Learn how the World Bank Group is helping countries with COVID-19 (coronavirus). Find Out

NJOFTIME PËR SHTYP 2018-12-18

Banka Botërore përkrah përmirësimin e të dhënave dhe shërbimeve të kadastrës në Kosovë

UASHINGTON, 18 dhjetor, 2018 — Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore ka miratuar Projektin për Patundshmëri dhe Infrastrukturë Gjeo-hapësinore (REGIP), i cili ka për qëllim rritjen e cilësisë dhe disponueshmërisë së administrimit të tokës dhe të të dhënave dhe shërbimeve gjeo-hapësinore në Kosovë. Përkrahja financiare për projektin është 14.6 milionë euro (16.5 milionë dollarë).

“Sigurimi i të drejtave pronësore është thelbësor për përmirësimin e rritjes dhe zhvillimit të Kosovës, pasi të drejtat e mirë-përcaktuara janë gur themeli i një ekonomie dinamike tregu,” tha Marco Mantovanelli, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën. “Ky projekt do të ndihmojë në rritjen e qasjes në financa dhe në zvogëlimin e informalitetit në ekonomi, duke ndikuar pozitivisht në tregjet e kreditit dhe në sektorin bankar komercial, çka nga ana tjetër, mund të rezultojë në më shumë investime dhe më shumë vende pune", shtoi ai.  

Investimet nga REGIP-i do të fokusohen në përmirësimin e disponueshmërisë dhe saktësisë së informacionit kadastral, avancimin e TIK-ut dhe infrastrukturës gjeo-hapësinore, si dhe në zbatimin e nismave për ndërtimin e kapaciteteve. Nga përmirësimet e planifikuara për sistemet e TI-së dhe lansimi i shërbimeve elektronike do të përfitojnë të gjithë qytetarët dhe bizneset e Kosovës, duke pasur më shumë informacion dhe shërbime të disponueshme online. Nga shërbimet elektronike të orientuara drejt përdoruesve të specializuar - si bankat tregtare, noterët dhe inspektorët privatë - jo vetëm që do të përfitojnë këta përdorues, por dhe do të përmirësohet shpejtësia, cilësia dhe saktësia e ofrimit të shërbimeve.

“Pa një kadastër të plotë dhe të përditësuar dhe pa të drejta të përcaktuara qartë për burrat dhe gratë, ekziston rreziku i madh për investimet nga sektori privat dhe qytetarë,” tha Aanchal Anand, Specialiste e Administrimit të Tokës në Bankën Botërore dhe Udhëheqëse e Ekipit të ngarkuar me projektin. “Prandaj, përmirësimi i të dhënave dhe shërbimeve kadastrale rrit mundësinë e qasjes në toka për investitorët vendas dhe të huaj, si një faktor i rëndësishëm i prodhimit, dhe rrit efikasitetin e ekonomisë.”

Projekti i ri do të mbështetet në arritjet e Projektit për Kadastër the Regjistrim të Patundshmërisë në Kosovë, të financuar nga Banka Botërore, i cili u mbyll më 30 qershor 2018. Ky projekt i ndihmoi Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK) të arrijë përparim të konsiderueshëm në futjen e një sistemi të modernizuar të administrimit të tokës, sigurimin e të drejtave pronësore dhe përmirësimin e mjedisit të biznesit në vend. Arritjet më të rëndësishme nga ky projekt përfshijnë: përmirësimin domethënës në renditjen e Kosovës në Indeksin e Të Bërit Biznes të Bankës Botërore për Regjistrimin e Pronës (nga vendi i 73-të në vitin 2012 në vendin e 34-t në vitin 2018); përditësimin sistematik të të shënimeve kadastrale dhe regjistrimit (rikonstruktimi kadastral) në 30% të zonave kadastrale prioritare të Kosovës; rritjen e efikasitetit të tregut të tokës, duke ulur në 10 ditë kohën prej 30 ditësh për regjistrimin e një transaksioni; zhvillimin e Sistemit të Informacioneve Kadastrale për Tokën në Kosovë (SIKTK); vendosjen e një sistemi të mbledhjes së të dhënave të zbërthyera sipas gjinive dhe monitorimit për pronësinë e pronave; vendosjen e infrastrukturës kombëtare të të dhënave hapësinore dhe krijimin e një Gjeo-portali kombëtar.

Projekti REGIP financohet me një kredi nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA) i Grupit të Bankës Botërore. Kreditë e IDA-s ofrohen me kushte koncesionare, me interes zero ose norma shumë të ulëta interesi dhe periudha të gjata ripagimi. Financimi për këtë projekt ka maturitet prej 25 vjetësh, duke përfshirë një grejs-periudhë prej 5 vjetësh. Projekti do të zbatohet për pesë vjet nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, e cila vepron nën ombrellën e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës.


DEKLARATA PËR SHTYP NR: 2019/ECA/73

Kontakt

Në Kosovë
Lundrim Aliu
+381382244541100
laliu1@worldbank.org
Në Uashington
John Mackedon
+1 (202) 4581358
jmackedon@worldbank.org
Api
Api