Learn how the World Bank Group is helping countries with COVID-19 (coronavirus). Find Out

NJOFTIME PËR SHTYP 2019-10-17

Caku i ri: Ulja e “varfërisë së mësimit” së paku përgjysmë deri në vitin 2030

Arritja e cakut kërkon zotim nga të gjitha qeveritë, familjet dhe komunitetet

UASHINGTON, 17 tetor 2019 - Banka Botërore prezantoi sot një cak të ri ambicioz, Cak i Mësimit, i cili synon të ulë së paku përgjysmë normën globale të varfërisë së mësimit deri në vitin 2030. Varfëria e mësimit përkufizohet si përqindja e 10-vjeçarëve që nuk mund ta lexojnë dhe kuptojnë një tregim të thjeshtë. 

Duke përdorur bazën e të dhënave të zhvilluar së bashku me Institutin e Statistikave të UNESCO-s, Banka vlerëson se 53 për qind e fëmijëve në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme nuk mund ta lexojnë dhe kuptojnë një tregim të thjeshtë deri në fund të shkollës fillore. Në vendet e varfra, niveli shkon deri në 80 për qind. Nivele të tilla të larta të varfërisë së mësimit janë shenjë e hershme paralajmëruese që të gjitha objektivat arsimore globale dhe objektivat e tjera të zhvillimit të qëndrueshëm janë në rrezik. 

“Suksesi në arritjen e këtij caku të mësimit ka rëndësi kritike për misionin tonë,” tha Presidenti i Grupit të Bankës Botërore David Malpass. “Trajtimi i varfërisë së mësimit do të kërkojë reforma gjithëpërfshirëse për të siguruar që burimet e brendshme po përdoren në mënyrë efektive. Caku thekson urgjencën e investimeve në mësimdhënie më të mirë dhe koordinim më të mirë të prioriteteve të mësimit që kanë rëndësi jetike”.

Ky cak i ri përputhet me përpjekjet e Projektit të Kapitalit Njerëzor për ngritjen e zotimit politik për përshpejtimin e investimeve në njerëz. Pjesa më e madhe e variacioneve në Indeksin e Kapitalit Njerëzor - që përdoret për të përcjellë progresin e vendeve në shëndetësi, arsim dhe mbijetesë - është për shkak të dallimeve në rezultatet arsimore.

“Ne e dimë se arsimi është faktor kritik në sigurimin e barazisë së mundësive,” tha Annette Dixon, Nën Presidente, Zhvillimi Njerëzor, Grupi i Bankës Botërore. “Shumë vende pothuajse kanë eliminuar varfërinë e mësimit - me nivele nën 5 për qind.  Por në vendet e tjera, ajo është jashtëzakonisht e lartë, dhe ne po rrezikojmë të ardhmen e shumë fëmijëve. Kjo është e papranueshme moralisht dhe ekonomikisht. Ky Cak i Mësimit synon të nxisë veprimin drejt një objektivi ambicioz, por të arritshëm.”

Disa vende në zhvillim po tregojnë se progresi i përshpejtuar është i mundur. Në Keni, është shënuar progres përmes aftësimit të mësimdhënësve me anë të teknologjisë, udhëzuesve për mësimdhënës dhe ofrimit të një teksti mësimor për fëmijë (në anglisht dhe kiswahili) me përmbajtje të përshtatur për nivelin e nxënësve. Në Egjipt, qeveria ka ndryshuar planet dhe programet e mësimit dhe të vlerësimit, ashtu që nxënësit vlerësohen gjatë gjithë vitit, ku elementi kryesor i reformave u përqendrua te mësimi dhe jo akreditimi i shkollave. Dhe në Vietnam, plan-programet e qarta dhe të shkoqitura kombëtare, disponueshmëria gati universale e teksteve shkollore dhe shkalla e ulët e mungesës së nxënësve dhe mësimdhënësve vlerësohet se kanë kontribuuar në rezultatet e shkëlqyera të mësimit të vendit.

Fatkeqësisht, është për t’u brengosur që në shumë vende të tjera ritmi aktual i përmirësimit është akoma i ngadaltë. Edhe nëse vendet ulin varfërinë e mësimit me ritmet më të shpejta që janë parë gjatë 20 viteve të fundit, objektivi që t’i jepet fund kësaj varfërie nuk do të arrihet deri në vitin 2030.

