga reforma legjislative dhe institucionale, hasen ende një varg sfidash në zbatimin faktik. Një shqetësim qendror është koha që merr mbyllja e procesit të prokurimit, sidomos për kontratat e punëve civile me vlerë të madhe të financuara nga institucionet financiare ndërkombëtare. Për shembull, cikli i prokurimit për projektet e financuara nga Banka Botërore, që nga shpallja e tenderit te shpallja e fituesit te dorëzimi i punës tek sipërmarrësit merr rreth 1,5 herë më shumë se treguesi i krahasimit. Kjo e vonon zbatimin e projektit, duke e vonuar kështu dhënien e rezultateve qytetarëve.   

Image
Maryam Salim
Gjatë diskutimeve tona me Këshillin e Ministrave, lidhur me Kuadrin e Partneritetit me Vendin (2015-2019), kemi rënë dakord për kryerjen e një shqyrtimi të hollësishëm të sistemit ekzistues të prokurimit publik dhe të menaxhimit të kontratave. Qëllimi ka qenë evidentimi i mënyrave se si të optimizohet transparenca, efikasiteti dhe efektiviteti i shpenzimeve për investimet dhe si t’u jepen rezultate më të shpejta qytetarëve shqiptarë. Raportet tona më të fundit për vlerësimin e prokurimeve në vend dhe Raporti për vlerësimin e funksioneve të besuara në vend kanë qenë, përkatësisht, më 2001 dhe 2006. Për këtë arsye, edhe ky shqyrtim është një detyrë që duhej të qe bërë prej kohësh.

Ekipi ka kryer një shqyrtim të gjerësishëm duke përdorur të dhënat e vëna në dispozicion nga institucionet zbatuese, duke u përqendruar, mes të tjerash, te planifikimi i prokurimit, struktura, efikasiteti dhe performanca organizative, transparenca, menaxhimi dhe ekzekutimi i kontratave, dhe cilësia e dokumenteve të tenderit dhe kontratës dhe e vlerësimeve të ofertave. Numri i madh i kontratave të negociuara, por të papublikuara dhe mungesa e perceptuar e besimit te mekanizmi i shqyrtimit të ankesave në momentin e shqyrtimit kanë qenë fusha të tjera që ka parë ekipi.

Ekipi ka shqyrtuar rregullimet ekzistuese për prokurimet për projektet e financuara nga Banka Botërore dhe Banka Islamike pë Zhvillim për të vlerësuar se si mund të përmirësohen, përfshirë edhe përmes pilotimit të mundshëm të rregullimeve për prokurimet në projektet e financuara nga Banka Botërore.

E pranojmë se një zbatim në kohë, efektiv dhe efikas i financimit për zhvillim përbën një prioritet të lartë për Qeverinë në rrugën e saj të një game të gjerë reformash. Cilësia dhe efikasiteti i proceseve të prokurimit luan një rol kyç në arritjen e rezultateve. Siç e dini, pjesa më e madhe e financimit të investimeve lidhet me zbatimin e kontratave.

Ndërkohë që ekipi po finalizonte raportin në fjalë, Banka Botërore i ka dhënë asistencë teknike financiare Qeverisë për të mbështetur rritjen e monitorimit të përputhshmërisë, efikasitetit dhe transparencës në prokurimin publik.

Në fund, ky shqyrtim nuk do të ishte kryer pa mbështetjen e të gjitha institucioneve, zyrtarëve qeveritarë, sektorit privat dhe donatorëve, të cilët kushtuan kohë për t’u takuar me ekipin. Ne do ta vijojmë mbështetjen tonë për Qeverinë për t’u dhënë zgjidhje rekomandimeve të raportit, për të përmirësuar më tej prokurimin dhe zbatimin e kontratave si edhe për të ngritur sistemeve më efektive të ndjekjes së performancës.

Jam e sigurt se do zhvilloni diskutime të frytshme gjatë këtij takimi dhe shpresoj në një përmirësim të zbatimit të projekteve dhe realizimit të shërbimeve për qytetarët e Shqipërisë në të ardhmen. 

Api
Api