“Ulja e varfërisë së mësimit të paktën përgjysmë është e bëshme, por kërkon zotim të madh politik, financiar dhe menaxherial dhe qasje mbarë qeveritare,” tha Jaime Saavedra, Drejtor Global për Arsim, Grupi i Bankës Botërore. “Ulja e varfërisë së mësimit në zero - duke u siguruar që të gjithë fëmijët janë në gjendje të lexojnë - është objektiv themelor zhvillimor, ashtu siç është eliminimi i urisë ose varfërisë së skajshme.  Të gjithë fëmijët kanë të drejtë të lexojnë - dhe në secilin vend, është i nevojshëm dialogu kombëtar për të përkufizuar se si dhe kur mund të eliminohet varfëria e mësimit, dhe për të caktuar caqe të ndërmjetme për vitet në vijim.”

Banka do të përdorë tri shtylla të punës për t’i ndihmuar vendet që ta arrijnë këtë cak dhe të përmirësojnë rezultatet e kapitalit njerëzor të popullit të vet:

  • Paketa e politikave të shkrim-leximit e përbërë nga ndërhyrjet në nivel vendi që janë dëshmuar si efektive për promovimin e zotësisë së leximit në shkallë të caktuar: sigurimi i zotimit politik dhe teknik ndaj shkrim-leximit bazuar në plane të financuara në mënyrë të duhur; sigurimi i mësimdhënies efektive për shkrim-lexim, përmes pedagogjisë së strukturuar dhe efektive; përgatitja e mësimdhënësve për të dhënë mësim në nivelin e duhur dhe duke ofruar aftësim praktik të mësimdhënësve në shkolla; sigurimi i teksteve dhe lexuesve për të gjithë; dhe mësimi i fëmijëve në gjuhën e tyre amtare.
  • Qasja e rifreskuar arsimore për të forcuar sistemet arsimore në tërësi - në mënyrë që përmirësimet në shkrim-lexim të jenë të qëndrueshme dhe të përshkallëzohen dhe të mund të arrihen të gjitha rezultatet e tjera arsimore. Kjo qasje përbëhet nga pesë shtylla: i) nxënës të përgatitur dhe të motivuar, ii) mësimdhënës të efektshëm dhe të vlerësuar, iii) klasa të pajisura për mësim, iv) shkolla të sigurta dhe gjithëpërfshirëse, dhe v) sistem arsimor i menaxhuar mirë.
  • Axhenda ambicioze e matjes dhe hulumtimit - e cila përfshin matjen e rezultateve mësimore dhe shtytësve të tyre, si dhe hulumtimin dhe novacionin e orientuar drejt veprimit në mënyrë të vazhdueshme, duke përfshirë përdorimin inteligjent të teknologjive të reja, për mënyrën e kultivimit të zotësive themelore.

Ndryshimi është i nevojshëm në shkallë të caktuar, shpejt, dhe për popullsi të mëdha. Kjo nuk mund të bëhet pa teknologji. Për të siguruar që resurset arrijnë deri te të gjithë mësimdhënësit, nxënësit dhe shkollat, do të përdoren infrastruktura dixhitale dhe sistemet e informacionit nga burimet e hapura.

Përcjellja e progresit kërkon përmirësim dramatik të kapacitetit për të matur mësimin, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta. Partneriteti i Bankës Botërore me Institutin e Statistikave të UNESCO-s do të ndihmojë vendet që të forcojnë sistemet e tyre të vlerësimit të mësimit dhe të përmirësojnë shtrirjen dhe cilësinë e të dhënave për mësimin në nivel vendi për të monitoruar më mirë performancën me kalimin e kohës dhe në mënyra të krahasueshme ndërkombëtarisht. Përveç kësaj, platforma e re e Bankës Botërore, Platforma e Vlerësimit të Mësimit, do t’ia bëjë të mundur vendeve që të vlerësojnë mësimin e nxënësve në mënyrë më efikase dhe më efektive.

Për më shumë informacion, duke përfshirë kopjen e raportit të ri: Dhënia fund varfërisë së mësimit: Çka është e nevojshme? ju lutemi vizitoni: https://openknowledge.worldbank.org/handle/10986/32553


DEKLARATA PËR SHTYP NR: 2019/055/EDU

Kontakt

Uashington
Kimberly Versak
+1 (202) 458-8881
kversak@worldbankgroup.org
+1 (202) 473-5863
Api
Api